E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ndodhemi ne sot?

Georgi Gospodinov, shkrimtar i sotëm bullgar, ka lindur më 1968. Është autor i disa librave në prozë: “Lapidarium” (1992), “Qershia e një populli” (1996), “Roman i vetvetishëm” (1999), përmbledhja me tregime “Dhe histori të tjera” (2001), etj.
Georgi GOSPODINOV

Në të gjitha stacionet hekurudhore në botë gjen po ato ngjarje e po ato subjekte, që kanë në qendër tualetet e stacioneve e ku personazhe vepruese janë bashkëkombësit tanë.
Historitë e rrëfyera vërtiten rreth një veprimi: si t’ua hedhim dyerve automatike të këtyre tualeteve, domethënë, si ndodh që prania e bullgarit pranë këtyre dyerve e bën të pamundur funksionimin e sistemit automatik një monedhë – një nevojtar që do të zbrazet në tualet.
Po të hedhësh vetëm një monedhë dhe trupat nevojtarë të rrëshqasin shpejt e shpejt njëri pas tjetrit pa hedhur secili monedhën e vet, ke gjetur metodën sesi, pa nxjerrë parà nga xhepi, të zbrazen një lukuni e tërë udhëtarësh nevojtarë.
Në një rast të tillë, kam dëgjuar, në një stacion treni në Gjermani automati i derës së tualetit nuk mbajti më dhe u bllokua. Kolektivi i vogël ekskursionist i mbetur brenda, meqë nuk dinte si të kërkonte urgjencën në gjermanisht, zuri të këlthasë e të sokëllijë të vetmen fjalë gjermanisht që dinte e që, me siguri, e kishte mësuar nga filmat e vjetër sovjetikë me luftë. Pikërisht fjalën:
Achtung!!! Achtung!!!
Fjalë që shkaktoi një panik të papërshkrueshëm në stacionin hekurudhor gjerman, me zbrazjen e sallës së pritjes dhe me thirrjen e menjëhershme të reparteve të luftës kundër terrorizmit.
Kësisoj, u krijua një situatë kur një palë nga brenda vikatnin achtung, kurse pala tjetër nga jashtë bllokonin zonën, që të mos hynte njeri dhe prisnin shpërthimin e bombës.
Përgjigja për pyetjen “Ku ndodhemi ne sot?”, është analoge me historinë që sapo u rrëfeva.
Nga tualetet dalin thirrje paralajmëruese. Të gjithë e kanë të qartë se ç’po ndodh, por asnjë nuk e hap derën dhe asnjë nuk del. Kurse e vetmja dalje e tualetit është teposhtë. Drejt ferr-tartarit.

Përktheu Abdurrahim Myftiu

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›