Marrëveshja e detajuar për heqjen e vizave me Maqedoninë
Ministria e Jashtme ka paraqitur ditën e djeshme disa nga detajet e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë. Sipas saj, këto janë risitë:
1. Shtetasit e të dy vendeve do të hyjnë dhe do të qëndrojnë pa vizë për një periudhë prej 90 ditësh në çdo 180 ditë, sipas standardeve të BE-së.
2. Gjatë hyrjes apo qëndrimit shtetasit nuk duhet të paguajnë asnjë taksë apo detyrim. Ky përcaktim eliminon çdo barrë apo barrierë mbi lëvizjen e lirë të shtetasve, duke e bërë hapësirën ndërmjet dy vendeve tona të ngjashme në hapësirën ‘Shcengen’.
3. Për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, parashikohet hyrja në territorin e secilit vend pa vizë dhe më tej; për diplomatët e emëruar në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore pajisja me lejet e posaçme të qëndrimit sipas procedurave të shtetit pritës.
4. Shtetasit që dëshirojnë të qëndrojnë përtej periudhës 90-ditore për arsye familjare, punësimi, studimi, etj., do të zbatojnë legjislacionin e secilit vend. Në këtë rast, pala maqedonase sqaroi se për qendrime afatgjata në Republikën e Maqedoninë, nuk është e nevojshme marrja e një vize afatgjatë, por shtetasi mund të hyjë pa vizë dhe më tej të pajiset me leje qëndrimi pranë autoriteteve kompetente.
5. Shtetasit që qëndrojnë për një periudhë afatshkurtër (90-ditore) nuk kanë të drejtë të punësohen dhe përgjatë kohës së qëndrimit të tyre janë të detyruar të respektojnë legjislacionin e vendit pritës. Secila palë mund të refuzojë hyrjen apo qëndrimin e shtetasve që i konsideron të papranueshëm apo të padëshirueshëm, sipas kritereve të vendosura praprakisht në legjislacionin e brendshëm. Këto janë parime të përgjithshme të rregullimit juridik të regjimit të të huajve sipas së drejtës ndërkombëtare.
6. Në projekt janë parashikuar rastet e humbjes së dokumenteve të udhëtimit që duhen referuar tek autoritetet kompetente, të cilat lëshojnë edhe një dokument vërtetues për rastin dhe në bazë të të cilit përfaqësitë diplomatike lëshojnë lejekalimi për kthimin në atdhe.
7. Në vërtetim të kushteve të forcës madhore, rregullimi i pozitës së shtetasve që nuk mund të përmbushin detyrimin për t’u larguar brenda afatit të përcaktuar (90 ditë apo përfundim të vizës afatgjatë) do të bëhet nga autoritetet përkatëse pa pagesë.
8. Një risi e re në marrëveshje prezantohet me krijimin e Komitetit të Përbashkët brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e saj, i cili do të ketë si detyrë monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin nga interpretimi apo zbatimi i saj. Komitieti pritet të mblidhet minimalisht dy herë në vit dhe ekspertët shprehën besimin se kjo formë komunikimi do të jetë më aktive dhe produktive për mbarëvajtjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Lidhur me qarkullimin në zonat kufitare avancohet në këto drejtime:
1. Zgjerimi i përcaktimit të brezit kufitar nga 10 km në 20 km me shtrirje deri në 25 km kur diktohet nga rrethanat e terrenit.
2. Përfituesit do të jenë banorët e zonave që jetojnë brenda hapësirës të përcaktuar si më lart, jo më pak se para 1 viti nga lindja e së drejtës. Ky kriter u përfshi në pasqyrim të rekomandimeve të BE-së, për lidhjen e marrëveshjeve të tilla.
3. Përfituesit do të kenë të drejtë të qëndrojnë 7 ditë pa ndërprerje, për një periudhë 90-ditore në çdo 180 ditë. Këto terma e lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e këtyre banorëve, duke patur parasysh që marrëveshja ekzituese u njeh atyre të drejtën e qëndrimit 24 orë, vetëm dy herë në muaj.
4. Gjatë kohës së qëndrimit, përfituesit mund të angazhohen në aktivitete fitimprurëse të karakterit ditor ose të përkohshëm, duke respektuar legjislacionin e secilit vend në fushën e punësimit.
5. Përfituesit kanë të drejtë të kalojnë kufirin me paraqitjen e një dokumenti/leje kalimi kufitar, me të cilin do të pajisen nga autoritetet e rendit për një periudhë 5 vjeçare. Për prodhimin e tyre, palët, sa më shpejt të mundin, do t’u referohen standardeve të sigurisë të BE-së.
6. Palët angazhohen për krijimin e lehtësive të tjera për këtë kategori si hapja e pikave të reja kufitare, rezervimi i korridoreve të posaçme për ta në pikat ekzistuese, lejimi i kalimit në pika të tjera jashtë atyre të përcaktuara për shkak të forcës madhore, kontrolli herë pas herë dhe jo vazhdimisht për banorët që për shkak të kalimeve të shpeshta janë të njohur për autoritetet e kufirit.
7. Gjatë qëndrimit në territorin e shtetit tjetër, përfituesit duhet të respektojnë legjislacionin e tij dhe afatet e përcaktuara në këtë protokoll. Në rast shkeljesh autoritetet rezervojnë të drejtën e tërheqjes së lejes së kalimit kufitar për një periudhe njëvjeçare.
Marrëveshja dhe protokolli përbëjnë stadin më të avancuar në rregullimin e lëvizjes së shtetasve në rajonin tonë do të shërbejë, jo vetëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe do të jetë një hap pozitiv afrues drejt qëllimit të përbashkët për realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve tanë në hapësirën europiane. Për përfundimin e tekstit janë marrë eksperiencat më të mira europiane në këtë fushë dhe duke mbajtur në konsideratë rekomandimet dhe standardet e BE-së.