Shkrimtarët e dënuar me vdekje, ja fjalët e fundit

Visar Zhiti
Janë plot 199 shkrimtarë e artistë, ish-anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të cilët përfunduan në burgjet komuniste dhe 50 të tjerë të pushkatuar, të varur, të vdekur në tortura, pa varre. Ti rendiste gjithë këta emra, nuk ishte e thjeshtë për shkrimtarin e poetin Visar Zhiti. Çdonjëri prej tyre e kthente pas në kohë ish-të burgosurin e mbijetuar, atëherë kur me shpatulla shtynte vagonët e mbushur me minerale dhe fshinte ku të mundej ato copëza poezish që shkruante në qelinë e errët. Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar, një botim i shtëpisë botuese OMSCA-1, është një homazh për të gjithë ata shkrimtarë e artistë, të cilët u bënë shënjestër e diktaturës. U dënuan me burgje, internime, pushkatime e varje pa gjyq. Ka qenë një kërkim i gjatë dhe i dhimbshëm për Zhitin, i cili është munduar të nxjerrë nga libri i dhimbjes ngjarje tronditëse, që kanë bërë bujë në kohën e tyre, apo që mbetën të fshehta. Histori makabre dhe fjalë të fundit të viktimave. Panteoni i nëndheshëm është një homazh, por edhe një akuzë për të gjithë ata që u bënë palë në gjyqet-farsa të shkrimtarëve e poetëve. Panteoni, i cili i vjen lexuesit në botimin e tij të dytë, hap edhe një debat mbi atë që quhet letërsia e dënuar. A është shkruar letërsi në burg, a ka pasur ajo vlera? Shkëpusim pak faqe nga libri i Zhitit. Mes listës së të burgosurve, të torturuarve, të arratisurve, po shkëpusim ata që u dënuan me pushkatim e që varret ende nuk u dihen. a.m
TEATRI I VËRTETË I VRASJES:

Kopertina e librit Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar, i autorit Visar Zhiti, botim i shtëpisë botuese OMSCA-1
- me gjyqe, dënime etj. -
Teatrot e pakta të Shqipërisë së re po shndërroheshin në salla gjyqesh të hapura, kudo, në të gjithë vendin. Në Teatrin Popullor në kryeqytet, do të luhej një tragjedi e re, pa mbaruar ende Lufta e Dytë Botërore, kur në pushtet sapo kishin ardhur komunistët.
Mars-prill 1945. Në skenën e mbetur bosh u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me ushtarakë të tmerrshëm si Koci Xoxe, Hysni Kapo, Bilbil Klosi, me anëtarë juristin Halim Budo edhe mjekun Medar Shtylla, me prokuror Bedri Spahiun etj. Në lozhën lart, në gjysmëterrin e kadifenjtë, ku zakonisht rrinte autori, qëndronte vetë ai, diktatori i ri, Enver Hoxha, duke vëzhguar me imtësi zhvillimet në skenë. E kishte monoklin aty pranë? Teksa zgjaste dorën për ta marrë, mbase ndiente një si dridhje të ftohtë, se mund ti dukej se kishte kapur nga gryka një revolver. Po sikur tí plaste aty? Vuante nga oklofobia, kishte druajtje nga armët, jo nga vrasja e të tjerëve me to. Do të dënoheshin personalitete të vendit, burra që i bënë ballë luftës si patriotë dhe drejtuan situatat. Kundërshtarë ishin, por u ishte dhënë roli i armikut tani. Me pushkatim, dëgjohet një zë: Kol Tromara, Alizoti… Hurshiti… Konstandin Kote… Leka, Merlika, Golemi… Terenc Toçi, Zef Kadarja… Borshi… Valteri… Omari… Cani… Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi…
Me burgime të rënda: Koço Kota, Xhevat Korça… Vrioni… Cara, Leskoviku… Jakov Mile, Mihal Zallari, Lazer Radi… Gjergj Bubani, Libohova… etj.
Duartrokitje si batareja e plotonit të pushkatimit.
Prapë gjyq tjetër, pushkatime prapë, dy anëtarë të Regjencës në vitet 1943-1944, personalitete të kulturës, Lef Nosi dhe Pater Anton Harapi, si dhe kryeministri i asaj periudhe, Maliq Bushati. I hedhin kufoma në gropën e përbashkët në Kodrën e Priftit me të pushkatuarit e Gjyqit Special në Teatrin Popullor, me atë lozhën me kadife të arkivoltë, ku rrinte në gjysmëterr Enver Hoxha dhe ndiqte aktet.
Dhe një dramaturg, dom Ndre Zadeja, autori i melodramave për skenat e teatrove në Shkodër dhe Tiranë: Rozafa, Ruba e kuqe, Rrethimi i Shkodrës, Ora e Shqipnisë, Hijet e zeza, një pjesë të të cilave i kompozoi Mikel Koliqi, kardinali i ardhshëm dhe i vetëm, por që e kaloi jetën internimeve e burgjeve, edhe ngaqë ishte vëllai i shkrimtarit të njohur, azilantit politik në Romë, Ernest Koliqit.
9 veta ishin, i detyruan të hapnin gropën e tyre dhe i hodhën njëri mbi tjetrin.
Dhe do të vazhdonin gjyqet nëpër salla kinemash, auditorë të shkollave të larta, në tempuj të fesë, në oborre lagjesh, në Shkodër, Durrës, Berat, Vlorë, Korçë, Kukës… ky do të ishte teatri i ri, i vërtetë, i realitetit socialist, me ankthe dhe emocione të tmerrshme, nga ato që kur spërftohen dot nga arti, merren nga krimi.
Po si mund të shkruhej në burg?

