MSH dhe Sant’Edigo nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e du shtëpive për të sëmurët mendorë në QSUT

Trajtimeve bashkëkohore për rehabilitimin psiko-shoqëror të të sëmurëve mendorë pritet t'u shtohen, për herë të parë në Shqipëri, dy shtëpi të specializuara, që do të funksionojnë pranë QSUT-së, sipas një projekti të Komunitetit italian Sant’Edigio. Në ministrinë e Shendetësisë u firmos sot marrëveshja me këtë Komunitet për ndërtimin dhe menaxhimin e një godine banimi, sipas modelit të shtëpisë së mbështetur për pranimin dhe riaftësimin e personave me probleme mendore. Një model i ri në sistemin shëndetësor kombëtar, që synon një frymë tjetër mjekimi dhe përkujdesjeje për të sëmurët me probleme mendore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes se "ky projekt integrohet shumë mirë me reformimin e shëndetit mendor në Shqipëri".
Në projektin e financuar nga Kooperazioni Italian, janë përfshirë konferencat episkopale italiane dhe rrjeti i donatorëve të Komunitetit Sant’Edigio. Vlera e projektit është rreth 1 milion euro. Pas ndërtimit, godina do të kalojë në pronësi të palës shqiptare dhe do të menaxhohet bashkarisht për 20 vjet. Dy shtëpitë e mbrojtura do të presin 16 persona, që aktualisht jetojnë në repartin e pacientëve kronikë në shërbimin universitar të Pikiatrisë në Tiranë, me të cilët komuniteti Sant ‘Edigio është i familjarizuar prej 15 vitesh.
Ndërtesa do të ndërtohen në një terren, dhënë Komunitetit Sant’Edigio me Vendim të Këshillit të Ministrave, që ndodhet në zonën e QSUT-së. Projekti parashikohet të përfundojë brenda dy viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes. Projekti integrohet në reformën e shëndetit mendor në Shqipëri, që parashikon decentralizimin territorial të shërbimeve të shëndeti mendor ndaj të sëmurëve dhe familjeve të tyre, ridimensionimin e spitaleve psikiatrike, strehimin e personave të deinstitucionalizuar në struktura rezidenciale alternative. Projekti ndikon drejtëpërdrejt në këtë reformë dhe njëkohësisht ndihmon Shqipërinë të përqaset me standardet europiane në drejtim të kujdestarisë dhe përkujdesjes së shëndetit mendor.
Në kuadër të këtij projekti, do të trajnohet personeli që do të punojë në këto dy shtëpi, me synim, krijimin e një figure profesionale të sistemit shtëpiak të rehabilititmit psiko-shoqëror. Projekti synon të fusë në shoqërinë shqiptare një kulturë të re drejt integrimit të të sëmurëve psikikë, që do të realizohet nëpërmes sensibilizmit dhe fushatave të informimit, që do të realizohen nga komuniteti Sant’Edigio, etj.
...