Ku do të vendosen shtatoret e Zogut dhe Ismail Qemalit

Parku Rinia
Tri shtatore të reja do të vendosen në Tiranë në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në mbledhjen e datës 6 shtator, Bashkia e Tiranës do të propozojë në Këshillin Bashkiak miratimin e vendndodhjes së tyre. Monumenti i Pavarësisë do të vendoset në parkun Rinia me pamje nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Shtatorja e Ismail Qemalit është përcaktuar në vendpushimin në lulishten e kryqëzimit të bulevardi Dëshmorët e Kombit me rrugën Ismail Qemali. Një tjetër monument është Shtatorja e Ahmet Zogut, e planifikuar në sheshpushimin në fund të bulevardit Zogu I, pranë Stacionit të Trenit. Nga sa bën me dije Bashkia e Tiranës, Komisioni Shtetëror i ngritur për vlerësimin, koordinimin dhe organizimin e aktiviteteve në këtë vit jubilar, ka përzgjedhur vendosjen për monumentet që do të vendosen në qytetin e Tiranës në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Nga ky komision janë përzgjedhur disa nga figurat që kanë kontribuar më shumë për shpalljen e pavarësisë, si dhe në konsolidimin e funksionimit të shtetit të parë shqiptar. Përzgjedhja e figurave të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës, është bërë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, por dhe për faktin se në qytetin e Tiranës mungonin shtatoret në kujtim të këtyre personaliteteve të mëdha kombëtare, ka sqaruar Bashkia. Pas 3 monumenteve të para, është menduar edhe një i katërt. Për vendosjen e Monumentit të Hasan Prishtinës është duke u punuar me autorin e veprës dhe me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, për të përcaktuar detajet e vendosjes, ka sqaruar Bashkia.