Kushtetuesja, KLD-ja dhe Drejtësia në kolaps
Fatos Mahmutaj
Dorëheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloçi, është vetëm filmi i katrahurës në sistemin e drejtësisë, paralajmëruar vite më parë. Institucioni garant i zbatimit të Kushtetutës po e vuan vetë shkeljen e ligjit themeltar, në një moment ku molepsja po e kthen në mosfunksionues. Kuvendi i dominuar nga të djathtët, përpiqet me çdo kusht të shtyjë dekretimin deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, i cili ka të gjitha gjasat të jetë i caktuar prej vetë kryeministrit Berisha, dhe për llogari të të cilit, do dekretojë tre emra militantësh demokratë. Pikërisht ky është momenti kur Kuvendi do të zhbllokojë shqyrtimin e kandidaturave të dekretuara nga Presidenti aktual Bamir Topi, të cilat qëndrojnë pezull prej muajsh të tërë. Në të njëjtën linjë qëndron edhe deklarata e fundit e kreut të grupit parlamentar Demokrat Astrit Patozi, i cili pohoi se do të jetë Presidenti i ri, që do të zgjedhë nënkryetarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra e thënë ndryshe vetëm pas tre muajsh kryeministri Berisha shtie në dorë plotësisht sistemin e drejtësisë. Me këto veprime Berisha i jep fund grabitjes së të gjitha institucioneve në vend. Të gjithë jemi dëshmitarë të grabitjes së pushtetit legjislativ, (Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009). Nuk mendoj se ka nevojë për të komentuar Ekzekutivin, mjafton vetëm të shohim një mbledhje të rëndomtë qeverie. Rrëmbimi edhe i Gjyqësorit nga Berisha ndoshta do e bëjë atë më të qetë, pasi i përfundon betejat për gllabërimin e gjithçkaje. Historia ka treguar se pikërisht ky është edhe momenti i tatëpjetës së qeverisjeve. Edhe vetë luftëtarët më të mëdhenj e më në zë kanë dështuar gjithmonë në qeverisje. Në fakt Berisha i ka treguar gjithmonë dhëmbët gjyqësorit. Është ndoshta rast unikal në botë, ku një politikan i nivelit më të lartë ka shpërfillur gjithmonë fletëthirrjet e gjyqeve, edhe kur është thirrur si dëshmitar. Por tashmë ai e ka ndjerë mirë frikën. Ai frikësohet kur lëviz nëpër Tiranë. Angazhon ushtrinë dhe gardën nëse do dalë jashtë kryeqytetit. Kontrollon deri me qentë antieksploziv edhe vetë deputetët e Kuvendit. Pra përpiqet të zgjidhur punën me sigurinë fizike, ndërkohë që i shtohet frika nga shkelja dhe abuzimi i hapur me ligjet. Gjithmonë kur ka qeverisur, Berisha, i ka shformësuar ligjet sa herë që i është dashur. Prej kohësh e ka ndjerë që kjo është bërë një praktikë e keqe, dhe që fatkeqësisht nëse do të korrigjohet në të ardhmen e zhyt keqazi atë vetë. Por me pushtimin e institucioneve me militantë arrin të shpëtojë deri diku. Tashmë funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese kërkon zëvendësimin urgjent të gjyqtarit Plloçi. Po kështu edhe KLD-ja ka nevojë për caktimin e nënkryetarit. Faktori ndërkombëtar e ka vënë alarmin me kohë për këtë pushtim të paralajmëruar të institucioneve kryesore të drejtësisë. Tani mbetet të shohim nëse Berisha do e vazhdojë strategjinë e bllokimit edhe tre muaj apo do ndryshojë strategji. Presim.