Saranda gjithnjë e më e njohur në mbarë botën për turizimin që ofron

Intervistë me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka
Në prag të sesonit turistik, gjatë të cilit qyteti i Sarandës në jug të vendit pritet të vizitohet nga rreth 300 mijë turistë vendas dhe të huaj, kryetari i bashkisë, Edmond Gjoka siguron në një intervistë se "këtë vit kushtet për pushuesit janë përmirësuar ndjeshëm". Ai përmend rikostruksionin e rrugës hyrëse, furnizimin e vazhdueshëm me ujë të pijshëm, internetin në dhomat e hoteleve. "Përmirësimi i kushteve në vijmësi ka zgjeruar emrin e Sarandës në hartat turistike", thotë kryebashkiaku Gjoka.
Gjatë këtyre muajve keni ndërmarrë një sërë projektesh që lidhen drejtpërdrejt me kushtet e pushimit për turistët. Cilat do të veçoni për këtë sezon të ri turistik?
Objektivi ynë ka qenë përmirësimi në furnizimin me ujë të pijshëm, sistemimi i kanaleve të ujërave të zeza dhe probleme të tjera që lidhen me infrastrukturën. Rruga e hyrjes, që është më kryesore jo vetëm për këtë sezon, por dhe në vijim për turizmin e Sarandës, është planifikuar të përfundojë në fund të qershorit. Punimet ecin mirë, ndërkohë që edhe investimet në rrugët e tjera janë po ashtu brenda afateve të përcaktuara. Këto e të tjera investime përsosin Sarandën si një zonë turistike. Qyteti e ka ka tejkaluar pjesën më të madhe të problemeve. Ne jemi në një start të ri që tregon rritje cilësore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
Cilat janë marrëdhëniet mes biznesit privat dhe bashkisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik?
Ndërsa biznesi privat ka rritur cilësinë e sherbimit, bashkia është përqëndruar për pastrimin, gjelbërimin e qytetit dhe sistemimin e ndriçimit të tij. Sigurisht, biznesi privat është gjithmonë më i shpejtë, por bashkia është përpjekur për bashkërendim të punës me biznesin.
Cili mendoni se është pozicioni që zë Saranda në turizmin shqiptar?
Është e dukshme se biznesi sarandiot është rritur profesionalish për sa i përket turizmit. Në Sarandë gjen hotele dhe restorante nga më komodët, që konkurrojnë jo vetëm brenda vendit, por dhe në rajon. Në këtë vështrim, qyteti ka vendin e vet në hierarkinë e turizmit dhe jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon. Ndërkaq, Saranda ofron pushime për çdo shtresë të shoqërisë, sepse këtu mund të kalosh këndshëm, edhe në se ke të ardhura të pakta.
Sezoni i ri turistik do të çelet në 2 Maj, me një sërë aktivitetesh...
Si çdo vit, do të jetë një festë e vërtetë. E veçantë në këtë ceremoni është se pritet të marrin pjesë personalitete të politikës dhe biznesit nga vendi, rajoni dhe Europa. Kjo tregon që Saranda po tërheq vemendjen jo vetëm të pushuesve, por edhe biznesit, ç'ka ndikon në rritjen e emrit në hartat e turizmit.
...