E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në pallatin 13-katësh u vu qëllimisht në parking

Dy makina të harruara prej 3 muajsh në parkingun e pallatit pranë Stacionit të Trenit janë bërë shkak i zjarrit që alarmoi banorët, policinë dhe zjarrfikësit mbrëmjen e së dielës në Tiranë.Paraprakisht në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor që po verifikon shkaqet e zjarrit në bodrumin e pallatit 13-katësh. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, nga provat e para të gjetura në vendngjarje, pas shuarjes së flakëve nga 3 makina zjarrfikëse, zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është zbuluar edhe vatra e zjarrit, që rezulton të jetë një makinë tip Mercedez ML, me targa italiane, ku janë gjetur mbetje benzine. Kjo makinë rezultonte e parkuar në garazh rreth tre muaj më parë dhe pronari i saj ndodhej si emigrant në Itali. Automjeti nuk ishte lëvizur për asnjë moment nga vendi i parkuar dhe po ashtu edhe një makinë tjetër tip Benz 200, që gjithashtu ishte harruar në parking nga pronari. Sipas burimeve nga grupi hetimor, zjarri mund të jetë vënë qëllimisht nga ndonjë banor i pakënaqur që kërkonte hapësirën e tij në pallat. Për këtë arsye, policia ka nisur hetimet duke marrë në pyetje banorë të pallatit, të cilët në momentin kur bodrumi u përfshi nga flakët, ende nuk ishin kthyer për të parkuar mjetet e tyre. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe një pistë tjetër, atë të ndonjë shkëndije elektrike që mund të jetë shkaktuar nga lagështira. Burimet sqaruan se ende nuk është përcaktuar përfundimisht nëse mbetjet në formë bloze të benzinës që u gjetën në automjetin tip Mercedez ML janë të serbatorit të makinës, apo janë hedhur nga jashtë.
DEMI I SHKAKTUAR
Zjarri që përfshiu mbrëmë bodrumin e pallatit 13-katësh në krah të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, fatmirësisht pati vetëm dëme materiale dhe asnjë banor nuk u lëndua. Më përjashtim të gjashtë banorëve të katit të parë të banimit, të cilët u asfiksuan nga tymi dhe u dërguan me urgjencë në spitalin Nënë Tereza, ku morën mjekimin e nevojshëm. Burime nga Policia e Tiranës thanë se flakët në parkingun e pallatit shkaktuan dëme të shumta materiale, duke nisur që nga furnizimi me energji elektrike. Rrjeti elektrik është dëmtuar nga flakët dhe për shkak të lagështirës që u krijua nga uji i zjarrfikëseve që arritën të shuanin zjarrin, inxhinierët nuk kanë mundur tu sjellin banorëve energjinë. Edhe ditën e djeshme banorët e pallatit e kanë kaluar pa energji elektrike, pasi riparimi i sistemit elektrik që kalon nëpërmjet bodrumit ka qenë pothuajse i pamundur. Dëmet më të mëdha materiale janë shkaktuar në apartamentet e katit të parë të banimit dhe në bizneset e shumta që ndodhen në katin e parë, me hyrje nga bulevardi Zogu i Parë. Fasadat e dyqaneve, lokaleve dhe aksesorët e tyre janë dëmtuar nga tymi që depërtonte brenda ambienteve nga tubat e aspirimit. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, biznese që nuk ishin të pajisura me gjeneratorë, nuk kanë mundur ti zhvillojnë aktivitetet e tyre, por vetëm kanë nisur riparimin e dëmeve. Dëmtime nga tymi e bloza kanë pasur pothuajse të gjitha apartamentet në anën e pasme të pallatit, madje deri në katin e 13-të. Tymi është përcjellë nga tubi i madh i aspirimit, që nis nga bodrumi dhe daljen e ka në tarracën e pallatit.
NJOFTIMI PER ZJARRIN
Policia e Tiranës bëri të ditur dje se njoftimi në sallën operative dhe në repartin e zjarrfikësve është dhënë me vonesë, pasi roja që mbikëqyr parkingun e pallatit ishte pushim. Dyshimet kanë nisur nga banorët, të cilëve, nëpërmjet tubave të aspiratorëve u janë mbushur apartamentet me tym dhe kanë zbritur për të parë se çfarë po ndodhte. Menjëherë pas lajmërimit, drejt vendit të ngjarjes janë nisur 3 makina zjarrfikëse, drejtuesit e Policisë së Tiranës, forcat e Komisariatit Nr. 3, ekspertë xhenierë, si dhe forcat speciale të RENEA-s. Zjarri është shuar në një kohë të shpejtë, pavarësisht vështirësive që kanë hasur makinat për tiu afruar hyrjes së garazhit, për shkak të rrugës mjaft të ngushtë.

Plagosja e shefit të Komisariatit

Zjarri që përfshiu mbrëmjen e së dielës garazhin e një pallati, u shoqërua edhe me një incident, gjatë të cilit mbeti i plagosur shefi i Komisariatit Nr. 3, Florian Hoxha, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes. Banorët, të cilët ishin përfshirë nga paniku, kanë nisur të thyejnë xhamat e dritareve për të pasur një rrugë për të shpëtuar. Xhamat që binin në tokë nga katet e sipërme kanë dëmtuar shefin e Komisariatit, i cili ka pësuar një plagë në fytyrë, shumë pranë syrit të djathtë. Gjithashtu, Hoxha ka pësuar edhe disa plagë të lehta në këmbë dhe në krah. Pasi ka marrë ndihmën e parë në Spitalin Ushtarak, gjendja shëndetësore e drejtuesit të policisë është përmirësuar.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›