Nano: Jam me integrimin; Meta: "OK" Presidentit që kontribuon për integrimin
Konsulta për një zgjidhje pozitive për Shqipërinë. Kështu e ka konsideruar nisjen e turit të konsultave me drejtuesit e partive për zgjedhjen e tij si President, axhendë që startoi me kreun e LSI-së Ilir Meta, ish-lideri i së majtës, njëkohësisht ish-kryeministri Fatos Nano. Nano shtoi se po identifikohen mundësitë që ekzistojnë për të pasur një proces sa më konsensual, në favor të interesave integruese të vendit. Ndërsa lidhur me deklaratën e sotme të kryeministri Berisha, ku shprehi qartazi se PD garon me kandidatin e saj, Nano tha se Berisha bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur për pastrimin e Shqipërisë nga ndotjet dhe unë sjam pjesë e ndotjeve.
“Nisa turin e konsultave me përfaqësuesit e partive, koncidencë që nisi me Metën, ndoshta dhe pse Partia e tij është Lëvizje për Integrim dhe unë dua të lëviz me ritmin e integrimit.Po identifikojmë mundësitë që ekzistojnë për një proces sa më konsensual, në kuadër edhe të 100 vjetorit, në funksion dhe të marrjes së statusit kandidat. Duhet një politikë më e arsyetuar, më konsensuale në të mirë të integrimit të vendit, të vihet në shërbim të interesave kombëtare. Është koha për të gjetur një zgjidhje pozitive për Shqipërinë. Berisha bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur dhe për pastrimin e Shqipërisë nga ndotjet, por unë sjam në pjesën e ndotjeve” u shpreh ai.
Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta vlerësoi rolin e Nanos si politikan ndër vite,në zgjidhjen e ngërceve të shumta politike. Duke vlerësuar kontributin që mund të japë Nano në integrimin e vendit, Meta nuk pohoi por as mohoi mbështetjen për kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhëshme Presidenciale. Ndër të tjera Meta vuri theksin në faktin se zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces që duhet të faktorizojë Shqipërinë, jo palët apo politikën.
“Është kënaqësi për të qenë vazhdimisht në dialog me zotin Nano, politikan i njohur që ka afirmuar vullnetin e tij për tu ofruar si kandidat për President. Pavarësisht diagramës në të kaluarën, është një politkan që i ka shërbyer rrotacionit të demokracisë. Mbetet i rëndësishëm kontributi i tij për ti shërbyer procesit të Bashkimit Europian. LSI do të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë proces. Institucioni i Presidentit nuk duhet konsideruar si një llogore më shumë. Duhet të jetë një proces që duhet të faktorizojë Shqipërinë, jo palët apo politikën” tha ai.
Takimi Nano-Meta zgjati për rreth 1 orë e 40 minuta dhe u mbajt në ambjentet e hotel” Rogner”.