E Shtunë, 31 Tetor 2026

In Memoriam lirisë së Dergjinit



Ermir Dergjini u nda nga jeta në një moshë të parakohshme, në kulm të pjekurisë dhe formimit të tij krijues. Në fletët e “CV”-së së tij shkruhet: Lindur në Tiranë, më 19 janar 1955; kompozitor profesionist, pedagog në Akademinë e Arteve – Fakulteti i Muzikës, “Profesor i Asociuar”... Mjafton për të prezantuar qytetarin Ermir Dergjinin, burrin korrekt, babanë shembullor e të përkushtuar të dy vajzave dhe njeriun këmbëngulës e punëtor në realizimin e aspiratave krijuese. Motiv mjaft domethënës i karakterit në sfidën e gjatë ndaj sëmundjes disavjeçare. Duke filluar nga vitit 1976 e në vijim opusi i veprave të tij përmban 40 krijime. Në më të realizuarat ndihet dukshëm orientimi bashkëkohor, ambicia në përvetësimin e teknikave serialiste dodekafonike, ndihet liria e krijuesit që i shmanget konvecioneve të estetikës së kufizuar e dogmatike, në kërkim të hapësirave të reja shprehëse. Pas disa specializimeve në muzikë seriale me kompozitorin W. Ufschmid (Gjermani) 1993, Mikrosoft Word & Computer Music Mc Knight – USA – 1997, Muzikë elektroakustike në Marsejë – Francë – 1999, ai me guxim eksploron përherë e më tepër idetë novatore strategjitë e reja muzikore dhe pothuajse nuk mungon në çdo aktivitet artistik të muzikës së re, duke mos u tërhequr edhe në rastet e rrezikimit të mos suksesit.

Vepra e tij interpretuar nga solistë të njohur këngëtarë lirikë apo instrumentistë, si dhe nga orkestrat simfonike të RTSH apo trupa e Operës dhe Baletit Kombëtar njohu realizimin dhe suksesin në skenat prestigjioze të kryeqytetit.

Ajo jo rrallë u vlerësua me çmime nga juri profesioniste, në përbërjen e të cilave ka pasur edhe personalitete të huaj në fushën e muzikës.

Disa prej tyre janë: 1984 – Çmimi i tretë parë “Koncertiton” për violinë dhe piano

1991 - Çmimi i dytë për “Koncertin” për orkestër simfonike; 1995 – Çmimi i tretë për “Dhoma “ Simfonia nga akti i parë i operë; 998 – Çmimi i parë për Operë “Dhoma” në Konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Teatri i Operës dhe Baletit.( nëntor 1998). Ermir Dergjini ka qenë një nga gjashtë protagonistët e parë në krijimin e shoqatës “Muzika e Re”. Në fushën e pedagogjisë ka botuar librin “Revolucioni elektronik” shkurt 2002. Ermir Dergjini do t’i mungojë familjes, studentëve dhe kolegëve të Akademisë së Arteve, do t’i mungojë dhe jetës artistike. Lamtumirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›