Maskat grabisin kazinonë në Korçë
Një kazino në qendër të qytetit të Korçës është grabitur nga dy persona të maskuar. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Grabitësit kanë qenë të armatosur me pistoleta dhe nën kërcënimin e armëve u kanë marrë punonjësve të kazinosë të gjitha paratë e xhiros që ata kishin grumbulluar. Sipas burimeve nga policia, shuma e vjedhur është rreth 2.7 milionë lekë të vjetra. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar arrestimit. Në vendngjarje shkoi edhe policia e qytetit juglindor, e cila ngriti një grup pune. Agjentët po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Ngjarja
Rreth orës 05:00 të mëngjesit të ditës së djeshme dy persona janë futur në kazinonë “Admiral”, në qendër të qytetit të Korçës, e cila ndodhet përgjatë bulevardit “Republika”, në ndërtesën e Shtëpisë së Ushtarakëve. Brenda në kazino, kanë qenë dy persona, ndërkohë që nuk kishte klientë. Grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me pistoleta. Sipas deklaratave të punonjësve, ata kanë kërcënuar menaxherin e kazinosë dhe rojën e sigurisë që të jepnin të gjitha paratë që kishin brenda ose ndryshe do t’i qëllonin. Të frikësuar, dy punonjësit kanë dhënë një sasi prej 2.7 milionë lekësh të vjetra. Dy personat e maskuar janë larguar më pas në rrugicat e qytetit, për të mos u parë më. Punonjësit më pas kanë lajmëruar policinë e Korçës, e cila shkoi në vendngjarje. Pas marrjes së informacioneve të para, u vendosën postblloqe në përpjekje për të kapur autorët e ngjarjes, por pa ia arritur. U ngrit një grup pune për të hetuar këtë grabitje. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se dy grabitësit kanë studiuar mirë lëvizjet e punonjësve para se ta kryejnë atë. Ata mund të kenë pritur me orë dhe të kenë vëzhguar kazinonë, deri sa janë siguruar se brenda nuk kishte njeri tjetër, përveç punonjësve të saj. Policia ka marrë të dhënat nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.