E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku je? Himn i përjetësisë për Drita Çomon



Në kuadër të 20-vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit është promovuar libri "Ku je" i autores Flutura Açka, si dhe ekspozita me të njëjtin titull të piktorit Gjovalin Paci.

Romani "Ku je", i stilit postmodernist me personazhe tragjike, sjell në një stil të veçantë narrativ, botën e individit, dhunën fatale të diktaturës në jetën e shqiptarëve, marrëdhëniet e vështira me subkoshiencën dhe në raport me shoqërinë, në kohën e diktaturës së egër të komunizmit. Në roman shkrimtarja e mirënjohur Flutura Açka i thur himn mbijetesës së vlerave, ndjenjave, kujtesës, të cilat diktatura nuk arriti t’i çrrënjoste. Ky botim është promovuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, si një admiruese veçantë e veprave letrare të këtij lloji, vlerësoi me emocion promovimin e librit të Flutura Açkës, duke e cilësuar si një aktivitet të rëndësishëm për jetën kulturore shqiptare, në përkujtimin botëror të rrëzimit të Murit të Berlinit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se libri i shkrimtares, Flutura Açka, sjell tek shqiptarët në mënyrën më njerëzore, atë që s’e ke arritur ende historia, përshkrimin e jetës të secilit në kohën e diktaturës . “Autorja rrëfen e rrëfen, e ndjeshme deri në dhimbje, për viktimat e pafaj e të pafat, ndërton monologë për secilin si për të zbuluar botën e brendshme të tyre, ku ata ruanin vlerat shpëtimtare, ndaj të keqes së madhe. Shumë e shumë prej tyre nuk i shpëtuan dot të keqes së madhe që, sa ishin gjallë, e i treti pa nam e nishan kur vdiqën. Ku je? është thirrja e mallit që djeg e një nëne, e një fëmije, e një bashkëshorteje, e një të dashuri a të dashure për njeriun e zemrës në emër të dashurisë, a jetës së munguar”. Botuesja e librit, Irena Toçi, e cilësoi librin e zonjës Açka si një roman epope, në meritë të një shkrimtareje të vërtetë. “Liria si element ekzistencial i qenies është ajo çka Flutura i ka dhënë më së shumti vetes në këtë jetë, është ajo çka vlerëson më shumë; liria i ka dhënë mundësinë Fluturës të jetë kaq kreative si individualitet”, - u shpreh botuesja Irena Toçi. Një parathënie në një këndvështrim të veçantë i bëri romanit “Ku je”, kritiku i mirënjohur Ali Aliu, i cili tha se Flutura Açka konsiderohet një shkrimtare e suksesshme në tërë hapësirat shqiptare. Shkrimtarja Flutura Açka me emocion shprehu mirënjohje dhe falënderim për kryetaren e Kuvendit për vëmendjen dhe mbështetjen ndaj kreativitetit letrar dhe veprave artistike që evokojnë të kaluarën e dhimbshme të shoqërisë sonë.

Me emocione, shkrimtarja Açka tha se në Kuvend ndodhën rastësi të mrekullueshme.

Sipas shkrimtares, piktori Gjovalin Paci me ekspozitën e tij i dha zë personazhit tragjik të poetit në roman, personazh i cenuar në lirinë e tij, por që me piktura mund të shprehej me mijëra fjalë. "Është një mrekulli, - tha autorja, - që një libër, provë e historisë, promovohet pikërisht në godinën, e cila ishte në kohën e komunizmit zembereku i diktaturës".

Zonja Açka u shpreh se libri është dhe një himn përjetësie kushtuar shkrimtares Drita Çomo, e cila dhe pse u nda tragjikisht nga jeta shumë e re, për shkak të persekutimit komunist, në kohërat e sotme, sjell dritë të fortë nga tuneli i diktaturës.

Piktori Gjovalin Paci tha se në romanin e zonjës Açka ka gjetur vetveten si njeri dhe artist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›