E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundër ndarjes

Nga Express më 26 maj 2011 në ora 10:08

Përfaqësues të pakicës serbe kundërshtojnë fuqishëm idenë e ndarjes së Kosovës, duke e quajtur si një opsion joreal.

Gjatë një debati të mbajtur të mërkurën në Çagllavicë me temën “A është e mundur ndarja e Kosovës?”, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Peter Miletic ka deklaruar se serbët e Kosovës çdo gjë që kanë, është në pjesën jugore të Ibrit, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe ekonomik, pasi që serbët e Veriut pa këtë pjesë, do të bëheshin komuniteti më i varfër.

“Ndarja e Kosovës është një opsion joreal dhe në këtë moment nuk është e mundshme, nëse nganjëherë ka qenë e mundur një gjë e tillë. Ndoshta kjo ka mundur të ndodhë para negociatave në Vjenë. Dhe unë thjesht nuk e besoj një gjë të tillë dhe them si qëndrimi zyrtar politik dhe mendimi im përputhet me këtë, se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e keqe, para së gjithash për serbët e Kosovës dhe mendoj që është zgjidhje e keqe për serbët që jetojnë në pjesën e Jugut dhe në veri të Jugut”, ka thënë Miletic.

Kundër idesë për ndarje është edhe deputetja Rada Trajkovic, e cila i ka komentuar edhe deklaratat e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic.

Ajo tha se deklarata e Dacicit ka qenë më shumë një parullë sesa deklaratë që nënkupton një deklaratë me strategji dhe me diçka që dikush qëndron seriozisht pas saj, dhe e cila e ka ndryshuar karakterin e vet dhe nuk është serioze.

Në këtë debat, kryetari i Lëvizjes së Rezistencës serbe, Momcilo Trajkovic ka thënë se ndarja e Kosovës ka qenë bisedë edhe gjatë viteve ‘90 në mes tij dhe përfaqësuesve të Beogradit, por si atëherë, si sot, thotë se nuk është përkrahur ndarja e Kosovës.

“Për mua, ndarja e Kosovës është Shqipëria e Madhe dhe Serbia e Vogël”, ka thënë ndër të tjera ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›