E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i fondeve, KQZ vendos sot për partitë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot një mbledhje ku do t‘u kërkohet partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit që të kthejnë paratë që i detyrohen shtetit. Bëhet fjalë për ato parti që kanë marrë fonde dhe nuk arritën dot që të bëhen pjesë e Parlamentit. Sot KQZ do të shqyrtojë projektvendimin "Për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit". Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale, Partia Social Demokrate, Partia Demokristiane, si dhe Partia Agrare Ambientaliste duhet të kthenin shumën prej 12.7 milionë lekësh, qysh në fund të muajit gusht. Sipas Kodit Zgjedhor, neni 87, pika 3, partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Deri tani në zyrat e KQZ, nuk është drejtuar asnjë prej tyre. Nard Ndoka është i vetmi kryetar partie që ka pranuar të kthejë parat e fushatës, ndërkohë që 4 kryetarët e tjerë e kanë quajtur diskriminues këtë nen të kodit. Paratë që do të kthejnë të vegjlit, do t‘u shpërndahen partive që fituan mandate. Kodi Zgjedhor parashikon se Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Në kod është sanksionuar se këto para, që kthehen nga partitë që nuk arritën të jenë pjesë e Parlamentit u shpërndahen partive të cilat kanë vende në Kuvend. Partitë që përfitojnë janë Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia për Drejtësi dhe Integrim, si dhe Partia e Bashkimit dhe të Drejtave të Njeriut. Fondet e kthyera, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike, që kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit konkurruan 34 parti politike, të grupuara në katër koalicione, dy të spektrit të djathtë dhe dy majtë, si dhe një subjekt i pavarur. Shpërndarja e fondeve u bë në bazë të numrit të vendeve që secila prej këtyre partive kishte në Parlamentin e shkuar. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ishin dy partitë që përfituan shumën më të madhe nga shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›