E Shtunë, 31 Tetor 2026

“A Mighty heart”, demonët e sotëm në kinema “Millenium 2”

Historia e vërtetë dramatike e gazetarit të “Wall Street”, Daniel Pearl, të rrëmbyer dhe të ekzekutuar më pas në mënyrë makabre nga terroristët, vjen për spektatorin shqiptar e shndërruar me mjeshtëri në një film, i cili që prej datës 20 shkurt ka nisur të shfaqet në kinema “Millenium 2” në kryeqytet. Gjithçka do të fillonte më 23 janar të 2002-shit, kur jeta e Mariane Pearl do të ndryshonte përgjithmonë. Burri i saj, Daniel, korrespondent i gazetës ”Wall Street” për Azinë Jugore, ishte duke bërë kërkime për historinë e Richard Reid, njeriu që ishte përpjekur të hidhte në erë një avion duke veshur këpucë “bombë”. Historia e çon në Karaçi, ku një ndërmjetës i kishte premtuar kontaktin me një burim shumë të çmuar. Kur Daniel doli për të shkuar në takim, i tha Marianës se mund të vonohej për darkë. Por në fakt nuk u kthye më kurrë. Filmi është një përshtatje e librit të Mariane Pearl “A Mighty Heart: The Brave Life and Death of My Husband Danny Pearl”. Mariane Pearl ishte pesë muaj shtatzënë kur burri i saj u rrëmbye dhe ekzekutua nga terroristët. Imazhet e ekzekutimit u publikuan duke shokuar të gjithë botën. Duke u përballur me dhimbjen e saj, por edhe duke kërkuar të vërtetën, Mariane nisi të shkruante librin në të cilin rrëfehen peripecitë për të gjetur rrëmbyesit e gazetarit dhe përpjekjet e gruas për ta pranuar faktin se i shoqi nuk është më. Por, mbi të gjitha, ajo e shkroi këtë libër për ta njohur djalin e saj, Adam, me babain që nuk pati fatin ta njihte. Pasi filmi u realizua e veja e gazetarit Daniel Pearl do të jepte mesazhin që me aq fanatizëm e ruajti gjatë gjithë xhirimeve të filmit: “Ky është një film për brezin tonë dhe demonët e tij. Ai jep idenë se ajo që vlen është sjellja jonë si individë dhe mënyra sesi i japim jetë besimeve tona të thella”. Filmi ka bërë zhurmë edhe për faktin se ka bashkuar çiftin Angeline Jolie dhe Brad Pitt. Jolie në rolin e bashkëshortes së gazetarit ndërsa Pitt në atë të producentit.
Thuhet se këtë rol aktorja e njohur duhet ta ketë pasur pak të vështirë për ta pranuar, pasi sipas regjisorit, të gjithë ishin entuziastë për filmin, ndërsa Angeline Jolie dukej dyshuese, “por në fund ajo u shndërrua gati krejtësisht dhe arriti të përvetësonte e mishëronte për bukuri rolin” - është shprehur për mediat Michael Winterbottom. Ndërkaq, Jolie, gjatë xhirimeve të filmit ka thënë se “ky ishte ndoshta karakteri më i vështirë që kam luajtur ndonjëherë. Emocioni është kaq i fortë dhe konstant. Mariane ishte e qetë, e fokusuar, e organizuar, por unë mund të kem qenë histerike, duke i dhënë makinës në rrugët e Karaçit si e çmendur”.
Filmi “A Mighty Heart” është xhiruar në stilin e një dokumentari dramatik me një subjekt tejet të vështirë e njëherësh emocionues, dramatik, interesant. Në përgjithësi kritika e ka pritur tepër mirë këtë produksion, duke vlerësuar subjektin, regjinë dhe performancën e shkëlqyer të aktores Angeline Jolie.
Xhirimet e filmit kanë qenë një episod më vete, me vështirësitë që nuk munguan. Për arsye sigurie, pjesa më e madhe e filmit, duke përfshirë të gjitha skenat me Angeline Jolie, është xhiruar në Pune, Maharashtra dhe në Mumbai të Indisë, ku Danny dhe Mariane jetonin së bashku. Filmi është xhiruar edhe në Francë e në Austin të Teksasit.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›