Të tjera lajme nga Sheshi Omonia
Të tjera lajme vijnë si ky: “Radha e njerëzve të uritur në Omonia, në Athinë, në sheshin e saj qendror, është e gjatë. E gjatë është edhe radha e të pastrehëve. Çdo ditë të uriturit, të papunët, pensionistët, nëna me fëmijë, emigrantë mblidhen për të marrë ndonjë vakt falas nga kisha”. Kam qenë gjashtë herë në Greqi, dhe asnjëherë nuk e kam huqë të mos shkoj enkas a të kapërcej përmes atij sheshi dramatik për ne. Sheshi Omonia i Athinës, për shqiptarët është më i përmenduri ndër biseda, gjeografikisht më i njohuri ndër sheshet e qyteteve të botës, pas sheshit Skënderbej në Tiranë. Madje, kur ai qe përmbytur nga emigrantët tanë, që prisnin aty për një punë, që zbarkonin aty nga udhëtimi legal a i përvjedhur, pikëpjekjet i linin aty, siç dikur njerëzit e rrethinave të Shqipërisë, për lehtësi gjetjeje të ndërsjellë caktonin sheshin Skenderbej të takoheshin bash te Monumenti, pra Omonia qe bërë emërvendi më familjar, edhe për të mbeturit këtej, nga lajmet e gazetave, televizioneve e radiove tona, nga ato greke po se po. Goditja e këtij emërvendi nëpër lajme qe si hedhja e një guri të madh në një pellg të gjerë me ujë, që ngre valë e krijon rrathë pas rrathësh, sa u deshën shumë e shumë vjet, thuajse të shuheshin, e të përftojmë përshtypjen se, sheshi Omonia nuk është më vend-lajmesh dramatike për emigrantët shqiptarët, deri me një ndikim krahasues për sheshe në Shqipëri, ku prisnin të papunët për një punë dhe gazetarët nisën t’i quanin “Omoniat tona”.
Dhe beftas, krejt beftas sidomos për ne, sheshi Omonia bëhet prapë emërvend lajmesh për keq, por këtë radhë, sheshi grek bëhet lajm nga grekët për grekët. Kurrë nuk e kam përtypur lajmin e para dy viteve, se protestat e mëdha patën nisur nga që policia vrau një adoleshent të pafajshëm. Greqia shkaqet i ka pasur përtej atij të mituri dhe, edhe më përtej asaj alibie politike apo mediatike. Kjo u vërtetua gjatë vitit të kaluar dhe në vijim, edhe sot e kësaj dite, me gjasa edhe disa vitet të tjera: borxhi proverbial i Greqisë nuk është vetëm dramatikisht i madh, por tragjikisht skandaloz për nga rreziku për vendin, nga që shteti nuk ka fuqi ta shlyej. Më 1997, në Shqipëri ndodhi ajo që ndodhi, dhe dihen ato që dihen: ishte një rebelim ideologjik i egër i së majtës për marrjen e pushtetit, sipas mendësisë - dëmtoje Shqipërinë për Partinë. Është një mendësi ende e pavarrosur thellë, sepse, fantazma e atij viti, vërdalliset nëpër Shqipëri qysh nga zgjedhjet e 2009, me bindjen se, qeveria rrëzohet më lehtë me dhunë duke e përdhosur sa më shumë vendin. Ia vlen të thuhen dy nënvizime nga ’97-ta e mbrapshtë: E para, nëse do të shpëtonte Shqipëria, që të mos i sulej ai rebelim, vërtetë do të qe habi dhe fat. Kjo habi nuk ngjau dhe atë fat nuk e patëm. E dyta, askush nuk e ka harruar, gjithashtu, që, mediat greke qenë më llahtarisëset, dhe të parat e gjithë botës, duke tronditur me lajme të qëna, të paqëna, të sajuara, të shërbyera, shpallje hartash gjeopolitike për copëtimin e Shqipërisë dhe kufij të shtyrë deri në lumin Shkumbin. Por se, sheshi qendror i Athinës, Omonia e “shqiptarizuar”, tani u është kthyer grekëve, me lajme radhësh të gjata e shpërndarje tasash me gjellë nga 400 kisha. Kjo i ka lënë të habitur shqiptarët e Shqipërisë, sa që “Sudja e tyre paskësh qenë lule” përpara Greqisë me 500 miliardë euro borxh. Siç kishat u japin gjellë në sheshe varfanjakëve të goditur nga kjo gjamë, ashtu edhe vetë shteti grek po lyp borxh të ri për të përballuar katastrofën nga borxhi i vjetër. Kemi dëgjuar nga personalitete e zyra të rëndësishme botërore të perëndimit për “shtete të dështuara”, porse rrezik për “falimentim të shtetit” po