Kthimi i alegrisë
Të paktën 17 grupe nga vendi dhe afro 200 shtetas të huaj do të marrin pjesë në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, që do të zhvillohet në datën 22 qershor në qytetin e Korçës, i njohur për traditën e tij në festimin e karnavaleve.
Në këtë festival, sipas parashikimeve, do të marrin pjesë 13 grupe nga Korça, katër grupe nga Tirana, Shkodra, Kavaja, Berati, si dhe afro 200 shtetas të huaj që do të vijnë në këtë qytet nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj.
Festivali i parë Ndërkombëtar i Karnavaleve që nisi një natë më parë në qytetin juglindor të Korçës konsiderohet si rikthim në një nga traditat e qytetarisë korçare.
“Karnavalet” organizohen nga Bashkia e Korçës, e cila synon të risjellë vlerat kulturore të këtij qyteti, por edhe nxisë zhvillimin turistik të këtij rajoni, me veprimtari kulturore dhe argëtuese të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si regjisor i Festivalit të Karnavaleve është caktuar Naum Tërova, me përvojë në organizimin e kësaj veprimtarie në vitet 1994-1996, kur në qytetin e Korçës rinisën karnavalet pas më shumë se 40 vite ndërprerjeje.
Çfarë synon të sjellë ky Festival i parë Ndërkombëtar i Karnavaleve në Korçë?
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve synon së pari të rikthejë një traditë qytetare korçare të viteve '30-të. Ne kemi materiale e fotografi të asaj kohe, që tregojnë si organizohej festa e karnavaleve në qytet. Grupet e gëzueshme të fëmijëve, me maska dhe veshje të ndryshuara nga djemtë dhe vajzat, zhvillonin paradë në qytet dhe argëtonin nëpër shtëpitë e banorëve të Korçës. Pra , festivali ka si qëllim që të rikthejë një traditë të vjetër të kulturës korçare, e nëpërmjet saj të bëjë të njohur qytetin e Korçës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë për potencialet dhe mundësitë e tij në aspektin turistik.
Festivale karnavalesh janë organizuar edhe në vitet 1994-1995-1996, por jo në këto përmasa të Festivalit Ndërkombëtar të sivjetshëm. Në këtë kuadër, nga cilat vende do të jenë grupet pjesëmarrëse?
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve këtë vit është menduar të organizohet jo vetëm me grupet e ndryshme karnavaleske nga qyteti i Korçës, por edhe nga qytete të tjera të vendit si nga Tirana, Shkodra, Kavaja, Berati etj. Nga vende të tjera do të vijnë grupe karnavalesh të Italisë, Malit të Zi, nga Prilepi i Maqedonisë, që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por priten edhe grupe të tjera. Çdo qytet apo grup karnavalesh nga vendet e tjera do të ketë shfaqje me fabulën e vet, kostumet, maskat dhe koloritet e ngjyrave që ka zgjedhur për këtë përfaqësim. Për shembull, grupi i karnavaleve të fshatit Polenë, që ruan tiparet e karnavaleve primitive me arapin e zi me zile, gamiljen etj., mendoj se do të jetë i veçantë në këtë festival. Të mos harrojmë se edhe në qytetin e Korçës, nga i cili do të ketë 13 grupe të ndryshme karnavalesh, kanë hyrë elementë të rinj karnavalesh nga kontaktet dhe shkëmbimet që kemi pasur në Rusi, në festivalin e Kaliningradit. Edhe pse është rikthim në traditë, festivali i karnavaleve do të pasurohet me elementë të rinj të kohës. Dekoret e karnavaleve, maskat dhe flamujt, janë përgatitur disi ndryshe për këtë festival, sipas ideve të artistëve korçarë.
Si janë përgatitjet e këtij Festivali Ndërkombëtar të Karnavaleve dhe a do të gjallërohet më tej kjo traditë e kulturës korçare?
Për një përfaqësim dinjitoz dhe të nivelit të përmasave ndërkombëtare që ka festivali i karnavaleve, po kryhen përgatitje të shumta si për veshjet, maskat, dekorin në qytet dhe provat me grupet karnavaleske. Prej disa ditësh, në ambientet e qendrës kulturore " Vangjush Mio" po përgatiten figurat bufatorike, që do të jenë pjesë e paradës së karnavaleve, veshjet e larmishme të personazheve të karnavaleve dhe me nxënësit e shkollave të qytetit po punohet që të shfaqin sa më mirë fabulat e tyre gjatë parakalimit në bulevardin e qytetit. Parashikojmë një Festival të suksesshëm Ndërkombëtar të Karnavaleve në qytetin e Korçës, jo vetëm për të rizgjuar një traditë kulturore të viteve '30-të të qytetit tonë, por edhe për ta vazhduar këtë traditë si një Festival Ndërkombëtar të Karnavaleve, pavarësisht se në vitet që po kalojmë ka edhe aktivitete apo mundësi bashkëkohore të argëtimit të njerëzve.
Për herë të parë Karnavalet
Të paktën 17 grupe nga vendi dhe afro 200 shtetas të huaj do të marrin pjesë në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, që do të zhvillohet në datën 22 qershor në qytetin e Korçës, i njohur për traditën e tij në festimin e karnavaleve. Në këtë festival, sipas parashikimeve do të marrin pjesë 13 grupe nga Korça, katër grupe nga Tirana, Shkodra, Kavaja, Berati, si dhe afro 200 shtetas të huaj që do të vijnë në këtë qytet nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj. Ndër grupet që do të përfaqësojnë rrethin e Korçës spikasin grupi i njohur i karnavaleve të fshatit Polenë, grupe nga teatri "Andon Zako Çajupi", Qendra Kulturore e Fëmijëve "Mihal Grameno", si dhe grupe të shkollave të qytetit. Përgjegjësja për projektet social -kulturore në Bashkinë e Korçës, Aida Shkodrani tha se "ky është i pari Festival Ndërkombëtar i Karnavaleve që organizohet në vendin tonë dhe që do të zhvillohet çdo vit në qytetin e Korçës në prag të çeljes së sezonit turistik”.
"Përgatitjet për këtë aktivitet kanë filluar si në qendrën kulturore "Vangjush Mio" me punimin e figurave butaforike, kostumet që do të veshin personazhet e karnavaleve, flamujt që ata do të mbajnë në paradë, si dhe në sheshin para katedrales së qytetit, ku po vendoset harku metalik i çeljes së kësaj feste gazmore.
Parada e karnavaleve do të nisë të shtunën, me ceremoninë e saj në sheshin para katedrales së qytetit dhe do të vazhdojë përgjatë njërit prej bulevardeve kryesore të Korçës për të përfunduar me takimin e të gjitha grupeve pjesëmarrëse në Pallatin e Sportit. Bashkia e Korçës, nëpërmjet aktiviteteve ndërkombëtare që organizon si simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës, që do të zhvillohet në fund të muajit qershor, festës së karnavaleve, konkursit ndërkombëtar të pikturës "Vangjush Mio", por edhe veprimtari të tjera kulturore dhe sportive gjatë gjithë vitit, synon të nxisë zhvillimin turistik të qytetit tradicional të shtrirë në juglindje të vendit.