Fiskaliteti i dyfishtë i sakrificës
Oltion Rrumbullaku
Ka tashmë tre vite të shkuara që i ashtuquajturi tatim i sheshtë përballet me ekonominë shqiptare. Ky tatim i kombinuar me mjete të tjera fiskale godet të ardhura të ulëta dhe biznese të vogla dhe përkëdhel të ardhurat maksimale dhe biznese gjigante. Në një situatë mediatike dhe të rrëmujshme nuk është për të gjithë e qartë se po ndodh me sistemin fiskal nga 2008 e kësaj dite edhe pas vendosjes së një sistemi të tillë. Nuk është asnjëherë e tepërt të ridiskutohet kjo situatë. Nga një anë kemi biznesin e vogël që mund të shihet dhe biznesi i sakrificës dhe nga ana tjetër kemi 20 korporatat e huaja që realizojnë fitime gjigante (më se paku 5 milionë dollarë në vit). Tatimi i sheshtë në teori i takson të dy me një normë 10% të fitimit. Në zbatim nuk ndodh kështu. Biznesit të vogël i janë shtuar në vazhdimësi llojet e detyrimeve fiskale, ndërsa 20 korporatave më të mëdha u jepen hapësira që të ulin dhe më shumë detyrimet fiskale. Këto korporata nuk kanë ardhur në Shqipëri për të investuar dhe për të prodhuar produkte Made in Albania, por sepse shfrytëzojnë licencimet e tregjeve të kufizuara, konçensionet monopolistike apo tregun financiar të pazhvilluar. Historiku i trajtimit fiskal të biznesit të vogël në Shqipëri na ofron disa mundësi krahasimi. Nga viti 2000 deri në vitin 2007 biznesi i vogël kishte një regjim shumë të favorshëm fiskal. Në 2004 taksohej vetëm me një tatim të thjeshtuar mbi fitimin prej 3% mbi xhiron totale. Në 2005 pas një premtimi elektoral shumë agresiv, qeveria e re e PD-së e uli tatimin e thjeshtuar mbi fitimin në 1.5% të xhiros totale. Deri në 2007 ishte gjithçka shumë e favorshme, biznesi i vogël kishte vetëm një tatim kryesor të konvertuar në shuma fikse në bazë të xhiros dhe që quhej taksa e biznesit të vogël. Kjo taksë luhatej në bazë të xhiros dhe aktivitetit me shuma afërsisht nga 40,000 lekë në vit deri në rreth 130,000 lekë në vit (pa ekstremet). Në mesin e 2007 ministri Bode dhe kryeministri hodhën idenë e tatimit të sheshtë. Për biznesin e vogël po fillonte kalvari i sakrificës fiskale, i cili nuk do të kishte fund. Në 2008 përveç taksës së biznesit të vogël u shtua tatimi mbi të ardhurat e biznesit të vogël për rreth 10% të fitimit. Më së paku detyrimet fiskale do të dyfishoheshin dhe e gjithë shtesa do të shkonte në arkat e qeverisë qëndrore. Për më shumë biznesit të vogël i nevojitej konsulenca fiskale për të dorëzuar deklaratën e këtij tatimi. Kjo nuk mbaronte me kaq. Po gjatë vitit 2008 një vendim qeverie përcaktonte në mënyrë teorike numrin e punonjësve për çdo biznes të vogël dhe paga referencë e çdo punonjësi. Thënë ndryshe më shumë detyrime fiskale nga financat e drobitura të bizneseve të vogla. Me kaq mbarontë kalvari i vitit 2008 dhe gjatë 2009, si në një vit elektoral goditjet e mëtejshme do merrnin një pushim të përkohshëm. Por, për pak kohë, sepse gjatë 2010 një pjesë e konsiderueshme e biznesit të vogël do të futej nën objektin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me xhiro mbi 5 milionë lekë. Sakrifica fiskale shumëfishohet sidomos për grupin e profesioneve të lira të cilët futen në bllok nën darën e TVSH-së. Taksa mbi biznesin e vogël mbetet si e ardhur e qeverisjes vendore, ndërsa tatimet e reja për biznesin e vogël si tatimi mbi të ardhurat dhe TVSH janë tatime që shtojnë arkën e qeverisjes qëndrore që kto 3 vitet e fundit gjen të biznesi i vogël burimin e të ardhurave që i mungojnë nga korporatat e mëdha. Në tre apo katër vite kemi një shndërrim nga një regjim fiskal të favorshëm në një regjim fiskal shumë të rënduar, edhe më të rënduar se bizneset e tjera. Tashmë mund të thuhet pa drojë që një biznes i vogël mund të provojë të konsiderohet si biznes i madh dhe të përfitojë nga regjimi normal tatimor që kanë bizneset e tjera. Nga ana tjetër kemi 20 kompanitë më të mëdha në Shqipëri që në 2010 kanë realizuar një fitim në total prej mbi 600 milionë dollarë. Një kombinim i monopoleve, kompanive gjigande të telekomunikacionit, bankave fitimprurës dhe kompanive të energjisë dhe naftës sigurojnë fitime që janë shumë herë më tepër se bizneset e vogla dhe paguajnë thuajse sa ato. Bizneset e vogla të sakrificës paguajnë tatim mbi të ardhurat dhe taksë për biznesin e vogël dhe mund të thuhet që paguajnë një tatim të sheshtë, por ama e paguajnë dy herë, në mos më shumë. 20 kompanitë më të mëdha paguajnë tatimin e sheshtë dhe po ashtu paguajnë në vendin e origjinës, në Greqi, në Austri, apo Turqi pjesën tjetër të tatimit që ja ka falur tatimi i sheshtë në Shqipëri.