E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ta di unë?

Elsa Demo

Është autobiografia e Millos Formanit (1932) që mban këtë titull, e shkruar në bazë të rrëfimit në dy net përballë dokumentaristit Jan Novak. Ku ta di unë u botua më 1993. Piro Milkani e ka përkthyer në shqip, dhe pritet të hidhet në qarkullim në fillim të vitit 2012 me tjetër titull. Ka një hendek në mes të botimeve të kësaj fushe tek ne. Me përjashtim të një autobiografie të Marlon Brandos, një librushke për Greta Garbon zor ta njomë gjë tjetër thatësirën e kulturimit kinematografik përmes librit shqip.

Piro Milkani na prezanton për herë të parë një fragment nga libri.

Libri është gati?

Po rishikohet dhe redaktohet. Dhe natyrisht po kërkoj financim për botimin. Ambasada Amerikane ka ndihmuar, ndërsa Ambasada Çeke mund të jetë e gatshme nëse realizohet ëndrra ime, që në vitin e ardhshëm, kur Millos Forman mbush 80 vjeç, të vijë në Festivalin Ballkanik të Pogradecit, në fund të gushtit. Edhe pse i fortë fizikisht, ai ka frikë nga avionët. Forman është për mua modeli i regjisorit që me përpjekje të mëdha, pa i shkelur këmbën askujt, ka arritur majat më të larta.

Pse mendoni që titulli duhet ndryshuar?

Sepse jam dakord me botuesin që duhet të jetë pak më intrigues, për shembull: Gjeniu që pushtoi Hollivudin. Duke lexuar jetën e tij çdo njeri e ka të qartë se në çfarë fazash kaloi historia dhe kultura çeke para luftës së dytë botërore, gjatë luftës, komunizmi, emigracioni, vështirësitë e një emigranti politik dhe suksesi.

Titulli me gjeni mund ti shkojë kujtdo. Është e nevojshme të intrigohet lexuesi drejt Formanit? Sa e pranishme ka qenë kinemaja e tij në mjediset shqiptare?

Për fat të mirë është e njohur. Mjafton tiu përmend Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes Flokët apo Amadeus, këta pas nëntëdhjetës.

Dikur jemi befasuar me Dashuritë e një biondeje, i nominuar për Oskar në vitin 1966-67, që e bëri të njohur regjisorin në botë. Në atë kohë, Film Eksporti çekosllovak, dërgonte në Kinostudio prodhimet e veta. Ne kishim privilegjin që ato filma ti viziononim, natyrisht në një sallë të mbyllur, vetëm për regjisorë dhe operatorë. E pastaj me një letër falënderimi i dërgohej Film Eksportit çekosllovak që këto filma nuk shfaqen në Shqipëri.

Quheshin gjakprishurit e bllokut komunist, artistët e përfshirë në lëvizjet e 68-ës?

Absolutisht asnjë film lindor nga viti 72 e këtej nuk erdhi më në kinema. Aq më tepër pas plenumit IV kur u vu theksi mbi luftën kundër revizionizmit, më kollaj mund të shihje një film anglez, italian, francez me temë sociale, por filmat e vendeve lindore, përfundimisht nuk patëm mundësi ti shihnim as për vizion. Sigurisht që përmes kanaleve italiane dhe Jugosllavisë pamë dhe filma të tjerë çekë, polakë, hungarezë, dhe mbajtëm një lloj kontakti me atë botë. Kështu pra, ai film është lidhja ime e parë me Formanin.

Në rend kohor, një vit më vonë Forman gëzon tjetër sukses ndërkombëtar me një komedi…

Zjarr po bie kukulla ime gjithashtu ishte kandidat për Oskar. Në libër, në fragmentin që po ju jap për botim, ai përshkruan ankthin dhe dëshpërimin që ka në atë sallë. Pastaj vjen pushtimi i Çekosllovakisë dhe ai me dhimbje largohet nga vendlindja, duke lënë familjen, djemtë. Jeton në Nju Jork për tre vjet me 1 dollar në ditë, si një emigrant. Amerika siç e shkruan ai, është e dashur po dhe e egër. Krejt rastësisht në atë hotelin e tij që e ka si një vend të dashur, i vjen një libër të cilin të gjithë kineastët e refuzonin. Një libër mbi një spital psikiatrik Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes.

Vepra që e nxjerr nga statusi i emigrantit apo jo?

