E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patetizmi patriotik



Fundjava solli edhe shenjat e shuarjes së zjarrmisë më të fundit patriotike që shoqëroi debatin rreth marrëveshjes për njohjen e shelfit detar ose më thjesht ndarjen e ujërave detare me Greqinë. Edhe pse rreth kësaj çështjeje pati mjaft pikëpyetje që kur u nënshkrua nga qeveria muaj më parë, java e fundit ishte e pasur me ethet e patriotizmit. Emisione të tëra televizive, lajme e debate, gati sa nuk mbylleshin me thirrje për linçim. Polemika, artikuj e tituj gazete fillonin e mbaronin me alarmin se u shit Shqipëria. Se aq e kaq kilometra katrorë u shitën, e kujt pa, grekëve. Se edhe më e papritura, shi kur bëmë këtë marrëveshje zbuluam se nëndeti ynë paska qenë i pasur me gaz ose më e pakta se gjithçka është nxitur nga grekët që projekti i gazsjellësit nga Rusia të kalojë në anën greke e të na lërë anash.

Nuk kam aspak për qëllim të trajtoj në këtë shkrim arsyet pse një pjesë e mirë e mediave iu turrën marrëveshjes dhe i ra asaj më të njëjtën kënaqësi, me të njëjtin zell, me të njëjtën urrejtje që i bie çdo pune të qeverisë. Nuk kam aspak për qëllim të merrem me deformimin profesional të shumë gazetarëve të rreshtuar majtas. Shqetësimi im janë ata gazetarë, analistë dhe profesionistë që rastisën të bëhen pjesë e debatit sinqerisht.

Nuk kam aspak për qëllim të ironizoj shqetësimin dhe pasigurinë e justifikueshme që ndiejmë si qytetarë sa herë është fjala për marrëveshjet që qeveritë tona nënshkruajnë, veçanërisht me fqinjët. Prej izolimit ndërkombëtar gjatë komunizmit mbetëm të pamësuar me marrëveshjet deri edhe me terminologjinë rreth tyre. Arsimimi ynë ka qenë i mbushur me histori marrëveshjesh e traktatesh të fshehta gjithnjë në dëmin tonë, me marrëveshje të politikanëve tanë që kanë shitur dhe asnjëherë blerë. Kësaj tradite i shtohet edhe e tashmja e njohur që administrate jonë nuk shkëlqen në kulturën e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të sistemeve mbi të cilat ndërtohen ato, që marrëveshjet kryesisht iniciohen nga ta tjerët. Të gjitha këto kanë ushqyer në shoqëri idenë thuajse fikse se marrëveshjet gjithnjë fshehin ndonjë hile.

Ky shqetësim, e përsëris, është i mirëkuptueshëm dhe angazhimi i gjithkujt për të thënë mendimin e vet, për të dhënë kontributin e vet më e pakta preson politikën dhe administratën që të jetë më e përgjegjshme, më e mira ndihmon në avancimin e interesave tona në raport me vendet apo organizatat me të cilat bashkëpunojmë.

Por, në të shumtën e rasteve, në vend të shqetësimit, ndeshemi me shfaqen e një patriotizmi patetik, folklorik, aspak shërbyes dhe ndonjëherë edhe qesharak. Rasti i fundit jo që nuk i shpëtoi kësaj tradite, por kulmon mes ngjarjeve të viteve të fundit. Të gjithë iu sulën marrëveshjes, e krahasuan me ngjarjet më të stigmatizuara të historisë sonë si dhënia e Shën Naumit ish-Jugosllavisë së parë, e krahasuan me marrëveshjet e Mbretit Zog me Italinë etj., ndonëse është rasti të kujtojmë se përveç polemikave stigmata, asnjëherë, nga askush nuk është bërë ndonjë analizë mbi baza dokumentare edhe për këto marrëveshje që merren si modeli i të keqes.

Aq i lartë ka qenë presioni, sa opozita socialiste që përgjithësisht perceptohet si më pak patriotike, gjeti si rrugëdalje mbajtjen e një qëndrimi krejt novator për tranzicionin shqiptar, referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. E gjitha kjo klimë stuhie bëri që shumëkush të dyshonte e të kërkonte të vërtetën. Personalisht kam pasur shumë pyetje nga të afërm e të njohur, ndonjëherë edhe me qesëndisjen se edhe unë si deputet i kësaj legjislature do ta duhet të votoj “shitjen e radhës”.

Ditët e para të javës premtonin rritje të etheve patriotike, pas botimit të një studimi shkencor me analiza kundër marrëveshjes, në një gazetë më zuri syri edhe një prozë poetike të autorit. Fatkeqësia ndodhi, doli dhe kënga.

