E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Transportit Urban: “7 kërkesat për shtetin”

Drejtuesit e transportit urban vazhdojnë të kërkojnë rritjen e tarifës së biletës. Kjo kërkesë ka mëse 6 muaj që kërkohet nga Shoqata e Transportit Urban, të cilët në një takim kanë paraqitur edhe një herë 7 kërkesat që duan t’u plotësohen nga Bashkia e Tiranës. Ata kërkojnë që Bashkia të subvencionojë lëvizjen e disa kategorive që lëvizin falas mbi bazën e disa dokumenteve. Kjo, pasi pronarët e lëvizjes urbane kanë humbje të mëdha me rritjen e çmimit të naftës. Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Fatos Vrapi, kërkoi që të rritet çmimi i biletës deri në 50 lekë, ose Bashkia të subvencionojë çmimin dhe atëherë kjo shumë të bëhet deri në 30 lekë. Po kështu, subvencionimi duhet të përfshijë edhe udhëtimin falas për invalidët, veteranët e luftës, të verbrit dhe jetimët. Një kërkesë tjetër është që të ruhet konkurrenca, pasi subjekte të palicencuara konkurrojnë tregun e punës në mënyrë të pandershme. Sipas kryetarit të Shoqatës, pajisja me abone e shoqërive të bashkisë të tjera të mos jetë njëlloj me ato të tyre. Një situatë e tillë lë vend për mjaft abuzime. Linja e vetme dhe shtetërore që subvencionohet është linja e transportit urban të Kombinatit. Shoqata ka kërkuar që për transportin urban të krijohen korsi të veçanta në të gjitha rrugët. Ndërsa kërkesat e shoqatës janë të qarta dhe kërkohen me ngulm, ata që do të paguajnë më tepër janë qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi që të paguajnë një shumë të tillë për lëvizjen me urban. Para viteve 2000, transporti i shërbimit urban ka qenë shtetëror dhe ishte përqendruar në një ndërmarrje të vetme, atë të Parkut të Autobusave. Subvencionimi nga shteti ka qenë i detyrueshëm. Në kushtet e kalimit të linjave urbane nga shtetërore në private, ligjet mbetën po ato, përsa i përket biletës, udhëtimit të kategorive të ndryshme me dëshmi apo abonesë etj.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›