E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpreh nderim për tre shkrimtarë



Autor ANONIM

Gjithçka që dua të shpreh, nuk përbëhet veçse nga ndjenja të vërteta dhe mendime të pastra, që i kam në shpirt e mendje dhe këtu unë ndalem. Po ashtu, dua të theksoj se të gjitha çka do të them në vijim, nuk janë fjalë që mund të bëhen subjekt i studiuesve apo sivëllezërve të personazheve të këtij shkrimi. Këto ndjenja dhe mendime po i shkruaj thjesht si një falenderim për atë që kam marrë nga vepra e tyre. Pra, shprehen nga një njeri që e di, dhe e pranon hapur, se nuk është i mësuar në artin e kritikës letrare, ose në ndonjë art që ka lidhje me letërsinë. Këto shkruhen nga një njeri i thjeshtë, me tetë klasë shkollë për nga arsimimi, me më pak peshë nga statusi shoqëror, pasi i përket shtresës më të varfër të shoqërisë shqiptare, por gjithsesi nga një lexues që nuk u ndahet librave.
Ajo që dëshiroj nuk është veçse t'u them një FALEMINDERIT tre prej shkrimtarëve, që ma kanë bërë jetën më të bukur dhe më të lehtë për t'u duruar. Gjithashtu, u lutem këtyre shkrimtarëve që të më falin, nëse ato që shpreh, sipas tyre nuk qëndrojnë. Këto mendime janë e vetmja pasuri që kam dhe që dua t'ua blatoj me nderim. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin.
Tre emrat dhe ajo çka ata personifikojnë sipas meje, i kam marrë nga personifikimi që u bëhet tre personazheve në një nga veprat më të rëndësishme të Viktor Hygoit. Si lexues, mendoj se i njëjti përshkrim u shkon karakteristikave të tre shkrimtarëve shqiptarë, sipas meje të njëjtë në lavdi, por jo në famë. Them jo të njëjtë në famë, pasi rrethanat kanë qenë të ndryshme për secilin. Por besoj se pas shumë vjetësh, të themi, kur koha e sotme të ketë humbur kuptimin diferencial, në analet e letërsisë ata do të njihen si të përafërt.
1.
Po e nis me të parin, Minosin. Sipas përshkrimit të Hygoit, përfaqësues i teologjisë.
Për mua, përfaqësues i teologjisë është pikërisht shkrimtari Zija Çela. Në veprën e tij, si lexues, perceptoj një vazhdë të vrullshme të ndjesive shpirtërore, që të rrëmbejnë dhe të bëjnë jo vetëm të mendosh për çka lexon, por të meditosh mbi të. Në librat e tij jeta bëhet vërtet jetë dhe çdo element, që lidhet me të, të bën që të përjetosh pikërisht atë që përjetojnë edhe personazhet. Si lexues, unë qesh e qaj me personazhet, gëzohem e hidhërohem, mërzitem e lumturohem, ha, pi, këndoj ekzaktësisht si ata. Dhe kjo për mua do të thotë të krijosh lidhje të drejtpërdrejtë me personazhet, të fillosh e pastaj dora-dorës të shndërrohesh në ta. Kjo do të thotë që shkrimtari këtu ka vendosur themelet, stukturën dhe përbërësit e një universi paralel. Kjo do të thotë të bësh rolin e Arkitektit dhe lexuesit t'i japësh të drejtën dhe lirinë për të jetuar në këtë univers.
Kjo, për mua, do të thotë se një ëndërr bëhet realitet, pikërisht se ky është një univers i njëjtë me atë ku jetoj, por në këtë univers që Zija Çela më ofron, unë mund të kthehem dhe t'i ndreq gabimet që kam bërë në universin tjetër ku jetoj, dhe anasjelltas. Ju lutem, vini re fjalën anasjelltas. Kjo është e mrekullueshmja këtu. Kjo do të thotë aftësi për ta drejtuar, ndërtuar dhe ndihmuar njeriun në baza shpirtërore dhe mendore. Kjo, fort të dashur, do të thotë teologji. Shkencë e Zotit. Edhe pse na thuhet se teologjia është shkenca që studion Hyjin, kjo në fakt është e paplotë. Teologji do të thotë edhe të studiosh shkencën dhe teknikën e vetë Hyjit. A mund të më thotë dikush që, kur lexojmë një libër të Zija Çelës, lexuesi nuk lexon edhe vetë Zijain apo, më mirë, shpirtin e tij.
Pikërisht, me anë të veprës së tij, ky Minos na dhuron pjesë të shpirtit të vet, pjesë të zemrës së tij. Çdo vepër e Zija Çelës është një kudhër ku lexuesi farkëtohet. Dhe, ç'është më e rëndësishmja, lexuesi farkëtohet me Dashuri.
2.
