E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermir Dergjini, ose muzika e re

Post Mortum

Ermir Dergjini vërtet u nda herët në moshën 54-vjeçare nga kjo jetë, por la pas një vepër, e cila mbetet në duart e muzikantëve, institucioneve, jetës koncertale, për të vazhduar atë që ai dhe Muza e tij nisën: Rrugëtimin drejt hapësirave të muzikës.

Familja, miqtë, kolegët studentët e Akademisë së Arteve e bota muzikore përcollën me dhimbje për në banesë të fundit para disa ditësh kompozitorin e njohur, Ermir Dergjini. Ermiri ish ndër të parët krijues që përshëndeti plot me pasion e bindje të vendosur ndryshimet e reja që ndodhën pas viteve ’90-të në teknologjinë e të shkruarit muzikë. Ai u bë një nga promotorët e muzikës kontemporane, për të cilën me kompozicionet e veprat e tij ish shembull i një punë të heshtur e të palodhur, i një pune produktive dhe me vlera, i një pune kërkimore për të mbërritur në tiparet e profilit tij stilistikor serialist.

Dergjini, pedagog i Akademisë së Arteve dhe anëtar i Shoqatës së Muzikës së Re, me kontributet e tij pasuroi me tej përvojën e kësaj shoqate prej më se 15 vjetësh dhe u impostua për progresin e muzikës kontemporane në Shqipëri dhe integrimin e saj.

Ermir Dergjini u bë pjesë integrale e arritjeve të shoqatës së muzikës së re, e cila për herë të parë mbas një izolimi të gjatë krijoi avangardën dhe një aktivitet të përhershëm të muzikës kontemporane, si dhe hapi korridore kulturore me perëndimin dhe krijoi kontakte me muzikën oksidentale.

Punonte jashtëzakonisht, sistematikisht, shkruante dhe kalkulonte tinguj, racional në mënyrën se si e perceptonte procedimin kompozicional, çka e bëri që nga veprat e zhanreve më të vogla të dhomës t’i japë kulturës kombëtare një simfoni dhe veprën e tij më të rëndësishme opera Dhoma, e cila me nismën e Zhani Ciko dhe TOB pa dritën e suksesin e skenës para disa vjetësh.

Më kujtohet kur para 3 vjetësh (shtator 2005) i thashë se përfundova koncertin No. 2 për piano, Ermiri me tha se po përfundonte një koncert për violinë. Unë uroj që ta ketë përfunduar, por edhe nëse jo i “papërfunduar”, ngjiz edhe më mirë për faktin se një jetë kompozitori është një vepër e papërfunduar, çka me jep rastin t’i kërkoj publikisht institucioneve profesioniste, orkestrës së RTSH-së dhe TOB-it ta ekzekutojnë premierë këtë koncert pas vdekjes së autorit.

Dergjini vërtet u nda herët në moshën 54-vjeçare nga kjo jetë, por la pas një vepër, e cila mbetet në duart e muzikantëve, institucioneve, jetës koncertale në vend, për të vazhduar atë që ai dhe muza e tij nisën: Rrugëtimin drejt hapësirave të muzikës

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›