Ka pasur vështirësi të gjejë fondet, bëhet fjalë për 2-3 milionë dollarë dhe njëkohësisht i mbylleshin dyert e klinikave që nuk pranonin të xhirohej aty. Arriti ta realizojë atë vepër që të gjithë e kishin refuzuar duke e parë në planin komercial se çfarë do të japë një film me të sëmurë psikikë. Xhek Nikolson pranoi. Është e jashtëzakonshme se si e përshkruan ai atmosferën e shfaqjes së parë, kritikat e para të vakëta në shtypin amerikan, shfaqja e parë në Nju Jork, seanca e parë me 16 spektatorë, seanca e dytë me 30, në mbrëmje me 300 dhe nga dita në ditë filloi të rritej. Mjeshtrit e marketingut thanë që filmi do ti nxjerrë paratë, mbas një jave do ti dyfishojë, përfundimisht filmi doli me një fitim 30 e ca milionë dollarë. Ky ishte prodhim i një kompanie serioze amerikane por jo hollivudiane.

Dikush kishte besuar me kohë tek ai. Çfarë tregon Forman për shtysën e familjes së aktorëve Dagllas?

Kërk Dagllas kishte blerë të drejtën e autorit të librit dhe e mbante prej 20 vjetësh sepse nuk gjente producentë. Atëherë i biri, Majkëll Dagllas me Saul Zaentz, një hebre që kishte një shtëpi diskografike, ia ofrojnë Formanit. E bukura në këtë histori është që mbasi filmi futet në rrugë të mbarë, regjisorit i vjen rasti të takohet me Kërkun. Fjala e parë që i thotë aktori është: Millosh Forman, e di që je një bir kurve? Kur të dërgova këtë libër as që e çave kokën, e tani po entuziazmohesh.

Në vitin 1966 Kërk Dagllas, ky aktor legjendë e filmit amerikan gjatë një vizite në Çekosllovaki – i kishte parë filmat e Formanit – i premton ti nisë romanin e Ken Kesey-t. Po libri nuk erdhi kurrë. Duket se sigurimi, doganat komuniste e bllokuan atë. Duke e kuptuar këtë gjë, Forman i jep të njëjtën përgjigje: E dini që edhe unë të njëjtën gjë kam menduar për juve?

Si e komenton shkëputjen dhjetëvjeçare nga vendlindja?

Forman ishte ndër regjisorët çek më të mirë. Është e vërtetë që Jirzhi Menzëli me filmin Trenat e survejuar rreptësisht kishte fituar Oskar, e vërtetë ishte që ky grup kineastësh çekosllovakë bënë atë që quhet Vala e re në atë Pranverë të Pragës në vitet 1962-68. Por emri i tij ishte i njohur tashmë në vende si Franca, Suedia, apo Zvicra ku Forman kishte fituar me Petrin e zi çmimin e filmit më të mirë në Lokarno duke konkurruar me të madhin Antonioni dhe Zhan Lyk Godarin. Tre vjet u përpëlit me dëshirën për të gjetur rrugën dhe kur i hapen dyert me Dikush fluturoi në folenë e qyqes, mbytet nga ofertat dhe atij i mbetet vetëm të zgjedhë.

Pse na sugjeruat për botim pjesën Ajo që nuk të vret?

Sepse mendoj që është goditëse. Menjëherë pas saj ai fillon me fëmijërinë, se si shikon filmin e parë 4-vjeçar, se si sapunët me figurinat që prodhoheshin në gjithë botën nga momenti kur ai magjepset nga Borëbardha dhe shtatë xhuxhat, i mbledh në një kuti dhe dha urdhër në familje që askush nuk do të lahet me këto. Dhe se si gradualisht pëson tragjedi të rënda. Nëna i vdes në kamp përqendrimi, babai i vdes në burg dhe del nga lufta jetim. Fati, kushtet e një vendi si Çekosllovakia dhe vullneti i tij e shtyjnë që të studiojë, të bëhet një njeri normal me të mirat dhe të këqijat të cilat i pranon dhe vetë, të mbarojë një shkollë dhe të studiojë kinema.

Për mua është një manual mbi magjinë dhe sakrificën që bëhet për të arritur në një vepër të përkryer artistike. Mjafton kapitulli i Amadeusit. Mendoni që kur u realizua në vitin 1984, në kohën e një krijimtarie të bollshme të filmit amerikan, nominohet për të 11 kategoritë dhe rast i rrallë kur të dy aktorët e filmit, si Amadeusi si Salieri janë kandidatë për aktorin më të mirë.

Çfarë zbulohet nga

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›