Ku jemi me orët?!
Në një botim të kohëve të fundit mbi sahatet e ndërtuara në kohën e Perandorisë Osmane, Shqipëria përfaqësohet vetëm me tre kohëmatës. Është një botim i huaj dhe asnjë informacion nuk jepet më shumë. Nuk ka rëndësi se për cilat qytete bëhet fjalë, apo konkretisht për cilin botim, por ajo që ka zgjuar “alarmin” tek specialisti i monumenteve, historiani i arkitekturës shqiptare, Sulejman Dashi, është numri i pakët i përfaqësimit të sahateve shqiptare, kur vetëm sot ekzistojnë ende 14 të tillë në të gjithë Shqipërinë. Duke prezantuar idenë urbane të restaurimit të Kullës së Sahatit në Tiranë dhe gjithë problemet që mblidhen rreth saj, Dashi tregon se asgjë e shkruar nuk ka ekzistuar deri tani, apo ndonjë studim mbi historikun e kohëmatjes në Shqipëri, përveçse ekzistencës së një kumtese që ai ka bërë. Mungesa e informacionit mbi orët e Shqipërisë është e vetmja arsye pse në botimin e huaj janë regjistruar vetëm tri sahate. Çfarë do ta zbulohet nga kjo histori e kohëmatjes sonë më tej, do të shërbejë një muze i ngritur pas Kullës së Sahatit, që dikur ka funksionuar si dyqani i sahatçiut. “Kjo gjini arkitektonike ka rëndësi urbane, sepse ishte për tregun, por ishte edhe për qytetin. Ky është fenomen i qyteteve shqiptare dhe është në rrugë origjinale”, - mbi këtë arsye Dashi shpjegon në intervistën e mëposhtme, pse bëhet i domosdoshëm restaurimi i sahatit të Tiranës, po ashtu dhe rëndësinë e krijimit më në fund të një historie të kohëmatjes në Shqipëri.
Siç e dimë, tashmë kulla e sahatit në Tiranë po restaurohet. Cila është ideja e restaurimit në këtë zonë urbane?
Ideja e restaurimit në këtë zonë urbane vjen meqenëse kulla e orës është një nga fenomenet urbane shqiptare që mori shtat qysh nga shekulli i 16-të, edhe sahati i Tiranës bën pjesë në këtë dukuri urbane të qyteteve tona. Ai filloi të ndërtohet në vitin 1821, por Haxhi Ethem Beu u largua nga lufta ndërfeudale, ajo midis feudalëve shqiptarë dhe sahati i Tiranës u përfundua nga esnafët e Tiranës në vitin 1836. Ajo ishte e tipit akustik dhe kishte një formë tjetër, vetëm kulla është nga origjina e vjetër e këtij sahati. Sipër kishte një arkadë dyshe për mekanizmin dhe një kambanë, në stilin rokoko. Në vitin 1928 sahati i Tiranës mbeti pa mekanizëm, sepse u vodh gjatë Luftës së Parë Botërore.
Pikërisht në këtë vit, një komunitet shkodran i dhuroi shtetit një mekanizëm të ri ore, i cili kishte edhe fusha për shikim. Rrjedhimisht u ndryshua forma e sipërme dhe inxhinier Dhespoti ishte ai që projektoi sahatin e Tiranës. Ky inxhinier është dhe arkitekti që ka bërë Lidhjen e Shkrimtarëve, sot Ministria e Kulturës. Kështu u ndërtua sahati, me pjesën e sipërme prej betoni, ndërsa, ne, tani po bëjmë trajtimin e sahatit duke e menduar që të rregullojmë dhe sheshin, hapësirën publike përpara tij. Mbrapa sahatit do të rivendoset dhe dyqani i sahatçiut, i cili, dikur, rregullonte orën me kalimin e kohës.
Çfarë ndryshimesh do bëhen sa i takon territorit të sahatit, fushëpamjes, sheshit?
