E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ta gjente Rama fisnikërinë të uronte fitimtarin!

10-07-2011 / Nga Luan Myftiu

Kur Rama u shpreh që nuk ishte politikan, pati njerëz që besuan se donte të ishte i thjeshtë, human, qytetar e fisnik. Kurse ata që e njihnin, qeshën me hipokrizínë e tij banale. Rama tentoi kështu të ngrihej mbi gjithë politikën shqiptare. Se si gjithë diktatorët mediokër edhe Rama beson që Historía fillon nga dita e ngjitjes së tij në “poltron”. Ndoshta prandaj politika e priti këtë shpoti të tij si mllefin arrogant të një anarkisti “liberal”. Mirpo, meqë Rama e do më shumë se duhet veten, pati që shpresuan se do të tregohej sa i vlente lëkura, kur të përballej me një humbje të paqortueshme. Kurse ai tregoi përsërí se ambicia e tij e sëmurë për pushtet të pamerituar e kish katandisur të revoltohet ndaj kujtdó që e pengonte. Madje, edhe ndaj atyre që vetëm sa qartësojnë vullnetin e sovranit. Dhe kjo grykësi e Ramës për pushtet të pamerituar është një mjerim më i madh se humbja e tij me 93 vota. Prandaj ai nuk gjeti dot një fjalë urimi për fitimtarin. Se Rama nuk i kishte lënë vend vetes për t’u treguar lider, që kërkon pushtet për t’u shërbyer sa më shumë të tjerëve. Ndoshta kjo varfërí e vajtueshme ideali e detyroi të merrte qëndrimin e një “misionari” hipokrit, që zemërohet edhe me veten, kur nuk i buzëqesh fitorja. Prandaj, në vend që të uronte kundërshtarin për fitoren, akuzoi Kolegjin Zgjedhor, i cili, i marrë gjoja peng nga ata që çmuan më shumë drejtësínë e procesit, sesa vetë fitoren, paska “vdekur” bashkë me gjithë Drejtësínë. Mirëpo këtë akuzë poshtëruese ndaj Kolegjit Rama e bëri në çastin, kur ky tregoi shkallën më të lartë të integritetit moral e profesional. Bilé, kur ankimimet e rafinuara të përfaqësuesve të tij do të kishin hutuar, ndoshta dhe personalitete juridike shtetesh, ku nuk pyetet as për mandatin e Presidentit. Se, pas gjithë atyre kërcënimeve të Ramës, vështirë të gjendet një trupë gjyqësore, që të tregohet kaq dinjitoze. Nga ana tjetër vështirë të haset një shqiptar i ndershëm që të mos jetë emocionuar me personalitetin e anëtarëve të atij Kolegji, që guxoi të ngrihet në rolin e misionit të shenjtë të një Drejtësíe vërtet demokratike. Vetëm kjo duhej ta kishte detyruar Ramën të mos e quante “të vdekur” Drejtësínë. Se gjyqtarët e Kolegjit nuk mund t’i merrnin kërcënimet publike të Ramës ndaj tyre si  një inkurajim për të vendosur kundër tij.(!) Kjo metodë ka pasë qënë një nga dhelpërítë  e qoftëlargut, “gjenialitetin” prej intriganti të të cilit, Shqipëría endé nuk e ka zbuluar deri në fund. Po, nëse Ramës i kishte ardhur vërtet keq për këta juristë të marrë “peng”, përse i kërcënoi ? Përse u ngarkoi dhe përgjegjësítë e pasojave të rënda kombëtare?!... 
Ndonëse është thënë, na duhet ta përsëritim që humbja e Ramës është vërtet një fitore për të. Se, si përfaqësues i vullnetit të një opozite goxha të madhe në numër, Rama nuk po tregon ndaj saj as respektin, as përgjegjësínë minimale. Se ai nuk po kryen asnjë nga misionet, për të cilat ajo i ka dhënë votën. Se nuk po respekton aspiratën e saj europiane dhe nuk po i gëzohet faktit që asaj iu hapën dyert e “kafazit”, ku e kish mbyllur ati i tij shpirtëror. Nuk mundet, pra, ambiciozi Rama t’i vlerësojë mirësínë dhe tolerancën si cilësí, që ky popull i çmon më tepër se ambicien meskine dhe arrogancën e tij harbute. Se askush nuk beson që Rama të mos e ketë kuptuar se sa shumë do të fitonte, sikur të tregohej fisnik për interesat kombëtare dhe për to të sakrifikonte madje, jo vetëm ambiciet e tij, por edhe ato partiake ! Megjithatë, le ta urojmë që kjo humbje, a ky ndëshkim i sovranit, ta ndihmojë të shkëputet nga iluzionet e marrjes së pushtetit me çdo kusht. Por, mjerisht, Rama duket ka mbetur alá te bishti i urës. Se endé kërkon një drejtësí, që t’i japë vetëm atij të drejtë. Vetëm kur kjo të shndërrohet në mjet terrori dhe miratim të montazheve të hetuesive diktatoriale, sipas tij, do të ringjallet duke u bërë  e denjë për t’u respektuar nga një shoqërí, që ajo masakroi për 5O vjet të tëra. Ndoshta prandaj Rama, në vend të ndihmojë që Drejtësía të arrijë standardet e kërkuara demokratike, duke dërguar me vrap deputetët e tij të miratojnë në parlament reforma, që do të përsosnin personalitetin e saj, i jep shoqërísë “mandatën” se kjo Drejtësí paska “vdekur” ! Dhe këtë e bën që të “justifikojë” rrëmujat e reja, bojkotet dhe bllokimet e reja për t’i hequr kështu edhe atë integritet moral që kjo Drejtësí po përpiqet të arrijë, si në rastin e humbjes së Ramës !  
Por, ndërkohë që Ramën e ndëshkoi elektorati i vet, ky përbuz ata, të cilëve u takonte t’ia thoshin të vërtetën në sy. Njëlloj si ai mbreti që tha se do të dënonte cilindo që do t’i jepte lajmin se kishte ngordhur kali i adhuruar prej tij. Mirpo, duke synuar për t’u ngjitur sa më “lart”, Rama akuzoi qeverínë si uzurpatore të gjithçkaje, prandaj u mburr se do të rinisë revanin e konfliktit artificial, që besohet se ka për ta përjashtuar atë vetë nga politika. Se, si pinjoll i kastës së xhelatëve, Rama nuk do Drejtësí. Përkundrazi ! Për të “justifikuar” humbjet e tij, ai do të akuzojë çdo institucion, edhe sikur ky të tejkalojë standardet europiane. Se dihet që fisnikëría nuk është virtyt i të gjithëve. As “Bëjnë dot të gjitha mizat mjaltë!” - siç thotë populli! Ndaj Rama, me politikën e tij konfliktuale, ka për të kërkuar gjithmonë vetëm humbjet e tij, si ajo breshka te nallbani. Ndaj si mund të pritej që ky egoist i sëmurë e ky ambicioz i çartur të uronte fisnikërisht rivalin e tij fitimitar?! Jo! Kurrën e kurrës! Rama taní do të përpiqet me thonj e me dhëmbë të qëndrojë në krye të PS-së. Po zërat brenda saj tregojnë se dardhat nuk bëhen pse i hahen aríut, kurse për të mund të jetë vonë, kur të bindet se konsensusi qëndron më lart se konflikti!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›