E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǒështë fqinji?

Katrahura etnike dhe fetare, të qenit gjithnjë nën gjykimin se është “fuçi baroti”, e kanë shtyrë gazetarin dhe shkrimtarin suedez, i njohur për çështjet e Ballkanit, Rixhard Swartz, të ndërtojë disa pyetje për shkrimtaret dhe shkrimtarët e rajonit. Nga vjen gjithë ky mosbesim ndaj fqinjëve? Nga buron kjo prirje për të parë tek ata më fort armikun sesa mikun? ǒe shkakton kthimin e spastrimit etnik në një ëndërr, në një program? Por, pyetjet nuk kanë marrë përgjigjen e drejtpërdrejt, por ashtu si bëjnë shkrimtarët, ata kanë rrëfyer diçka; pra kanë bërë nga një tregim. Janë 22 autorë e autore, që Swartz i ka futur në një libër: “Antologjia e Evropës Juglindore” me prognozën ballkanike “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë”, duke iu përgjigjur pyetjes:

Ata që janë ndryshe, dhe i kemi pranë

Natën e 11 nëntorit 1714, pas një kalërimi prej katërmbëdhjetë ditësh, Karli XII arriti me kalë, i shfytyruar dhe me mjekrën, që e kishte lënë t’i rritej, në qytetin e Shtralzundit. ǒtë ishte kjo, një ikje apo një kthim në atdhe? Mbreti i Suedisë ndodhet përsëri në truall suedez, pas një qëndrimi prej shumë vjetësh në Turqi, së fundmi si mik i sulltanit në afërsi të Adrianopolit. Si mik apo si i burgosur? E vërteta është që një miqësi e tillë nuk kishte për të ekzistuar, sikur të dy ata të mos kishin një armik të përbashkët: Pjetrin e Madh të Rusisë.

Kjo miqësi nuk do të kishte lënë kështu gjurmë as në historinë e Turqisë as në atë të Suedisë, sikur ne të kishim hequr dorë nga një gatesë, të cilën mbreti i Suedisë kishte mësuar ta shijonte, kur ndodhej në Turqi, dhe recetën e së cilës e kishte marrë me vete në Suedi. Atë e shijuan edhe nënshtetasit e tij. Ajo që gjen rrugën për në gojë, ka premisa dukshëm më të mira për t’u ruajtur se diçka prej bronzi a mermeri, që thjesht mbështetet mbi një piedestal. Në këtë rast fjala është për diçka, për të cilën ne çuditërisht duhet t’i jemi mirënjohës një koke të kurorëzuar.

Dollmatë – në suedisht kaldolmar (nga hungarishtja dolmany, në të vërtetë term për një veshje të sipërme të shkurtër, mjaft të stolisur, siç veshin husarët, ndërkohë që duhet të ketë qenë fjala për një huazim të hungarishtes, e cila e ka zanafillën te fjala turke dolama) – u bënë që nga ajo kohë pjesë e kuzhinës shtëpiake suedeze: një gatesë e ngrohtë, e përgatitur me mish të grirë, oriz dhe erëza mbështjellë me gjethe të ziera lakre të bardhë. Kur isha fëmijë – dhe jo se unë përbëja një përjashtim nga fëmijët e tjerë suedezë – nuk e kisha provuar ndonjëherë. Dollmatë mbaheshin si gatesë tipike për burra të moshuar dhe të vetmuar dhe njëlloj si kushërirën e tyre vjeneze lakërarmenë, mjaft të ëmbla.

Që kjo është kështu nuk kisha për ta zbuluar ndoshta kurrë, sikur në Hungari të mos kisha parë një gatesë (parimisht) të njëjtë. Atje prejardhja e saj turke mohohej me një këmbëngulje të tillë, që mua më dukej e dyshimtë, megjithatë këto dollma hungareze kishin një shije më të mirë, pasi nuk ishin aq të ëmbla sa dollmatë e mia suedeze. Ta sillte këtë ndryshim speci djegës? Apo lakra? Dikush më pat thënë që kjo vinte nga masa e duhur e athtësisë. Miq të mi nga Ballkani ose nga Evropa Qendrore – sidomos nga ajo pjesë e Evropës Qendrore, që dikur duhej të mbrohej nga turqit – i kam dëgjuar shpesh të ankohen se në Berlin ose Stokholm nuk zgjedhin pikërisht lakrën që duhet për të përgatitur këtë gatesë. Kjo mund të jetë e saktë. Asokohe unë mezi isha mësuar ta quaja atë sarma, me po atë emër, me të cilin njihej edhe në një pjesë të madhe të Ballkanit.

Isha gjithnjë e më i bindur se ajo puna e rëndësisë së veçantë të lakrës ishte e saktë, por në të njëjtën kohë mendoja, dhe kjo ishte gjithashtu diçka e njohur, se turqit dhe askush tjetër kishin qenë të parët që e kishin përgatitur atë lloj gatese.