Nuk ka ndryshim te sahati, ai do të ketë sheshin e vet. Territori i sahatit do të jetë ai ekzistuesi. Mbrapa do të ketë dyqanin e sahatçiut, i cili tani do të funksionojë si muze, për kohëmatjet në Shqipëri, ku do të ekspozohen me makete foto dhe portrete personash që kanë ndërtuar sahatet në Shqipëri, si për shembull Ali Pashë Tepelena.
Dyqani i sahatçiut ka qenë pikërisht tek vendi që tani po e mendoni si muze, si do ritrajtohet?
Dyqani prapa sahatit është atje ku ka qenë, vetëm se, ne, po e ritrajtojmë duke i vënë një arkadë dyshe si xhamia, një recepsion për njerëzit që vijnë për të vizituar, të cilët do të njihen me historinë e kohëmatjes në Shqipëri.
Pra, ky do të jetë koncepti i muzeut dhe i sheshit të sahatit që do të jetë një bordurë siç është në krahun e majtë, rreth e rrotull, dyqani i fotografit që është këtu në bri do të kalojë mbrapa dhe do të mbyllet kalimi përballë bashkisë, pasi nga mbrapa është vend për pisllëqe, nevojtore. Nuk mund të shkohet andej.
Sidoqoftë ideja është që sahati të jetë i çliruar në katër anët e tij, për pamjen e tij dhe të funksionojë së bashku me muzeun edhe recepsioni.
Muzeu çfarë funksioni do të ketë, çfarë do të pasqyrojë?
Muzeu do të përmbajë historinë e kohëmatjes në Shqipëri, ku do të përfshihen gjithë kullat e sahatit që ekzistojnë. Në kohën e Perandorisë Osmane kullat e orës u ndërtuan së pari në Ballkan dhe pikërisht në Shqipëri sepse kishim marrëdhënie me Venedikun dhe me vendet e Perëndimit.
Dhe në këtë histori, cilat qytete përfshihen dhe kush ishin emrat që ndërtuan sahatet, e përmendët pak më lart njërin, Ali Pashë Tepelenën, po të tjerë?
Historia e kullave të orës në Shqipëria lidhet me vendet ku ato janë ndërtuar dhe konkretisht sahate të tillë kanë qenë në Gjirokastër, Libohovë, Kaninë Vlorë, Peqin, Elbasan, Tiranë etj. Po ashtu ka pasur dy sahate Berati, një Durrësi po ashtu edhe Shkodra ka pasur dy sahate. Ndërsa emrat që u morën me ndërtimin e sahateve lidhet me figurat historike të vendit tonë si Haxhi Ethem Beu, Kapllan Pasha, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Bushatlliu etj., është pra Shqipëria e fundshekullit XVIII dhe e fillim shekullit XIX.
A mund të flasim se kur fillon konkretisht kohëmatja në Shqipëri, si mbahet mend dhënia e orës së parë, historia e nisjes së ndërtimit të tyre?
Kjo histori ka një datim tepër të hershëm, i pari sahat ka qenë në Shkup, në vitin 1555. Më pas kishte një në Prizren dhe Elbasan, më pas u ndërtuan dy kullat e Beratit, po ashtu një kullë kishte edhe Durrësi. Kurse gjatë shekullit XIX, pra në fillim të këtij shekulli, u ndërtuan kulla sahati në qytetet e Tiranës, Kavajës, Peqinit, kalaja e Krujës ka sahat, e Prezës dhe ajo e Kaninës. Në Libohovë gjithashtu është një kullë sahati. Pra, janë sahate shumë interesante në Shqipëri, por kryesisht me tingull, me kumbonë. Kur doli ideja e fushave pati rikonstruksione, ku u përfshi edhe sahati i Tiranës dhe ai i Kavajës, kurse i Peqinit mbeti ai që ishte, pasi katër kolonat u mbyllën dhe u krijua vendi i mekanizmit.
Rikonstruksioni me fushë ishte brenda origjinalit, siç ka qenë ideja në fillim? Kur ndodhi ndryshimi i madh i orës, si teknologji?
