Kthimi i Muzeut të Shkencave tek pronarët , një vendim që nuk pëlqehet nga bota akademike
Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë përbën një simbol kombëtar dhe funksionon si një objekt i rrallë për të gjithë të apasionuarit pas natyrës dhe për të huajt që vizitojnë Shqipërinë. Ndaj, dhe vendimi më i fundit i Gjykatës së Lartë që godina e Muzeut të Shkencave të Natyrës t’u kthehet ish- pronarëve, vlerësohet nga përfaqësues të botës akademike si një humbje për kulturën shqiptare dhe shkencën biologjisë.
Flet përgjegjësi i Muzeut
“Gjykata po i kthen pronarëve një objekt për të cilin shteti ka kontribuar ndër vite”, gjykon përgjegjësi i Muzeut të Shkencave të Natyrës, Ferdinand Bego, duke vënë në dukje se kontributi i shtetit nuk është marrë në konsideratë aq sa duhet nga ana e gjykatës. Sipas tij, vendimi më i mirë do të ishte që “ne të ishim bashkëpronar me pronarët”. Kjo, shpjegon ai, pasi shteti ka kontribuar në godinën ekzistuese me më shumë se 2/3 shtesa, që janë dy krahët anësorë, dhe njëkohësisht pjesa dykatëshe nga mbrapa. Për më tepër, vijoi Bego, objekti ka ndryshuar më shumë se 60%, si pasojë pronarët duhet të ishin kompensuar për pjesën që ata humbasin. Për përgjegjësin Bego, në muze është një fond mësimor i pazëvendësueshëm.“Nëse do të ekzekutohet vendim i Gjykatës së Lartë, do të mungojnë laboratorët, ku studentët kanë zhvilluar dhe duhet të zhvillojnë praktikat e tyre profesionale”, shton ai, ndërsa shton se për këtë arsye ky muze ka qenë pjesë e universitetit për më shumë se 40 vjet. Madje vetë muzeu është më i vjetër se Universiteti i Tiranës, pasi ai u krijua në 1947.
Tafaj: Muzeu zine një vend të posaçëm në planin e qeverisë
Këshilltari për Arsimin i Kryeministrit, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, në një prononcim tha se “vendimi i marrë është i papëlqyer për botën akademike, edhe pse çështjet e pronësisë janë çështje pronësie”. Muzeu i Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, pohon z.Tafaj zinte një vend të posaçëm në planin e qeverisë. “Vetëm për rikontruksionin e muzeut, qeveria kishte planifikuar një fond të konsiderueshmë prej 300 mijë dollarësh”, tha ai, duke theksuar se ky muze është vlerësuar si objekt i një rëndësie të veçantë dhe ka shërbyer për zhvillimin e orëve mësimore të studentëve të Fakultetit të Shkencave.
Çështja e pronësisë
Tetë vjet më parë, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP) i ktheu truallin dhe godinën dykatëshe familjes Zagolli. Pas këtij vendimi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës ngritën një kundër padi, ku kundërshtonin këtë vendim si të padrejtë dhe të pambështetur në ligj, duke argumentuar se pronarët ishin kompensuar nga shteti me një dekret të vitit 1940, me vlerën përkatëse të truallit në atë kohë. Sipas ligjit pronat publike nuk u kthehen pronarëve, por vetëm u kompensohen. Ndërkaq në vitin 2005, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi anullimin e vendimit të KKKP-së, por duke u bazuar në parregullsi administrative, duke mos cilësuar vlerën e muzeut. Një vit më pas, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi, me 2 seanca, për kthim e muzeut tek ish-pronarët. Në vitin 2007, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kërkoi Gjykatës së Lartë të pranojë ankesën e saj kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, (nr.1358, datë 26.12.2006), që kishte vendosur kthimin e Muzeut të Fakultetit të Shkencave të Natyrës tek familja Zagolli. Por pak ditë më pare, Gjykata e Lartë vendosi që godian e tij t’u kthehet ish-pronareve.
Muzeu i Shkencave të Natyrës një histori gati shekullore
I krijuar në 1947, ky muze është sot më shumë se 60 vjeçar. Por fillesat e tij janë edhe më të hershme. Po t’i referohemi objekteve që janë sot aty, të ardhura nga Muzeu Franceskan i Shkodrës, do të thotë se muzeu daton para vetë shtetit shqiptar, pra është krijuar që në fillesat e shekullit të kaluar. Prej vitesh, ky muze jo vetëm studion faunën dhe florën, por është i vetmi institucion që realizon mësime praktike për mijëra nxënës të të gjitha cikleve shkollorë dhe studentë të Shkencave të Natyrës në Shqipëri. Në fondin e tij llogariten 10 mijë specie, 100 mijë ekzemplar dhe të paktën 30 mijë mijë objekte të florës dhe faunës, pjesa më e madhe e të cilave e ekspozuar në 9 salla të mëdha dhe një pjesë qëndron e mbyllur hermetikisht në 4 auditore për kërkime shkencore. Ndër to ka bimë të rralla medicinale, mjaltore, të gjitha llojet e drurëve dhe shkurreve që rriten në Shqipëri si dhe një faunë që përfaqësohet nga të gjitha grupet shtazore të shikueshme (të tjerat janë njëqelizore që nuk mund të shihen lehtësisht). Ndër to gjenden sfungjerë, koralë, molusqe, krustacë, insekte, peshq, amfibë, reptilë, shpendë e gjitarë. Ky muze është i vetmi në Shqipëri, ndërsa ai bart brenda objekteve të rralla dhe një histori të veçantë... Në vitin 1965, një grup balenash oqeanike u futën në ujërat e Mesdheut. Gjashtë balenat, pasi kaluan në afërsi të brigjeve detare italiane, u drejtuan drejt brigjeve shqiptare. Rasti i rrallë i shqetësoi autoritetet italiane, të cilat qëlluan me raketa militare drejt tyre, duke plagosur një prej balenave. Jo vetëm ajo e plagosura, por të 6-të balenat, u drejtuan në afërsi të Gjirit të Patokut në bregdetin Adriatik.
Fatkeqësisht disa ushtarë shqiptarë qëlluan drejt tyre duke i vrarë. Pas kësaj, një grup studiuesish nga Muzeu i Shkencave të Natyrës, morën njërën prej tyre. Specialistët punuan për 2 muaj rresht për ta rrjepur, dhe 4 muaj të tjerë për të rindërtuar skeletin gjigand. Përveç këtij skeleti, në fondin e MSHN-së bën pjesë edhe një fokë e rrallë e Mesdheut, një specie që nuk rritet më në ujërat shqiptare dhe konsiderohet e zhdukur.
...