E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku është zemërimi, pas zbulimit të varrezës masive?

Kohët e fundit në Shqipëri u “zbulua” një varrezë në malin e Dajtit ku gjendeshin trupat e të paktën 19 personave, të cilët mendohet se janë të kundërshtarëve të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. “Zbulimi” i kësaj varreze të madhe u bë nga një person që kërkonte eshtrat e babait të tij. Në shtypin shqiptar u njoftua “zbulimi” i eshtrave si një lajm i rëndomtë. Thuhet se policia dhe prokuroria “reaguan zyrtarisht”. Qeveria formoi një grup të posaçëm që do të merret me kërkimin dhe identifikimin e të ekzekutuarve nga regjimi komunist. Njoftohet gjithashtu se Avokati i Popullit, shoqata e të përndjekurve dhe anëtare të familjeve të “prekura” thonë se, për çudi, kjo nuk na qenka e vetmja varreze viktimash të pafajshme të komunizmit. Merret me mend gjithashtu se numri konzervativ i atyre viktimave të komunizmit, që nuk u dihet varri mund të jetë rreth pesë mijë veta, ndoshta më shumë.
Kanë kaluar 20 vjet ç’prej rënies së murit të Berlinit dhe pothuaj po aq vjet nga rënia e komunizmit në Shqipëri. Pas lajmit të “zbulimit” të eshtrave që mendohet se janë të viktimave të komunizmit dhe mungesës së reagimeve zemruese ndaj lajmit në shtyp dhe gjetiu, vetë me vete mendova dhe bëjë pyetje: nëse, (1): Shqiptarët janë të lodhur nga e kaluara e tyre komuniste, apo (2): vetëm është një indiferencë publike,ose (3) Zot ruajna nuk shohin gjë kritike për ato që kane ndodhur gjatë asaj periudhe të zezë për shqiptarët. Fatkeqësisht unë mendoj se të tri këto hamendje të mia janë të vërteta.
Kjo indiferencë nga publiku i gjerë dhe mos-veprimi zyrtar në të gjitha nivelet zyrtare dhe jo-zyrtare, ka detyruar familjarët, siç ishte rasti në Dajt, për të bërë ç’mos që – anë e mbanë Shqipërisë – të kërkojnë eshtrat e familjarëve të tyre me qëllim që tu bëjnë një varrim dinjitoz të dashurve të tyre dhe të nderojnë kujtimin e tyre. Sekretet që ende mbulojnë ekzistencën e varrezave në masë në Shqipëri, 20 vjet pas rënies së komunizmit, janë një dënim i rënde ndaj një klase kolaboracioniste dhe rolit të sajë gjatë asaj periudhe. Si rrallë në ndonjë vend tjetër post-komunist, ose post-fashist, viktimat e regjimit të Enver Hoxhës - të gjallë e të masakruar -- nuk mund të gëzojnë dinjitetin që meritojnë, përderisa autorët e disa prej këtyre krimeve mbajnë edhe sot detyra të larta në shtet, qeveri, gjykata, polici e prokurori. është e vërtetë se Shqipëria pati, pak a shumë një “tranzicion paqësor” në demokraci, por për derisa viktimave të komunizmit nuk u njihet ajo që u ndodhi, përderisa ato nuk kompensohen dhe për derisa ato nuk nderohen dhe nuk varrosen me dinjitet, aty nuk ka paqe shpirtërore, e fatkeqësisht ndoshta as paqe shoqërore. Kjo njohje ose pranim mund të bëhet lehtë nga njerëz të ndershëm e përgjegjës, pa ri-ngjallur emocionet brutale të së kaluarës. është përgjegjësi kombëtare, por edhe ndërkombëtare, për të gjitha shtetet, që të bëhen hetime rreth shkeljes sistematike të të drejtave themelore të njeriut kudo e kurdo. Ne shqiptaret, me të drejtë kemi kërkuar e vazhdojmë të kërkojmë nga Beogradi, që të bashkëpunojë me autoritetet e shtetit të Kosovës për zbulimin e varrezave të mëdha ku kanë përfunduar mijëra shqiptarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë. Nëse këtë e kërkojmë nga armiqtë tanë, në këtë periudhë të historisë sonë, duhet të jemi të gatshëm që njëherë e mirë të njohim dhe të dënojmë krimet e bëra nga shqiptari kundër shqiptarit, gjatë regjimit komunist. Këtë e kanë bërë shumë vende evropiane post-komuniste e post-fashiste, me qëllim pajtimi kombëtar.

Autori është aktivist i diasporës shqiptare dhe i federatës “Vatra” në SHBA

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›