E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthesa strategjike e së majtës

Shkëlzen Maliqi- Edi Rama ka qenë politikani i cili gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2005 ishte distancuar nga miopia e Nanos në qasjen ndaj LSI-së dhe Metës, duke parashikuar se kjo do të ketë si pasojë humbjen e zgjedhjeve. Për të dëshmuar se e majta pa unitet nuk mund të ketë sukses, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Rama bëri koalicion me Metën dhe partitë tjera të së majtës për t’i fituar ato bindshëm. Por, pas suksesit të vitit 2007, Rama do të bëjë gabimin e Nanos duke ushqyer bindjen se mund të bëhet lider i vetëm i së majtës edhe pa LSI-në. Në vitin 2009 strategjia e defaktorizimit të LSI-së dhe të Ilir Metës dështoi. LSI-ja arriti që të kalojë pragun zgjedhor dhe në zgjedhjet nacionale fitoi 4 mandate që do të bëhen deçizive për mbetjen e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Në këtë atmosferë të mosunitetit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale të vitit 2011, ku Rama vendosi që të garojë për postin e kryebashkiakut të Tiranës edhe për të katërtën herë. Kësaj here Rama mori edhe një leksion ndëshkues për kokëfortësi dhe arrogancë, sepse serish nënçmoi faktorin LSI. Pas kongresit të PS-së në nëntor të vitit 2011 Edi Rama ka bërë kthesën strategjike, duke e ndërprerë politikën e protestave dhe konflikteve, dhe rifillon dialogun dhe afrimin me të gjitha forcat politike të majta, duke përfshirë këtu edhe gjetjen e formulës së pajtimit me Ilir Metën. Kuptohet, për një pjesë të opinionit pajtimi i Ramës me Metën pas rivalitetit të gjatë duket nëse jo i pamundur atëherë i dyshimtë. Por, në politikë nuk janë të rralla këto kthesa për 180 gradë! Tandemi Rama – Meta, në fillim të viteve 2000 ka funksionuar shumë mirë, duke e ringjallur kryeqytetin nga ngulfatja që e kishte kapluar gjatë anarkisë së periudhës pasdiktatoriale. Koalicioni i ri Rama – Meta ka gjasa që të bëjë kthesën e re në Shqipëri, duke ia hapur rrugën Shqipërisë për integrime evropiane dhe krijimin e kushteve për tejkalimin e politikave të konfliktualitetit të brendshëm, sepse me largimin e Sali Berishës duhet pritur edhe konsolidimin e të djathtës shqiptare. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›