dëgjojmë vetëm për Greqinë. Dhe ky term financiar është me formulim politiko - gjuhësor tmerrues. Nëse 1997, me të keqen e vet, qe një shërbim edhe shqiptar, se si fajdet nuk duhen lejuar dhe se si nuk duhen keqpërdorur politikisht për pushtet, kriza greke është një shembull i pazakontë se si organizmat e mëdha financiare botërore nuk e vërejtën në kohën e duhur “Suden shtetërore greke” kundër vetë grekëve dhe Greqisë e, dallgës përplasëse shkatërruese të saj m’u në qendër të Bashkimit Europian. Ato nuk i vunë një digë penguese politikës financiare greke, ngaqë nuk e panë, ngaqë nuk mundën apo ngaqë nuk ditën? Politikanë grekë të tri dinastive të mëdha - Papandretë, Karamanlisët dhe Micotaqët - nëpër disa dhjetëvjeçarë, udhëhoqën falimentimin ekonomik, me një sistem politiko-financiar të gabuar, në një nga shtetet themeluese të dymbëdhjetëshes së Bashkimit Europian. Kjo rrethanë greke e dhimbshme, më sjell ndër mend një takim me ambasadorin gjerman, në vjeshtë të vitit 1991, pasi mijëra shqiptarë patën emigruar përmes malesh në Greqi, e nuk kishin të ndalur. Kapitalizmi grek qe shokues për të ikurit shqiptarë, por ambasadori gjerman që e kishte hetuar këtë si një joshje për emigrim të pandërprerë përmes malesh, më pati thënë në takimin në ambasadë se, nga ju shqiptarët Greqia shihet si një vend i lulëzuar, por Greqia është vendi më i prapambetur i Bashkimit Europian. Ashtu siç Shqipëria është 20 vjet prapa Greqisë, po ashtu Greqia është 20 vjet prapa Gjermanisë.
A ka “Sude” më të madhe se kjo: nëse në Shqipërinë e papërvojë u ngritën e u keqpërdorën piramidat financiare për pushtet, administrata greke e ditëve të sotme është cilësuar një përbindësh burokratik, sepse 1 në 4 grekë që punojnë, është në administratën publike në shërbim të qeverisë. Mediat shqiptare nuk janë hakmarrë ndaj Greqisë, e cila më 1997 pati qenë një tmerr, pas vetë ngjarjes. Lajmet dramatike greke përcillen nga mediat shqiptare përmbajtshëm, madje rrallë, thuajse njëherë në hënëz. Media gjermane ka qenë e përmbytur me lajme dhe opinione, deri sa edhe iu drejtoheshin grekëve: punoni, mos rrini nëpër buzuqe e taverna! Kjo i lëndoi aq sa Greqia zyrtare u detyrua të jepte përgjigje për t’u mbrojtur prej kritikës therëse e tallëse. Edhe kreditë që po merr Greqia nga FMN, Banka Botërore e Bashkimi Europian, shihen me shumë dyshim, dhe dyshuesit nuk janë vetëm ata të tasit me gjellë të kishës, në sheshin Omonia, por vetë George Preovopulos, guvernatori i bankës së Greqisë tha se beson që, kjo paketë financiare është një “vetëvrasje”. Nuk janë më lajm emigrantët, por lajm grek dhe botëror janë bërë grekët dhe Greqia, njerëzit e pashpresë të së cilës shohin të emigrojnë nëpër vende të tjera të BE, apo njoftime tregtare me ishuj, ku pranë çdo emri të ishujve në shitje, vihet dhe çmimi, si i mallrave të përdorimit të përditshëm, nëpër shitoret e pafundme të shoqërisë së konsumit marramëndës. Edhe nëse nuk janë nxjerrë vërtetë në treg, edhe nëse vërtetë Greqia do të bëjë gjithçka por ishujt nuk do t’i shesë, këso lajmesh dramatike ngjajnë si ato të kolapsit të sistemit komunist dhe rrëzimit të tij. Por krejt të pavërteta nuk janë: sipas mediave, një biznesmen turk sapo ka blerë 6 ishuj grekë. Dhe duket, këto janë të parët, nuk janë të fundit që shiten, sepse katastrofa financiare greke është vetëm në uverturën e saj. Ajo që pati ndodhur në Shqipëri, më 1997, gjithsesi nuk qe rrufe në qiell pa re, sepse sistemi socialist i rroposur u shfaq i tjetërsuar për pushtet përmes dhunës, ndërsa kjo që po ndodh në shtetin Helen shtron një pyetje që ta heq trurin: në Greqi falimentoi sistemi shpresëplotë apo sistemin e falimenton politika për pushtet?