E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango mbledh Këshillin Kombëtar të Restaurimeve

Dje u mblodh Këshilli Kombëtar i Restaurimeve me kërkesë të kryetarit të tij, ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, për të diskutuar dhe për të marrë disa vendime mbi një sërë projektesh që kanë të bëjnë me donacionet, restaurime monumentesh etj. Ndër vendimet që janë marrë ka qenë propozimi për t’i dhënë statusin si zonë arkeologjike vendit përreth kalasë së Tiranës. Veç të tjerash, janë miratuar disa projekte restauruese për objekte që kanë statusin e monumenteve të kulturës në Gjirokastër, ku mund të përmendim Qafën e Pazarit, banesën e Kabilajve, Çabejt, Kikinove, Gurgajve, Çeneve dhe Angonatet. Gjithashtu u miratuan një sërë projektesh që kanë të bëjnë me restaurime të ndryshme në qytetin e Beratit, kryesisht monumente kulture, por edhe fasada e mure. Disa nga banesat që do të restaurohen në Berat janë ato të Petraq Mushës, Dhimitër Ikonomit dhe Nasi Pushit. Në anën tjetër, sipas njoftimit të MTKRS-së, është vendosur edhe miratimi i projekteve të tjera restauruese të rëndësishme siç janë Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, Kisha e Shën Mërisë, Maligrad etj. Mes projekteve u miratuan përshtatja e banesës bar-restorant Ajka Bodajani në lagjen “Goricë” të Beratit dhe u refuzua projekti i firmës së ndërtimit “G&Xh” në rrënojat e kullës trekëndore në Durrës.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›