Fatmirësisht, nga ana e qeverisë erdhi një iniciativë e lavdërueshme e ministrit të Mbrojtjes, z. Imami, i cili ftoi një tryezë joformale me gazetarë, analistë dhe të interesuar ku u prezantua edhe një herë nga z. Gërvenji, marrëveshja me Greqinë, bazë dokumentare dhe përvojat e tjera me Italinë si dhe Itali-Greqi, dokumentet ndërkombëtare që rregullojnë të drejtën e vendeve në dete, dokumentet e detarisë sonë, hartat përkatëse etj. Z. Gërvenji është i njëjti ushtarak që kishte bërë edhe prezantimin në media të marrëveshjes në kohën kur ajo u nënshkrua. Aq shumë duhet ta ketë ndier presionin e sulmeve ky ushtarak, sa kur u prezantuam më tha: “Unë jam Kristaqi”, si të thoshte unë jam ai që kam bërë këtë gjëmë.

Ky takim më fali disa kënaqësi njëherësh. Së pari, një përvojë shumë e mirë e komunikimit mes politikës dhe analizës, shumë pak e përdorur. Së dyti, përballë dyshimit, refuzimit dhe shpeshherë padurimit të gazetarëve, pata rastin të dëgjoj shpjegime të hollësishme për marrëveshjen, si dhe përgjigje për të gjitha pyetjet (në fakt, kanë qenë akuza) që ishin ngritur në media gjatë javës patriotike. Së treti, kënaqësia se po jetoja edhe një herë një përvojë të ndeshur shpesh kohët e fundit të flashkjes së flakës së patriotizmit patetikës.

Përveç atyre gazetarëve që e kishin më për nder të vetëquheshin të trashë sesa të pranonin të lexonin dhe kuptonin arsyet dhe korrektesën e marrëveshjes apo qoftë edhe të bënin një pyetje serioze për marrëveshjen, të gjithë të tjerët u ndien të respektuar profesionalisht, të respektuar edhe në statusin e tyre publik. Kjo u ndie edhe në shtypin e të nesërmes, pati një renditje më të kujdesshme të opinioneve të dy palëve, pati përdorime politike të kuptueshme, por pati shumë më shumë realizëm dhe më pak zjarrmi patriotizmi.

Nuk di, por ende kam dyshim të madh se pakkush nga ata që ndoqën tryezën, ka kujtuar se çfarë qenë duke bërë pak ditë më parë. Pakkush prej tyre shqetësohet sot pse ndodhi të përfshihej në atë reagim patetik, pse përfaqësuesve të medias dhe të tjerëve u ndodh të shfaqin një sjellje kaq joracionale për çështje, të cilat as nuk i kanë menduar para se të ndodhin. Pse ka pasur kaq patetikë në raste të tjera të ngjashme, si në rastin kur ish-ministri i Jashtëm deklaroi për pavarësinë me kusht të Kosovës? Pse ende vijojmë të themi se ky apo ai politikan e shiti Himarën, shiti gazin, shiti liqenin, shiti hapësirën ajrore, iu shit grekut, serbit, turkut? E tash së fundi edhe shitja e hapësirës detare.

Harrohet se kombet janë organizuar në forma të ndryshme, por kanë jetuar e jetojnë në nevojën e marrëveshjeve me njëri-tjetrin, se sado që njëra palë është më e fortë apo më e dobët, përsëri kur ka një marrëveshje, të dyja palët shohin interesin e tyre dhe diçka nxjerrin. Se edhe kur ka pushtime, popujt gjallojnë dhe gjejnë forma të bashkëjetojnë me pushtimin - të merren vesh me të si të thuash - për të marrë atë që mund të merret. Dhe fakti që marrëveshjet ribëhen tregon se interesat ndryshojnë dhe secila palë ka të tjera interesa në kohë. Ka mbi dy mijë vjet që shqiptarët apo paraardhësit tanë jetojnë në lindje të Adriatikut, në perëndim të luginës së Vardarit, përzihen me grekun dhe serbin në të njëjtat hapësira që përzihen edhe sot. Dhe kjo tregon që jo marrëveshjet, por as edhe pushtimet nuk e zhbëjnë dot atë që është hapësira jetike që garanton ekzistencën e një kombi.

Është në të mirën e shoqërisë që analistët dhe profesionistët të mos përfshihen nga pasioni, por të kontribuojnë nëpërmjet arsyes, kur bëhet fjalë për zhvillime të ngjashme. Është më e shëndetshme për shoqërinë tonë që të ndihmohet të avancojë nëpërmjet realizmit. E vërtetë që në Ballkan gëlon një patriotizëm patetik i ngjashëm tek të gjithë popujt që pa dyshim kanë qenë motorë të shoqërive ballkanike për një kohë, por përfitimin më të madh sot do të dinë ta nxjerrin ata që shikojnë nga realizimi i ëndrrave të së ardhmes dhe jo nga ata që mbeten të fiksuar në mitet e të shkuarës.

Shoqëria jonë ka më shumë nevojë të dijë, ka më shumë nevojë të kuptojë rrugën ku ka hyrë më shumë prej instinktit dhe vokacionit të brendshëm për të maksimizuar interesat e saj në çdo oportunitet që krijohet. Fatkeqësisht, izolimi i gjatë dhe e shkuara e ushqyer së shumti me patriotizëm folklorik na ka lënë sëmundjen e patetizmit patriotik. Le të shërbejë edhe ky rast i fundit për të shëruar pasionin që mund arsyen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›