Kthim në vendin e shqiponjave
Në nëntor të vitit 1993, katër dekada pasi ishte larguar nga Shqipëria ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë, ai kthehej së bashku me dajën e vet, Xhakomo Pozeli(Giacomo Poselli), ish-portierin e shquar të skuadrës së Flamurtarit dhe të përfaqësueses shqiptare, fituese e Ballkaniadës së vitit 1946. Tashmë pothuajse 50 vjeçar, Aldo Renato Terrusi vinte në vendin e tij të lindjes në kërkim të eshtrave të babait të tij, drejtues i disa bankave në Shqipëri në vitet 30-40, që kishte vdekur në burgun famëkeq të Burrelit, pasi ishte dënuar nga diktatura komuniste.
Këtu do të nisë edhe ajo histori interesante, që do të pasqyrohej vite më vonë në librin e Terrusit, Kthim në vendin e shqiponjave, në variantin italisht Ritorno al Paese delle Aquile. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ai vendos të kthehet të kërkojë origjinën e familje së tij, të kërkojë eshtrat e babait të tij, të shikojë vendin ku kishte lindur dhe kishte kaluar disa vjet të fëmijërisë. Mbërrin në Shqipëri me dajën. Takojnë së bashku, njerëz që i kishin njohur dhe kishin mbetur gjallë. Takojnë ish-lojtarë të shquar të Shqipërisë, si Xhavit Demnerin, Spahiun, Llambin, Boriçin, me të cilët Pozeli kishte luajtur dhe fituar trofe. Takojnë bashkëvuajtës të babait nga Vlora, Engjëll Kokoshin e Petrit Velajn, i cili kishte varrosur edhe trupin pa jetë të bankierit të shquar italian, pranë një qershie, diku në skaj të burgut famëkeq.
Shëtitën në të gjithë vendin, shkuan edhe në Burrel, erdhën edhe në Vlorë. Kështu, Terrusi rikthehet tek vetvetja, tek lidhjet e tij shpirtërore me vendin që e lindi dhe që e deshi, tek ata njerëz që e ndihmuan atë dhe familjen e tij, por edhe bashkatdhetarët e tij, që u rrezikuan të asgjësoheshin nga nazistët gjermanë pas kapitullimit të Italisë. Mbresat dhe personazhet janë të shumta. Kështu, në përpjekje për të kryer një mision personal, Terrusi në fakt realizon një gjë tjetër, shumë më të gjerë se kaq. Ai realizon një himn për ata që u martirizuan, ndërton një urë tjetër komunikimi dhe respekti mes popujve, hedh dritë mbi një prej kapitujve më të errët të një prej diktaturave më të egra në Evropë. Prandaj dhe ai vendos të shkruajë një libër, ku përcillen mesazhe të shumta. Lufta mes djajve dhe engjëjve, mes të keqes dhe të mirës, ku fiton kjo e dyta, ndërkohë që liria si një e drejtë universale e popujve, mbetet një pikë reference në historinë e njerëzimit.
Ky libër, që është botuar në italisht dhe që së shpejti do të realizohet edhe në shqip, u prezantua sot në mjediset e bibliotekës së Universitetit Ismail Qemali të Vlorës, në një aktivitet të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Konsulli Sergio Strozzi, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Institutin e Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Autori përcolli mbresat e tij për të pranishmit, gjithçka që ai ka fiksuar në këtë libër të tij, historinë e tij personale kur ai ishte vetëm një fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i mbylli të atin në burgun famëkeq të Burrelit, ku vdiq pa mundur ti japë lamtumirën e fundit të birit dhe te shoqes.
Në këtë takim, folën dhe përcollën mbresat e tyre, akademik Kolec Topalli, President i Këshillit Administrativ të Institutit të Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, dr. Pjeter Pepa, Gëzim Peshkëpia, Çelo Hoxha.
Ndërkohë, ish futbollisti i shquar Mexhit Haxhiu, solli kujtime për ish portierin e shquar të kombëtares, Xhakomo Pozeli. Prof. Spiro Caushi, familja e të cilit, ka qenë komshie me familjen Terrusi në Vlorë, solli kujtime nga fëmijëria e tij me bashkëmoshatarin Aldo Terrusi dhe dajën e tij.
Nuk duhet harruar e keqja, sepse në të kundërt nuk mund të ndërtohet e tashmja dhe e ardhmja, ishte një nga mesazhet e këtij takimi.
Anila Peçi