Universitetet private, thirrje qeverisë: Hiqni TVSH-në
Drejtuesit e universiteteve private i kanë kërkuar dje qeverisë që të heqë tatimin mbi vlerën e shtuar për arsimin e lartë privat, nëpërmjet një peticioni të nënshkruar nga pronarët e të gjitha institucioneve të larta jopublike që funksionojnë në vend. TVSH-ja në arsimin e lartë privat ka hyrë në përdorim për herë të parë para dy vitesh, duke u pritur me kundërshti nga pronarët e universiteteve private, ndërkohë që qeveria ka premtuar se do ta heqë TVSH-në në kohë të shkurtër.
Universitetet private i bënë gjithashtu thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës në veçanti që të prezantojë një sistem të ri financimi, që do të mundësojë lëvrimin e fondeve nga buxheti i shtetit edhe për universitetet private, e jo vetëm për ato publike, siç ka ndodhur deri më sot.
Deklarata
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë të heqë tatimin mbi vlerën e shtuar për arsimin e lartë privat, - deklaroi në emër të universiteteve private, një ndër themeluesit e parë të një institucioni të lartë universitar jopublik, z. Aleks Luarasi, - të nisë reformën në sistemin e financimit të arsimit privat, për të mundësuar konkurrencë të plotë mes arsimit të lartë publik dhe privat”.
Ndërkohë, drejtuesi i një tjetër universiteti privat, z. Ermal Hasimja, deklaroi se TVSH-ja ka bllokuar një sërë financimesh nga pronarët e universiteteve private. Sipas tij, TVSH-ja e vjelë nga universitetet private ka bërë që shumë pronarë universitetesh të mos investojnë për përmirësimin e kushteve të universiteteve të tyre, në këtë periudhë të rëndësishme për lulëzimin e arsimit të lartë privat në vend, çka duhet të ndryshojë.
Premtimet
Deklaratat e drejtuesve të universiteteve private bazohen mbi premtimin e bërë nga Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, një vit më parë, kur deklaroi diferencim në sistemin fiskal për sa i përket arsimit të lartë në vend. “Qeveria është e vetëdijshme se ndaj jush është e domosdoshme të adaptohet një qëndrim i diferencuar, - tha atëherë Kryeministri Berisha. - Arsimit privat, që është shumë ngushtë i lidhur me interesin publik, i takon edhe një trajtim i veçantë fiskal, që ne do ta bëjmë”.
Tashmë, ekzistojnë dy qëndrime për sa i përket çështjes së TVSH-së. Ndërkohë që Kryeministri Berisha ka premtuar heqjen e TVSH-së për arsimin privat, ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ka kërkuar reduktimin e saj në 10%, nga 20% që është aktualisht. Ndërkaq, ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, paralajmëroi pak ditë më parë krijimin e një sistemi të ri financimi për universitetet.