E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i gjyqtarëve, Haxhinasto: Qëndrim, pasi të marrim përgjigje nga Greqia

Dënojmë absolutisht pengimin e lëvizjes së cdo qytetari, cilido qoftë ai. Kështu është shprehur Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto lidhur me skandalin e kthimit në kufi të gjyqtarëve e prokurorëve që dënuan kreun e OMONIA-s, Naum Disho. Sipas tij ky institucion ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe pas shpjegimeve nga pala greke do dalim me një qëndrim të tyre. Këto komente Haxhinasto i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zv.ministrin e punëve të jashtme të Australisë, Richard Marles, në kuadër të vizitës dy ditore të këtij të fundit në Shqipëri. Ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Australisë në paqen dhe stabilitetin në Europë, ndërsa nënvizoi në mënyrë të vecantë rolin në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai gjithashtu theksoi se sot u ndërmorën hapa të rëndësishëm për sigurimin e bazës ligjore për bashkëpunim në ekonomi, turizëm, energji dhe kryesisht në biznes.
 

“Ishte një vizitë shumë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri- Australi. Shqipëria e shikon si shumë të rëndësishëm rolin e Australisë për paqen dhe stabilitetin në Europë, jemi mirënjohës për rolin e saj në njohjen e Kosovës dhe mbështetjen për njohje të reja. Ndajmë objektiva të përbashkëta dhe për zona të tjera si në Afganistan, por dhe në zona të tjera për sigurinë në botë. Kemi një axhendë të rëndësishme dypalëshe për disa fusha të rëndësishme, si plotësismi i bazës ligjore për bashkëpunim në ekonomi, turizëm, energji e me radhë. Bashkëpunimi ndërmjet komunitetit të biznesit do të shihet me rëndësi, ku mendohet të organiozohen forume të ndryshme. Diskutuam dhe për forcimin e organizatave ,si ajo e OKB. Sot mora ftesën nga kryeministrja e Australisë për të vizituar Australinë, të cilën e pranova me kënaqësi”-tha ai

Nga ana e tij zv.ministri i punëve të jashtme të Australisë, Richard Marles, e konsideroi vizitën e tij në Shqipëri si zbulim të një bashkëpunëtori të mirë, në një cep të botës jo shumë të njohur. Ndërkaq ai shprehi gadishmërinë për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimeve, kryesisht në fushën ekonomike.
 

“Është takimi i parë që bëhet në një nivel kaq të lartë, patëm një takim të frytshëm me zotin Haxhinasto. Shpresojmë që kjo vizitë të hapë siparin për bashkëpunime të ndryshme në shumë fusha. Këtu kemi zbuluar një bashkëpunëtor shumë të mirë, me të cilën pritet ta cojmë më tej bashkëpunimin.Ne Shqipërinë e njohim përmes futbollistit Besart Berisha, që është mjaft i rëndësi në Australi. Kemi bashkëpunuar ngushtë në pjesmarrjen në Afganistan me Shqipërinë, besojmë në bashkëpunimin e ardhshëm edhe në nivelin ekonomik”u shpreh Marles.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›