Vrasja e taksistit, e shoqja në gjykatë: Të varen autorët
Shtyrja e seancës gjyqësore për vrasjen e taksistit Fredi Talelli për shkak të mungesës së dy prej avokatëve të të pandehurve, ka sjellë reagime të ashpra të Enkeleda Talellit në sallën e gjyqit. Gruaja e taksistit të vrarë, por edhe të afërm të tjerë të viktimës, u irrituan kur trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës. Ata kërkuan një dënim të shpejtë dhe të rëndë për autorët. Do ti mbys këta kriminelë me duart e mia! Më lini se do ti vras unë vetë… ose ti dënoni ju me varje!, thonte dje gruaja e taksistit të vrarë. E tronditur dhe me lot në sy, Enkeleda Talelli kërkoi me tone mjaft të ashpra që drejtësia të mos ketë mëshirë për të rinjtë që u përfshinë në vrasjen e bashkëshortit të saj në muajin nëntor të vitit të kaluar. Të afërmit e viktimës nuk morën pjesë në seancën e kaluar, ku mes debatesh të trupit gjykues e avokatëve mbrojtës të të 6 të pandehurve për këtë krim, u la që procesi të gjykohet nga të tjerë gjyqtarë. Kjo sepse avokatët pretenduan që trupi gjykues i mëparshëm tregoi anshmëri dhe paragjykim në këtë çështje, duke mos marrë parasysh kërkesat e tyre për veçimin e çështjes për disa prej të pandehurve. Kështu, dje ishte një tjetër gjykatës që do ta shqyrtojë këtë çështje që bëri bujë në të gjithë Korçën, për shkak se ngjarja ishte tepër e rëndë. Ndërsa në seancën e radhës, që u zhvillua dje, u vendos shtyrja për mungesë të dy prej avokatëve që në këtë proces vijnë nga Elbasani, pasi edhe klientët e tyre janë nga ky rreth. Kjo solli reagim të ashpër të familjarëve të viktimës, pasi sipas tyre, çështja nuk duhet të zvarritet. Ata kërkuan dënim të ashpër me varje, sidomos për dy autorët kryesorë, dy të rinjtë nga Bilishti, që e morën taksistin duke iu prezantuar si udhëtarë. g.a