Kthim prapa
Një "badante" (kujdestare) shqiptare në shtëpinë e një të moshuari italian, po bënte "bujë" në gjithë lagjen e bukur në zemër të Romës. Ish-mësuesja e letërsisë në Tiranë, në ndihmë të dy fëmijëve emigrantë në Itali, vendosi të punësohej e të ndihmonte në pazarin e punët e përditshme, profesorin italian në pension. Gruaja shqiptare, por dhe dy fëmijët e saj, e habitën të moshuarin punëdhënës me erudicionin dhe njohurinë që kishin për gjuhën, letërsinë italiane, por dhe autorë të huaj. Në bisedat familjare, shqiptarët - kur pyeteshin, - ua kalonin nipërve e mbesave me shkollë të lartë italianë, të profesorit të njohur. Dhe të tjerë shqiptarë në emigracion shpesh kanë dhënë prova se kanë një bagazh dinjitoz kulturor, mbi mesataren e përgjithshme, sidomos në vende si Greqia, Italia, Spanja. Edhe sot, në shkollat e huaja, fëmijët e këtyre emigrantëve, shpesh janë me rezultate brilante dhe shumë ambiciozë. A po e ruajmë këtë të mirë, të të keqes diktaturë, ne shqiptarët e sotëm? Shumë mund të dëshmojnë në Tiranë, por dhe në rrethe, një rënie drastike në periudhën e tranzicionit, të cilësisë së mësimdhënies, por dhe të logjistikës e strategjive që ofrohen për të ruajtur një ritëm të mirë të edukimit dhe ky neglizhim shpejt do të kthehet kundër nesh. Përkundër nismave si në teknologji, investime e inkurajim të marrjes së dijes dhe të shkencave të vendeve të tjera të Lindjes, politikëbërja jonë po bën hapa prapa, aq prapa, saqë premtimet e ish-partizanëve që dolën nga Lufta e Dytë Botërore sot tingëllojnë më moderne. Gjendja sot për ne është bërë aq qesharake, sa të dëgjojmë në mbledhje rutinë qeverie kryeministrin Berisha të kritikojë se tekstet shkollore janë me gabime trashanike dhe se janë "harruar" t'u serviren nxënesve autorë si Poradeci, Noli... Me të drejtë në shtyp janë ngritur probleme shumë shqetësuese si në punët e arsimit ashtu dhe në çështje edhe më të thella si për shembull mungesa e elitës, e cila ka humbur misionin e saj e është kthyer edhe ajo në kërkim të "thesarit", për ta thënë më me elegancë babëzinë e të gjithëve për para që vijnë nga kushdo, kudo. Por çfarë do të vijë dhe pas kësaj? Alibia e tranzicionit shpejt nuk do të qëndrojë më dhe shpresat, vetëm tek ata që sot po studiojnë jashtë Shqipërisë, nuk mund të mbahen.
(Balkanweb)
(Balkanweb)