Në 1928 u bë rikonstruksioni, ku sahatet u bënë me fushë, kjo ndodhi pasi qyteti kishte mbetur pa matjen e orës. Mirëpo mekanizmi me fushë ishte më komod, sepse nuk dëgjohej vetëm zhurma, por edhe shihej ora. Kështu pati rikonstruksione edhe në sahate të tjera, po në këtë drejtim, si ai i Kavajës. Kurse sahati i Peqinit nuk ndryshoi. Por Peqini vetë, bashkë me xhaminë, që është pjesë e të njëjtit projekt, na jep një model arkitekturor tepër origjinal. Minarja dhe sahati janë pjesë e të njëjtës ndërtesë. Por, kemi edhe sahatin e Korçës që u prish në vitin 1967, pjesë e xhamisë së Mirahorit. Këto ishin objekte kolektive për kohëmatje që i shërbenin tregut edhe qytetit. Janë mbresëlënëse fjalët e shkruar nga Kasati i Elbasanit për orën: “këtë sahat të bukur dhe të saktë që mat orë e minutat nga të katër anët, dhe u prin myezinjve për të matur vaktet e shenjta...” dhe kjo orë është ndërtuar nga Aqif Pashë Elbasani, ndërsa i biri i tij na dha datën e monumentit, vitin 1899.
Në çfarë gjendjeje janë këto sahate, sa prej tyre ekzistojnë sot?
Sahatet e Kavajës, Peqinit dhe ky i Tiranës janë në gjendje të mirë, po ashtu dhe sahati i Gjirokastrës, që e kam restauruar vetë bashkë me sahatin e Libohovës, në të cilin është ndërhyrë pak kohë më parë. Për sahatin e Kaninës ka një projekt për t’iu rikonstruktuar pjesët, sepse janë dëmtuar shumë. Qysh nga koha e luftës nuk është vënë dorë në këtë sahat. Këto sahate pak a shumë funksionojnë akoma edhe sot. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për sahatin e Beratit që nuk ekziston më, po ashtu edhe sahati i Korçës është zhdukur fare. Edhe Shkodra e ka pasur kullën e sahatit në Kala, por edhe ajo është zhdukur bashkë me shtëpinë e Mehmet Bushtlliut kur u bënë bombardimet. Madje unë kam një dokument kur Mehmet Bushatlliut i shkruante konsullit venedikas kështu: “ǒu bë për atë elozhën që unë kam porositur për kullën e sahatit që kam ngritur lart në Kala”. Pavarësisht kësaj, në Shkodër është një sahat tjetër që quhet sahati i Englizit, që ekziston në qytet.
Sidoqoftë kohëmatja në Shqipëri është shumë interesante, ka madje sahate si ai i Kavajës, që ka datën 1840, Torino - dhe është akoma mekanizmi i vjetër, si edhe në Peqin, e Gjirokastër - të paktën në këto që i kam rilevuar dhe restauruar unë. Qyteteve ku sahatet janë zhdukur fare nuk kemi çfarë t’iu bëjmë tani, por mirë është që edhe aty të ishte një kullë sahati historike, pasi janë qytete me rëndësi.
Çfarë e bën të rëndësishme dhe interesante prezencën e kohëmatjeve në Shqipëri, meqë ju jeni pjesë jo vetëm e restaurimit, por edhe historian i tyre?
Kohëmatja është interesante. Madje kam lexuar një botim kohët e fundit mbi sahatet monumentale në Perandorinë osmane, dhe për ne, si sahate përfaqësuese nga Shqipëria kishin vënë vetëm tri sahate. Kjo ka ndodhur pasi nuk kanë pasur të dhëna për prezencën dhe historikun e të tjerave. Dua të them që kjo gjini arkitektonike ka rëndësi urbane, sepse ishte për tregun, por ishte edhe për qytetin. Ky është fenomen i qyteteve shqiptare dhe është në rrugë origjinale.
Ju përmendët një botim të huaj, të kohëve të fundit mbi sahatet ku është përfshirë dhe Shqipëria. Cilët janë sahatet që na përfaqësojnë në këtë botim?
