E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ktheu shtëpinë në bazë për prodhimin e vajit të kanabisit, arrestohet i riu në Sarandë. Çfarë i gjeti policia gjatë kontrolleve

 Një 35-vjeçar është arrestuar këtë të diel, pasi kishte përshtatur banesën e tij në bazë për të prodhuar vaj kanabisi.

I riu është kapur nga Policia teksa po lëvizte me makinë në aksin Delvinë-Sarandë me qëllim shitjen e vajit të kanabisit.

Gjatë ushtrimit të kontrollit, 35-vjeçarit  iu gjetën 3.5 litër vaji kanabisi. Gjithashtu, sipas njoftimit zyrtar, Policia i ka gjetur edhe një kallash, thikë, fishekë dhe kanabis në formë çokollate.

Njoftimi: 

Komisariati i Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas po transportonte lëndë narkotike në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, me qëllim shitjen e saj në qytetin e Sarandës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Haze”.

Si rezultat i të cilit, u lokalizua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 35 vjeç, banues në Delvinë.

Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3.5 litër vaj kanabisi, 1 armë zjarri kallashnikov, një armë të ftohtë thikë, 3 krehëra, një sasi municioni luftarak, dhe një sasi kanabis sativa në formë çokollate.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›