E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ti kërkoj rrënjët e tua Sali

Prof. Dr. Ago Nezha

Kaluan 20 vjet nga ndryshimi i sistemit dhe ëndrra e shqiptarëve për demokraci është vrarë. Sot, pas një parade qeverish të djathta e të majta, ndjehemi të zhgënjyer, të deziluzionuar dhe të robëruar nga mungesa e lirisë së vërtetë. Kemi ecur në rrugën e një demokracie të deformuar, që e nisi startin me projektin famëkeq të teorisë zero, duke shkatërruar gjithë pasurinë që trashëguam nga e kaluara, që u krijua me punën e papaguar pesëdhjetë vjeçare të  skllevërve. Nuk shuhet lehtë nga kujtesa vandalizmi demokratik, duke rrafshuar uzina, fabrika, plantacione unikale me agrume e ullinj të Lukovës, vreshtat e Shtoit, blloku i fiqve të Beratit, e qindra pemëtore të tjera që i kishin zili dhe vendet më të zhvilluara të Evropës. U shembën nga themelet muze, lapidarë, vepra arti, për të shuar kujtesën historike. Kjo filozofi, vazhdoi të pasurohet nga liderët qeveritarë me divizën : shkatërro, vidh, merr dhe ik, si ta kenë Shqipërinë çiflig. E gjithë kjo strategji mohuese, i ka shërbyer dhe po i shërben edhe sot dy fqinjëve tanë verior dhe jugor. Po të ndjekim ecurinë e qëndrimeve të kryeministrit Berisha, ai ka mbajtur një linjë lineare me politikat e tij kompromentuese me Serbinë dhe Greqinë. Në luftën çnjerëzore të Millosheviçit ndaj vëllezërve kosovarë, ai, theu embargon e naftës duke furnizuar Serbinë në rrugë klandestine. Ishte Berisha, ai që u shpreh kundër pjesëmarrjes së Kosovës në negociatat e Rambujes dhe UÇK-në e quajti organizatë terroriste. Është ai që edhe sot, në vazhdën e politikës së tij mafioze të lidhura me segmente klandestine, shkakton skandalin duke bllokuar linjën e interkonjeksionit që lidh Kosovën me Shqipërinë. Kjo tabllo, është e ngjashme po ta shohim në retrospektivë edhe me fqinjin tjetër jugor, Greqinë. Ishte Qeveria Berisha, që pranoi Janullatosin, si Kryepeshkop të Shqipërisë. Me zemërgjërësinë e tij, për të mbajtur karrigen e pushtetit, hapi shkolla shqipe në Korçë dhe Himarë, lejoi vendosjen e katër varrezave greke në Korçë, Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër. Dhe me bamirësinë e tij kristiane, përsëriti ritualin e Mbretit Zog, duke i falur Greqisë 344 km vijë bregdetare. Sikur të mos mjaftonte ky altruizëm, ai kërkoi ti falë dhe popullatën shqiptare, duke pjellë formularin Pollo për regjistrimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë. Të gjitha këto aventura në kurriz të Shqipërisë, i bën natyrshëm, me një guxim spartan. Është për të ardhur keq që  politika opozitare është e vakët, shoqëria civile është indiferente. Qeveria Berisha, është me një këmbë në Serbi dhe me tjetrën në Greqi, duke pasur aleatë edhe të majtën: LSI dhe Çamen-parti. Episode e qëndrime antishqiptare ka shumë, (të njohura dhe të panjohura), por do mjaftonin këto që evidentuam, për të parë se kujt i shërben modeli i qeverisjes Berisha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›