Nano ka dhënë prova që nuk mund të jetë president
Presidenti sipas Kushtetutës duhet veç të tjerash të betohet se ..do të mbrojë pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.”
Nano si ish kryeministër ka provuar se nuk e ka mbrojtur pavarësinë e vendit dhe nuk i ka shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar, së paku në 2 raste.
Rasti i parë. Nano hoqi nga kadastra e territorit shqiptar 18 hektarë tokë në bregdetin turistik të Vlorës, shoqëruar me qindra hektarë sipërfaqe detare duke ia falur një shtetasi të Italisë fqinje, ekzakt të njëjtin veprim që bëri Zogu me Shën Naumin në anën tjetër të kufirit të Shqipërisë, me ndryshmin që Shën Naumi mbeti turistik, kurse toka që fali Nano është projektuar për të shkatërruar turizmin në vendin më turistik të Mesdheut (kujto dhe prononcimin e Berishës së fundmi për gjirin më të bukur të Mesdheut) nëpërmjet instalimit aty të një industrie nafte, me Petroliferën e TEC-in si fillim. Dje mësuam se ambasadori italian e paska quajtur Petroliferën histori suksesi. Natyrisht është sukses, sukses i madh i miqve italianë të Nanos, por dhe miqve të përbashkët me Berishën, që fitojnë duke ndotur Gjirin e Vlorës, nëpërmjet naftës bruto që i thithet barbarisht truallit shqiptar nga një tjetër kompani e huaj, që gjithashtu nuk i paguan asnjë lek shtetit shqiptar, se del me humbje. Ishte reagimi i qytetarëve të Vlorës që projekti i Nanos për një park energjetik me rafineri e TEC-e nafte u bllokua, por u ngec një TEC për të cilën shqiptarët janë të detyruar të paguajnë 100 milion euro për një pirg me hekura që shpejt do përfundojnë për skrap dhe i humbën dhjetëra hektar bregdet shqiptarëve, ku mund të kish lulëzuar një industri gjigande turistike.
Rasti i dytë. Nano me papërgjegjshmërinë maksimale, e paprecedent për një vend demokratik europian, në mos për qëllime të forta thjesht vetjake, tinëz desh i futi zjarrin dhe helmin kryeqytetit duke sjellë për të djegur mijëra e qindra mijëra tonelata plehra urbane nga Italia për ti djegur në Tiranë. Përsëri protestat popullore e zmbrapsën këtë vendim të tij, shkatërrues e denigrues për vendin.
Këto 2 raste mjaftojnë për tu bindur se Nano është krejtësisht i pabesueshëm që, si president, ai do ti shërbente interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar, siç kërkon betimi i presidentit, madje askush nuk do habitej që ai mund të bëj të kundërtën. Bie fjala askush nuk do habitej që Nano do firmoste pa ju dridhur dora për faljen Greqisë të hapësirës detare shqiptare, po ti jepej kjo kompetencë.
Nanos i pëlqen ta quajë veten mbi palët, por realisht është thjesht nën palët dhe madje shumë nën.
