E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi në kufi, reagon shoqata Çamëria

ELBASAN – Shoqata patriotike Çamëria reagoi dje dhe dënoi kthimin në kufi të shtetasve shqiptarë vetëm pse në dokumentin e tyre shënohet vendlindja Çamëri. Kryetari i kësaj shoqate, Ardjan Tana, shprehu indinjatë në lidhje me rastin e përsëritur të ndalimit të hyrjes në shtetin grek të tre shtetasve shqiptarë me vendlindje në Çamëri. Ne kemi kërkuar më herët nga institucionet shqiptare dhe ato greke, se cilat janë arsyet e vërteta rreth moslejimit të këtyre shqiptarëve që në pasaportën e tyre vendlindjen e kanë në Çamëri, u shpreh Tana në një konferencë për shtyp. Sipas tij, këta shtetas që janë nisur për në Greqi kanë pasur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, konform ligjeve. Në rast se ky fenomen përsëritet, Tana deklaroi se shoqata, së bashku me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, do të ndërmarrë sërish kontakte me shtetin shqiptar dhe atë grek, me qëllim që ky fenomen të marrë fund. Për ne e rëndësishme është që qytetarët çamë të mos dekurajohen nga sjelle të individëve të veçantë, pasi ne do të jemi më këmbëngulës, tha Tana duke shprehur bindjen se kjo e drejtë e qytetarëve çamë nuk do të pengohet në të ardhmen. Dy ditë më parë reagoi edhe PDIU nëpërmjet një njoftimi, në të cilin thuhej se dy ditët e fundit, në kufirin shqiptaro-grek janë kthyer tre shtetas shqiptarë, me dokumentacion të rregullt, vetëm dhe vetëm pse kanë lindur në Çamëri. Ne denoncojmë rastet e kthimit në kufi të Avdul Sulejmanit, lindur në Varfanj të Gumenicës, në vitin 1933, të Myfit Rakipit, lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935 dhe Sulltane Bajramit, lindur në vitin 1940, thuhej në deklaron e PDIU-së. Në deklaratë citohej se Myfit Rakipi dhe Avdul Sulejmani, i cili ka qenë për vite me radhë kryetar i shoqatës Çamëria për Durrësin dhe nënkryetar i përgjithshëm i saj, janë kthyer të shtunën në pikëkalimin kufitar të Qafë-Botës.               m.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›