Kanë vënë sahatin e Tiranës, të Elbasanit dhe një tjetër, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që dua të theksoj është fakti se në Shqipëri nuk kanë qenë vetëm tre, të paktën 14 sahate janë ekzistuese sot, pa përfshirë kishat që kishin sahate si ajo e Nartës, dy kishat kryesore në Shkodër.
Ju thatë se ky botim e shënon Shqipërinë vetëm me tri sahate, kur 14 janë ekzistues. Thatë edhe arsyen se ka mungesë informacioni mbi to, por në vend a kemi ndonjë studim, apo botim mbi sahatet?
Ekziston vetëm një kumtesë e imja mbi kullat e sahatit në Shqipëri, gjithashtu është hedhur herë pas here ndonjë e dhënë. Por tani mendojmë se me rastin e muzeut të përgatisim dhe një botim të vogël, që kur të vijnë turistët të marrin historinë e kullave të orës në Shqipëri, që lidhen kryesisht me faltoret.
Para disa kohësh kur sapo nisët punën, bashkia sikur i kishte ndërprerë këtu punimet, cila ishte arsyeja?
Jo. Ka qenë një problem i projektit, që nuk po binim dakord. Meqë plani francez na i ngatërroi këto gjëra, unë kisha menduar që i gjithë ky sheshi para sahatit të ishte për këmbësorë, të mos ketë më makina. Edhe në planin francez ky vend është bosh, nuk e ka me makina. Ata nuk e dinin që këtu nuk ka ndërtim. Por, pavarësisht nga kjo, dhe me kaq sa hapësirë kemi, e bëmë sahatin të jetë i dukshëm.
E vështirë është të jetë prapë i dukshëm, pasi pjesa përballë siç e shihni është mbushur me makina, dhe përdoret si zonë për parkim, për taksi, autobusë... si do veprohet?
Ai është problem tjetër pastaj. Ai është një problem i bashkisë, por në plan e kanë të mos ketë më parking, por kur t’i vijë koha.
Ju e keni bërë problem këtë, pasi si thoni, kjo hapësirë i nevojitet sahatit?
Nuk është detyra jonë urbanistika e qytetit. Ne, mjaft që ta largojmë sahatin nga këmbësorët, të cilët kanë ngjitur në muret e tij lajmërimet e varrimit. Kjo gjendje që ka sot nuk durohet më sy, ato nuk duhet të ngjiten më aty. Pra, do të jetë bosh rreth e rrotull, nja dy vazo me lule dhe do duket mirë. Ky shesh duhet të jetë i rregullt nga pikëpamja vizive, aq më tepër kur edhe bashkia ka bërë një rrugë me kalldrëm që fillon dalëngadalë të bëhet unike për krejt sheshin. Shpresojmë që kjo të bëhet mirë, që kjo të trajtohet mirë, pasi IMK dhe Bashkia kanë marrëdhënie konstruktive, nuk është problemi se ka konflikte siç ka në Shqipëri.
Kur është restauruar sahati për herë të fundit?
Për herë të fundit është restauruar në vitin 1981, kur bëmë minaren, trajtuam pak edhe dyert e sahatit. Tani këto dyer janë kalbur dhe po vihen të reja, do suvatohen e do lyhen. Dhe një fond i ambasadës amerikane, i cili sapo është akorduar do të shkojë për pastrimin e Kullës nga jashtë, me skeleri dhe mbulimin e kapuçit, po nga jashtë me fletë bakri që të jetë i përjetshëm. Kështu mbyllet një herë e mirë ky restaurim, historia e kullës së sahatit në Tiranë. Kurse për orën vetë, që është elektronike, inxhinieri ka shkëputur tani lidhjet me qytetin dhe po e bën të funksionojë me akumulator, lart, që të mos ketë ndërprerje të saj. Por, mekanizëm lart nuk ka, kështu që vizitorët do të kenë mundësi të hipin tek ballkoni për ta parë Tiranën. Do të duket mirë.