Serbia: Nuk do të ketë embargo ndaj Kosovës
Serbia ka reaguar kundër qeverisë së Tiranës pas njohjes që kjo e fundit i ka bërë shtetit më të ri evropian, Kosovës. I ngarkuari me punë në Shqipëri i Serbisë, Miroljub Zariç, në një notë proteste të dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk do të jenë më si më parë pas vendimit të Tiranës zyrtare. Në notë-protestën e tij, Zariç vë theksin mbi atë se qëndrimi i Shqipërisë është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB. “Vendimi i Tiranës zyrtare cenon të drejtën ndërkombëtare dhe destabilizon rajonin. Ne nuk mendojmë për një embargo ekonomike ndaj Kosovës, por do të përdorim rrugët diplomatike”, - shtoi Zariç në notë-protestën e tij. Ndërkohë, Zariç bëri të ditur se autoritetet e Beogradit e kanë thirrur atë që të kthehet në Serbi për të analizuar situatën dhe qëndrimin e Shqipërisë.
Rihapen pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë, u rihapën dje dy pikat kufitare që u mbyllën dje pas incidenteve dhe sulmit të protestuesve serbë që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës. Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), përmes zëdhënësit Veton Elshani njoftoi se duke filluar nga ora 15:00, në pikat kufitare të Leposaviçit (Jarinje) dhe Zubin Potokut (Banjë), janë vendosur policët ndërkombëtarë të UNMIK (Policia Kufitare) së bashku me njësitë speciale të UNMIK. “Kjo do të thotë, se nga kjo kohë, pikat kufitare janë të lira për qarkullim”, - thuhet në njoftim, ku saktësohet se aty do të jenë edhe forcat e KFOR. Siç bëhet e ditur, njësitë policore të SHPK do të vendosen më vonë, “kur të jenë plotësuar kushtet logjistike dhe të sigurisë”.
Gjendja në veriun e Kosovës është plotësisht në kontroll, thanë autoritetet më të larta vendase e ndërkombëtare në Prishtinë - komandanti i KFOR, gjenerali Xavier de Marnhac, shefi i UNMIK, Joakim Ryker dhe kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi ku diskutuan për situatën në veri të vendit.
Pardje, rreth orës 11:30, dy vendkalimet kufitare veriore me Serbinë, Jarinja dhe Banja, u sulmuan nga grupe protestuesish serbë, të cilët, pasi shkatërruan objektet, iu vunë dhe flakën.
Serbia: Kosova është problem ‘politik’ dhe jo ‘ushtarak’
“Problemi i pavarësisë së Kosovës është për Beogradin “një problem politik” dhe “jo ushtarak për momentin”, - tha dje në Vjenë zëvendësministri serb i Mbrojtjes, Dushan Spasojeviç. “Kjo është e qartë. Ne nuk e konsiderojmë këtë (pavarësinë e shpallur nga Kosova), si një problem ushtarak, por si një problem politik për momentin”, - iu tha ai gazetarëve në përfundim të fjalës përpara Këshillit të përhershëm prej 56 vendesh anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me seli në Vjenë. Sipas tij, Serbia e konsideron KFOR, forcën e dislokuar nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, “si të vetmen forcë të ligjshme dhe legjitime” në këtë territor. “Ne nuk do të ndërmarrim asgjë kundër këtyre forcave që mbrojnë civilët dhe veprojnë për stabilitetin në rajon”, - shtoi ai.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me aktet e dhunës kundër pikave kufitare këto ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, zëvendësministri serb i Mbrojtjes e cilësoi situatën si “të qëndrueshme në përgjithësi”, duke vërejtur se kishte “pasur reagime emocionale në terren”.