Nga gjyqi i at anton harapit (lart, mes), denuar me pushkatim
Ku i fshihnin, vërtet? Pabesueshëm. Kudo dhe asgjëkund. Ishte një aventurë e gjatë dhe e rrezikshme, një profesion më vete, për të cilin kam rrëfyer në burgologjitë e mia, se edhe burgu me kampin e punës kanë veçantitë e tyre, edhe pse të burgosurit janë ata që vuajnë njëlloj. Edhe lejohej të shkruaje, por edhe nuk duhej. Kontrolloheshe shpesh dhe rreptë dhe ridënoheshe, po të të gjenin një shkrim kundër, jo më roman, ekspertizat e të cilave i bënin shkrimtarë të realizmit socialist, jashtë burgut. Të burgosurit mund të mbanin ndonjë fletore, çonin letra në familje, në çdo muaj, por të hapura. Po të donin, mund të denonconin. Një pjesë e kishin detyrë. Duke u shfrytëzuar rrethana të tilla etj., të burgosurit shkruanin, delironin etj., madje edhe në kampet e punës, ku nuk kishte kohë për asgjë dhe krijimi ishte një sakrificë e tejme. Zbraznim mall dhe brengë, vetmi dhe mbyllje, me poezi kështu, si ofshama e ëndrra. Lavdërohej Shqipëria e vjetër për tiu kundërvënë së resë dhe mes tyre fshiheshin poezitë me temën drejtpërsëdrejti të burgut, kurse me prozën (më shumë ajo lëvrohej në burgun e Burrelit, ku të burgosurit nuk i nxirrnin në punë), shpaloseshin subjekte historike e legjendare, ose i arratisnin personazhet në vende të tjera e sisteme të tjera, në nazizëm, duke shkuar deri në Afrikën e Jugut ose shkretimeve të tejshme. Shpesh, mbi kapakët e fletoreve dhe të blloqeve vinin emra shkrimtarësh të huaj, gjoja ishin përkthime, por që ndërkallnin metafora ekzistenciale, të mbijetesës dhe shprehnin realitetin diktatorial. Shkruanim dhe në pjesët e bardha anash gazetave, në thasë çimentoje, paketa bosh, letra cigaresh, copa çarçafi etj., dhe më shpesh në mendje. I fshihnim kri(ji)met tona ku të mundnim, duke u ndërruar vendet, që tu shpëtonim kontrolleve dhe raportimeve, herë në kashtën e dyshekut, pastaj mes zheleve, brenda në opinga, te pagurja e vajit, nën dhé, në minierë, me mënyra që ende si di kush, i rikthenim për ti pasur nëpër thasët tanë. Ata ishin studioja e përçudnuar, biblioteka e fshehtë, arkivi i çmendur. Dhe kishte raste që arrinim ti shpëtonim, i nxirrnim jashtë, duke u bërë kontrabandistë të krijimeve tona.
LETËRSIA, PARA SKUADRËS SË PUSHKATIMIT
Me masakër kishte nisur:
17 nëntori i 1944