I dyti është Eaku, përfaqësuesi i mjekësisë. Dhe Eak, sipas meje, është shkrimtari Arian Leka. Sepse është pikërisht Arian Leka ai që me tekstet e tij tregon qartë se e njeh më së miri anatominë e lexuesit. Është pikërisht Arian Leka ai që çdo shkrim e kthen në diagnozë, në përcaktim të lëngatës dhe mundimeve të lexuesit. Edhe më madhështore është mënyra si e kuron shpirtin e lexuesit. Njëjësimi që i bën vetes me personazhet, pozicioni që merr në tekstet e veta, këto janë medikamentet që përdor. Arian Leka është doktori që çdo medikament e njeh jo vetëm nga dija, por edhe nga eksperienca. Ky mjek ka shëruar më parë vetveten. Ky mjek nuk lëshon receta më kot, duke i konsideruar ilaçet si karamele dhe të sëmurët vetëm si stomak që i tret ato.
Shkurt, Arian Leka është i vetmi mjek që njoh dhe që nuk është vetë i sëmurë. Ai është, po ashtu, një mjek kirurg i shkëlqyer. Si bisturi përdor poezinë, dhe ndoshta kjo është vetia e tij më e rrallë për nga virtyti, por më e ndërlikuara dhe e magjishmja për lexuesin. Kjo bisturi, që ndërhyn e sjell shërim për të sëmurin, mund të jetë jo e volitshme për të shëndoshin, që kërkon ta vërë në provë. Sepse, ashtu siç njeriu mund të shohë portretin e vet në tehun e bisturisë, po kështu ai do të mund të shohë pasqyrimin e shpirtit të tij në poezinë e Arian Lekës. Dhe një i shëndoshë, që shtiret i sëmurë për të provuar aftësinë e mjekut, mund të përfundojë i lënduar jo nga mjeku, që kryen detyrën e tij të shenjtë e humane, por nga bisturia, e cila të lëndon po aq sa dhe të shëron. Veçanërisht kur nuk është në duart e mjekut.
Kështu pra, ky Eak zotëron aftësitë, vetitë dhe virtuozitetin e mjekut ideal. Dyshoni për këtë? Shkoni te ndonjë mjek tjetër.
3.
I treti, Radamanti, përfaqësuesi i historisë, nuk ka sesi të mos jetë Ismail Kadare.
Ismail Kadare, gjithmonë sipas meje, është shkrimtari që më shumë se kushdo tjetër ka arritur të përçojë tek unë, si lexues, jo vetëm të shkuarën, faktet historike, ngjarjet, situatat, personazhet, por edhe mësimet që përftohen nga kjo e shkuar. Vetëm në veprat e tij unë arrij ta kuptoj më mirë se prej nga vij. Vetëm prej veprave të tij ngjarjet vijnë tek unë, unë mund t'i ndjej si një pjesë timen dhe mund t'i përdor në mënyrë tredimensionale për t'u thelluar në to, për të parë edhe në qoshet më të errëta të tyre, dhe kësisoj të përftoj një kthjelltësi e pamje totale mbi to.
Ky Radamant e shfaq historinë ashtu siç është, zonjë të mendimit dhe përkatësisë së njeriut. Si një mësues i durueshëm e pasionant, ai na sjell të gjallë përvojën të mbështetur mbi dituri, konkluzionet të mbështetura në praktikë, përfundimet e një eksperimenti bazuar në provëzat e laboratorit të jetës.
Te veprat e tij unë arrij t'i shoh personazhet si në një dokumentar, që nuk dua të mbarojë. Veprat e tij bëjnë që, si lexues, ta ndjej çdo ngjarje si një pikëtakimi të vetë jetës sime. Çdo fjalë më duket e dëgjuar më parë dhe, tek vijoj leximin, më kujtohet se kur, ku dhe nga kush e kam dëgjuar. Ky Radamant dhe vepra e tij, ose më mirë magjia e tij, e bën historinë një valle shamanësh, tek e cila njeriu hidhet turravrap, ose më e pakta e kundron i magjepsur. Ky Radamant dhe vepra e tij e bëjnë historinë të duket, për të përdorur një shprehje të Cvajgut, pushtet me vështrimin e Meduzës, sepse kush e sheh një herë, nuk mundet më që t'i heqë sytë prej saj.
* * *
Këta janë tre shkrimtarë, veprën e të cilëve e dua dhe e nderoj, janë ata që më mbushin shpirtin e mendjen prej lexuesi të thjeshtë. Dhe për këta shkrimtarë, ndryshe nga sa quhen zakonisht shkrimtarët prej njerëzve që i nderojnë, unë them se janë jo titanë, por NJERËZ. Po! Ndër shkrimtarë ka shumë që janë titanë, por shumë pak NJERËZ. Dhe Zija Çela, Arian Leka dhe Ismail Kadare janë të tillë. Këta më duket se janë si unë, më duket se janë miq e vëllezër të mi. Edhe pse nuk mund të them se i njoh, e di se janë NJERËZ. Dhe mua si lexues kjo më mjafton.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›