Por nuk shkoi shumë dhe në Bosnjë lakra do t’ia linte vendin për nga rëndësia një salce të thartë, e cila ishte aq të trashë, sa nuk kullonte nga luga. Pa të, më thoshin me bindje, ishte krejtësisht e pamundur të përgatitej një sarma e shijshme. Kështu, pra, e fshehta na qenkësh salca e kosit. Për një kohë mjaft të gjatë unë iu përmbajta salcës së kosit dhe vetëm më pas – në Serbi a në Shqipëri, nuk e mbaj mend saktë se ku pikërisht – mësova se si duhej përgatitur harxhi me mish të grirë: dy pjesë me mish të grirë derri dhe një pjesë me mish viçi ishin, me sa thuhej, e vetmja recetë e saktë, e cila megjithatë duhej të kishte dalë më parë si rezultat i ndryshimeve kulturore sesa i atyre të gatimit, dhe gjithsesi në një kohë, kur dollmatë tona tanimë ishin njohur si gatesë. Mishi i derrit as që përdorej në një pjesë të madhe të Bosnjës, po kështu ndoshta te romët dhe turqit në Bullgari si dhe te shqiptarët myslimanë. Unë hoqa shpejt dorë nga çdo debat rreth llojit të mishit dhe iu përmbajta cilësisë së lakrës. Ndaj salcës së kosit pata pak ose asfare kundërshtim. Nga ana tjetër vjehrra ime kroate, e cila është një katolike e flaktë dhe është rritur në ishullin Kërk, nuk pranon të përdorë qoftë edhe fare pak salcën e kosit në sarmën e saj. E bën këtë për t’iu larguar recetave më pak cilësore të myslimanëve dhe ortodoksëve apo për shkak të një natyre kursimtare që shkon deri në koprraci dhe nga e cila dallohen shumë njerëz të ishujve, këtë nuk e thotë. Por as unë nuk kam ndër mend ta pyes.

E kështu prej vitesh unë shijoj, sidomos në këtë trevë të Evropës lloje të ndryshme, krejt të kundërta mes tyre, por tërësisht të shkëlqyera të asaj gatese, që në thelb është e njëjta gjë, ndonëse këtë askush nuk ka dëshirë ta pohojë. Dhe e vetmja pikë, në të cilën bashkohen të gjithë gjellëbërësit, është bindja e thellë, herë-herë edhe agresive, se përveç recetës së tyre të përgatitjes së sarmës, të gjitha të tjerat janë në të vërtetë të pasakta dhe ndaj duhen hedhur poshtë.

Ajo që është e përbashkët – pothuaj identike – mund të ndahet fare lehtë, kur e lejojnë rrethanat. Kjo nuk është diçka e re, por përtej botës së gatimit dhe të recetave përkatëse, ajo ka shpesh pasoja shkatërrimtare. Pikërisht ky këndvështrim qëndron në themel të kësaj përzgjedhjeje. Për më tepër duket se ai gjen mbështetje te përfytyrimi që mjedisi rrethues ka për Evropën Juglindore dhe që e ka treguar se çuditërisht ka mbetur i pandryshuar në rrjedhën e kohës. Dhe ndërkohë ky mjedis vazhdon të ngulë këmbë me kokëfortësi në atë që e pandeh si të vërtetë: që ky rajon është ai më i fundit në Evropë, që ai është i mbushur me urrejtje dhe dhunë, që është fuçia e barutit e kontinentit tonë dhe që sipas Bismarkut nuk vlen as sa eshtrat e një granatieri të vetëm të Pomeranisë, një katrahurë etnike, fetare dhe gjuhësore, veç jo një shkritore. Për një gjerman a një suedez kjo botë mund të duket si diçka e huaj, bile edhe e frikshme. Nga vjen gjithë ky mosbesim ndaj fqinjëve? Nga buron kjo prirje për të parë tek ata më fort armikun sesa mikun? ǒe shkakton kthimin e spastrimit etnik në një ëndërr, në një program?

Për këtë përzgjedhje këto pyetje iu shtruan të interesuarve të drejtpërdrejtë, në këtë rast njëzet e një prozatoreve dhe prozatorëve. Dhe kjo pavarësisht se pas dhjetëvjeçarësh të kaluar në këtë pjesë të Evropës unë jam tanimë i qartë se të tilla pyetje mbështeten në keqkuptimet, teprimet dhe paragjykimet jo më pak sesa në paditurinë ose, gjë që është edhe më keq, në mospërfilljen. Fjalët e njërit ose tjetrit për këtë arsye mund të merren si një provokim.

Por, pyetjet më të mira shpesh janë ato më të thjeshtat, janë ato, që duken aq të vetëkuptueshme dhe të pafajshme, sa ne pikërisht për këtë arsye heqim dorë nga të shtruarit e tyre. Askush nuk ka dëshirë të duket si i paditur a i padjallëzuar. Unë në mënyrë të vetëdijshme i kam dalë ballas një rreziku të tillë. Dhe nuk më vjen keq për këtë, ashtu si nuk besoj se duhet të kërkoj të falur.

