E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Topi sqaron: Nuk pati propozime konkrete nga Berisha e Rama

TIRANE-Presidenti Bamir Topi deklaroi sot se ende nuk ka asnjë rezultat konkret nga takimet që ka kryer më dy krerët e partive kryesore në vend për zgjidhjen e krizës politike, porse takimet do te vazhdojne korrektesisht ashtu si u vendos ne tryezen politike te se shtunes. Në një deklaratë për shtyp, zyra për shtyp e Presidentit sqaron sot këtë fakt duke hedhur poshtë disa supozime nga disa të përditshme në vend se ka patur rezultat nga takimet.
“Nisur nga disa shkrime në shtypin e shkruar të ditës së ditës së sotme, të cilat njoftojnë për propozime konkrete të bëra gjatë takimeve të Presidentit të Republikës me Kryeministrin e Kryetarin e Partisë Socialiste, jemi të detyruar të qartësojmë se konsultimet po zhvillohen në një linjë mjaft korrekte. Kryetari i Shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë. Nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime”.

Më tej njoftimi shpreh se palët janë shprehur dukshëm të vendosur të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës. Personalisht kreu i shtetit në këtë njoftim shprehet i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.

Reagimi i Presidentit vjen një ditë pasi ai kreu rolin e ndërmjetësit për të zgjidhur krizën. Dje Presidenti thirri për bisedime veç e veç kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Rama.

Pas bisedimeve palët dolën me qëndrime të pandryshuara, ndonëse i kanë rritur tonet e fjalive për gadishmëri për dialog.

Po dje Presidenti Topi u takua edhe me ambasadorët e BE dhe të Spanjës, të përfshirë gjithashtu drejtpërsëdrejti në kërkimin e rrugëdaljes nga kriza.

Opozita, edhe pse ka nisur dialogun e drejtpërdrejtë me qeverinë, e ka lënë të hapur opsionin e protestave, nëse nuk hapen kutitë e votimit për hetim parlamentar.
Qeveria nga ana e saj, thotë se është gati për çdo hetim parlamentar, duke përjashtuar hapjen e kutive.
Kriza politike në Shqipëri do të merret në konsideratë nga zyrtarët e BE gjatë vlerësimit që ata pritet të japin për përmbushjen e kushteve për heqjen e regjimit të vizave.
Një vendim lidhur me këtë çështje BE pritet ta marrë brënda 6 mujorit të parë të këtij viti.

(DanielaBonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›