E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku është mjeku?

Plaku Isuf Shala ka vdekur në verën e këtij viti me një mall të madh. Ai kurrë nuk e kuptoi se ku i ka mbetur djali i tij, mjeku Hafir Shala, i rrëmbyer nga policia sekrete serbe në prill të vitit 1998.

Për dhjetë vjet, plaku nga Krajkova e Drenasit ka shkuar çdo javë në dyert e UNMIK-ut për të mësuar ndonjë lajm të ri për të birin. Por në pranverën e këtij viti, zyrtarë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë i kanë thënë atij se kjo administratë nuk mund të bëjë më asgjë dhe se tashmë duhet ti drejtohet EULEX-it. Hetimet për këtë çështje kurrë nuk kanë përfunduar, madje familjarët dyshojnë nëse ato kanë nisur ndonjëherë.

Isufi ka vdekur gjatë verës, pa mundur të mësojë misterin e zhdukjes së djalit të tij, ndërkohë që ka raste, siç është ai i Grupit të Llapit, i cili shqyrtohet disa herë nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Kështu, emri i mjekut Hafir Shala ende mbetet në listën e gjatë prej 1 mijë e 900 personave të zhdukur, edhe pse ndryshe nga shumë raste të tjera, për këtë rrëmbim ka dëshmitarë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar të hënën lidhur me heshtjen që i bëhet këtij rasti. Sipas KMDLNJ-së, janë Hetem Sinani, laborant dhe aktivist i Shoqatës Nëna Tereze dhe Shaban Neziri, kontabilist dhe anëtar i Këshillit, të cilët atë ditë kanë qenë së bashku me mjekun Shala.

Këta dy persona kanë deklaruar se në ditën kritike, pas arrestimit, mjeku Shala është detyruar të hyjë në një makinë të tipit xhip, me xhama të errësuar dhe është shoqëruar nga dy civilë (policë të Sigurim Shtetëror Serb).

Këshilli pati kontaktuar një hetues të Sigurimit Shtetëror Serb për të mësuar më shumë për fatin e dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit, që të dy të rrëmbyer me të njëjtin skenar dhe duket nga i njëjti ekip, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i këtij këshilli.

Informata është se ata janë rrëmbyer nga një ekip i specializuar. Ata janë dërguar në një lokacion jashtë Prishtinës, ku u janë humbur gjurmët. Inspektori serb ka deklaruar se me këtë rast është marrë kreu i këtij shërbimi dhe se nivelet më të ulëta as që kanë pasur informata, sqaron më tej në komunikatë ky këshill.

Bazuar në deklarimet e familjes së mjekut Shala dhe komunikatës së KMDLNJ-së, del se për këtë rrëmbim, diçka duhet të dijë Fadil Syleviqi, i cili në vitin 1998, ka qenë inspektor i policisë, kurse tash hetues i krimeve të rënda në Policinë e Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së, çkuptim ka qëndrimi i inspektorit Fadil Syleviq në hetuesi si hetues i krimeve serioze në Policinë e Kosovës, derisa nuk sqarohet roli dhe përgjegjësia e tij eventuale në rastet e rrëmbimit të dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit.

Edhe familjarët e mjekut Hafir Shala shprehen se për zhdukjen pa gjurmë të të afërmit të tyre, duhet të dijë Fadil Syleviqi, të cilin ata madje e bëjnë përgjegjës për këtë rrëmbim.

Ne e dimë që doktori është rrëmbyer nga Fadil Syleviqi, inspektor që ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin Serb deri në vitin 1999. Familja ka provuar privatisht disa herë që ti gjente autorët e kësaj vepre, të marrë informacione se ku është, por është tërhequr për shkak të kërcënimeve që janë bërë nga autorët e zhdukjes së tij, por edhe nga Policia e Kosovës, thotë Shukrije Shala, gruaja e mjekut të zhdukur.

Për më tepër, gruaja e dr. Hafir Shalës sqaron se për këto dhjetë vjet, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e fatit të doktorit. Sipas saj, zvarritja ka ndodhur për shkak se hetuesit e UNMIK-ut janë ndërruar çdo gjashtë muaj duke i lënë përgjysmë hetimet, ndërsa kur kanë ardhur të tjerët, hetimet kanë nisur prej fillimit.
Jemi të zhgënjyer me punën, respektivisht me mospunën e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të dr. Hafirit, doktor i parë i UÇK-së, madje që nga paslufta, as që është mbajtur ndonjë përvjetor për nder të punës dhe veprimtarisë së tij, bile udhëheqësit as që kanë ardhur ndonjëherë për ti pyetur fëmijët dhe gruan e tij se si jetojnë, shpjegon ajo.

Express ka tentuar të kontaktojë vetë Fadil Syleviqin, por kjo ishte e pamundur, ndërkohë që KMDLNJ-ja kërkon rihapjen e hetimeve dhe marrjen në pyetje të këtij personi, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

Tash po bëhen përpjekje që ky rast të konsiderohet si ad acta, rast i mbyllur ndërkaq që ata që kanë informata për këtë dhe shumë raste të tjera janë aktiv në luftimin e krimit dhe vazhdimisht avancohen, thuhet në deklaratën e KMDLNJ-së, e cila këto raste i konsideron si çështje që meritojnë kujdes dhe prioritet për tu zgjidhur sa më shpejt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›