Fare tjetër gjë është nëse për të tilla pyetje të mira ka edhe përgjigje të mira, për të mos thënë në ka ndonjë përgjigje. Autore dhe autorë të mirë parapëlqejnë më fort të shtrojnë ata vetë pyetje, sesa të japin përgjigje. Për këtë arsye unë as që kam pritur që ata, të cilëve u jam drejtuar, do të uleshin si nxënës të zellshëm dhe do t’u përgjigjeshin pyetjeve të mia, aq më pak kam dashur, sikurse ndodh në përgjithësi, t’u thosha shkrimtareve dhe shkrimtarëve se për çfarë duhet të shkruajnë. Ata gjithsesi shkruajnë për atë që duan të shkruajnë, së paku ata që kanë talent (dhe këtu ne kemi të bëjmë pikërisht me të tillë).

Ndaj edhe ata të gjithë janë përgjigjur ashtu si bëjnë shkrimtarët, duke rrëfyer diçka: pra, me ndonjë tregim. Ndërkaq ata i kanë rishkruar, përmirësuar ose flakur tej pyetjet fillestare, dhe në këtë rishikim aty-këtu mund të vihen re përvijimet e diçkaje që mund të duket si një farë përgjigjeje.

Me përjashtime fare të vogla këtu ne ndodhemi në shoqërinë e atyre autoreve dhe autorëve, të cilët unë kisha dashur që në fillim t’i kisha në këtë përzgjedhje. Ndokush mund të pyesë: Përse nuk ka asnjë nga Rumania? Ose nga Greqia? Të ishte për mua, mund të ishin përfshirë edhe një duzinë tjetër shkrimtarësh, mirëpo një libër duhet të ketë jo vetëm fillim, por edhe mbarim. Pra, diku duhej të hiqej një vijë kufizuese dhe Jugosllavia e dikurshme, Bullgaria dhe Shqipëria (e cila kaq shpesh lihet pas dore) m’u dukën nga shumë pikëpamje si një kufi i arsyeshëm dhe kuptimplotë, ndonëse fjalën “kufi” në të vërtetë do të kisha dashur ta shmang. Sikur këtë detyrë ta kisha parë me sytë e një doganieri a të një gjeometri, atëherë përzgjedhja do të kishte një pamje fare tjetër. Por së paku këtë radhë fjala është vetëm për letërsi dhe asgjë tjetër.

Ndaj edhe nuk ishte e vështirë t’u shmangesha tundimeve për të ndërmarrë një mision politik. Qëllimi i kësaj përzgjedhjeje nga pikëpamja ime është thjesht letrar. Këtu parashtrohet një libër me proza të kohës sonë nga Evropa Juglindore, as më shumë e as më pak, dhe kjo mjafton. Vetëkuptohet, letërsia ushton ndikim mbi shoqërinë, kryesisht në mënyrë të tërthortë dhe përmes shtigjesh dytësorë, për të cilët ne kemi shumë pak dijeni, dhe rrallëherë ajo pranon të kthehet në vegël për të arritur qëllime politike.

Por rëndësia e saj nuk duhet as të mbivlerësohet. Kush dëshiron, qoftë edhe fare pak, të ndikojë për të tilla ndryshime, bën mirë që në vend të bëhet shkrimtar, të bëhet bankier, boksier a gazetar. Emil Zola me artikullin e tij J’açuse ka të ngjarë të ketë ndikuar më tepër për ndryshimin e botës sesa me të gjitha romanet e tij të marra së bashku.

Më i fuqishëm se ndikimi i letërsisë mbi botën është sigurisht ndikimi i botës mbi letërsinë, gjithsesi mbi premisat e saj. Pasi e mblodha këtë përzgjedhje, vura re se kishte diçka që nuk shkonte. E lexova dhe e rilexova listën e autoreve dhe të autorëve, por nuk arrita të kuptoj se çfarë ishte. Të ishin ndoshta tejet të vjetër? Apo tejet të rinj? Mos kishte pak gra? Mos kishte më pak apo më shumë nga ç’duhej prej njërës gjuhë apo tjetrës? Kjo lloj korrektësie politike sigurisht që nuk më kishte interesuar. E vetmja gjë që kishte rëndësi ishte cilësia letrare. Por papritur e kuptova se për çfarë ishte fjala: shumë nga ata, që dhanë ndihmesën e tyre në këtë përzgjedhje, nuk jetojnë më në vendin e tyre, një pjesë janë larguar së andejmi për të jetuar diku gjetkë, gjë që mund të quhet mërgim. Bile disa kanë ndërruar edhe gjuhën dhe kjo nuk është rastësi. Por askush nuk duhet të çuditet. Ai që do të kishte botuar në vitet ’30 një përzgjedhje të letërsisë gjermane, do të kishte qenë i shtrënguar që përveç Gerhard Hauptmanit, Erih Kestnerit, Gotfrid Benit dhe disa të tjerëve, t’i kërkonte autorët në mërgim. Kësisoj vetë fakti që një pjesë e madhe e krijimeve të përfshira në këtë përzgjedhje nga Evropa Juglindore janë shkruar jo këtu, por gjetiu, thotë diçka rreth konflikteve dhe tragjedive në Ballkanin e ditëve tona. Së këtejmi rrjedhin, sipas meje, edhe pikëllimi dhe dhembja, me të cilët lexuesit do të ndeshen në këtë libër.

Vjenë, qershor 2007.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›