Tregtia me jashtë, rritet deficiti me 17.1 për qind
Instituti i Statistikave publikoi dje të dhënat e tregtisë me jashtë. Sipas INSTAT, në shtator 2009 u eksportuan 9.548 milionë lekë mallra, me rritje 33.6 për qind në krahasim me gusht 2009 dhe ulje me 10.9 për qind në krahasim me shtator 2008. U importuan 40.666 milionë lekë mallra me rritje 20.6 për qind në krahasim me gusht 2009 dhe rritje 9.7 për qind në krahasim me shtator 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 31.118 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 17.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me muajin shtator 2008. Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian janë 68 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 63.3 për qind dhe importi 20.7 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 6.2 për qind dhe importi 16.7 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë: për eksportin, Austri, Gjermani, Greqi, Itali, Turqi etj., dhe për importin, Austri, Greqi, Itali, Rusi, Kroaci, Maqedoni etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 5 herë, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 91.9 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 55 për qind etj. Ndërsa eksporti i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 5.3 për qind. Importi i grupit “Prodhime druri dhe letre” u rrit 50.8 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 42.9 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 39.1 etj. Ndërsa importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 1.4 për qind. Në shtator 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 4.878 milionë lekë, duke zënë 12 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me gusht 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 20.8 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (58.9 për qind).
Vaditja, plan veprimi për krijimin e një sistemi modern
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e grupit të punës për vaditjen, ku u diskutuan hapat e mëtejshëm dhe mënyrat më efiçente në hartimin e projekteve, për të vendosur sistemin më të mirë dhe më bashkëkohor të vaditjes në vend. Në këtë mbledhje merrte pjesë ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, zoti Genc Ruli dhe grupi i ekspertëve dhe specialistëve të fushës. Në këtë mbledhje u diskutua mbi aspekte të ndryshme për krijimin e një sistemi modern dhe bashkëkohor të vaditjes, si nevojat për rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes, nevoja për projekte të reja me financime të donatorëve, përgatitja e projekteve të zbatimit, administrimi i ujitjes, objektet kryesore dhe impakti i pritshëm i investimeve të parashikuara për vitin 2010 për ujitjen dhe kullimin. Duke e konsideruar problemin e vaditjes një problem shumë jetik për vendin, Kryeministri Berisha ndoqi mendimet dhe sugjerimet e ekspertëve të grupit të punës mbi rishikimin e të gjithë skemës së vaditjes dhe kullimit, avancimin e konceptit mbi shoqatat dhe organizatat e vaditjes, për nevojën e punës së menjëhershme për mirëmbajtjen e sistemeve ekzistuese etj. Kryeministri Berisha theksoi se është i domosdoshëm një partneritet sa më i ngushtë me pushtetin vendor në këtë drejtim, një thellim i rolit të autoriteteve lokale duke filluar që nga hartimi dhe propozimi i projekteve që prekin direkt interesin e fermerëve dhe jetën e tyre të përditshme.