E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuajt janë të lodhur … ne “gomerët” kërkojmë ndërrimin e tyre



Genc Likskëndaj

Të nderuar koleg “gomerë”,
Po ju drejtohem koleg sepse si informatikan që jam padiskutim që jemi kolegë pasi kujdesemi për marrjen, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit. Ajo çfarë unë mësova së pari në profesionin tim ishte shprehja GIGO (po fute plehra po plehra do të nxjerrësh). Me thënë të drejtën duhet t’u drejtohem edhe disa “gomerëve” të tjerë të ngjashëm me ne; punonjësve të shërbimeve të inteligjencës të cilët ne informatikanët dhe ju lajmëtarët sikur i kemi lënë pa punë disi. Uaau; kemi lënë pa punë ata të cilët janë inventor të GIGO! Nuk e di por vetvetiu në mendje kam “Njeriu ynë në Havanë” të Green-it.
Në fakt gjetjet sinergjike sjellin ulje të kostos dhe rritje të eficencës dhe bërjen kompetitiv në treg. Industritë po kalojnë një merge të shpejtë e të fuqishëm, profesionet s’janë më njëdrejtimore, mbijeton ai që i bënë të gjitha dhe MIRË në të njëjtën kohë. Kësisoj këto shërbime le të rrinë pa punë nga ne .
Koleg po ju drejtohem me një kërkesë të drejtpërdrejtë;
NGRIHUNI DHE KERKONI NDERRIMIN E KUAJVE.
Po pse juve, armatës së lajmëtarëve po jua kërkoj këtë?
Këtë po përpiqem jo pa u përpëlitur e stërmunduar ta shtjelloj më poshtë:
Tashmë duket qartë se në këtë shoqëri me ligje e pa ligje që kërkuam, po kopjojmë dhe në fund të fundit po jetojmë duke konsumuar kohën (jetën) tonë ekziston një trekëndësh barabrinjës fort mirë i lidhur. Politika - Sipërmarrja - Media
Të treja këto kulme kanë prons & cons-et e tyre ndaj jemi edhe në këtë situatë të pashpresë e në një vorbull vicioze ku kryesorja është me studiuar ku me e zgjidhur lëmshin të krijuar me duart e ëndrrat tona. Të gjitha këto kulme në mënyrë “spekuluese” tjetërsojnë e manipulojnë djersën e shpresën e asaj shtrese që quhet popull po më saktë po themi masa e njerëzve të cilët punojnë, paguajnë deri diku taksat e ëndërrojnë të jetojnë më mirë në ... Shqipëri.
Por njëkohësisht zgjidhja duhet gjetur po në to sepse dialektisht dilema e lashtë e të qeverisurit të njerëzve po nga njerëzit s’na jep alternative tjetër. Më saktë jemi shtetas shqiptarë që duhet të qeverisemi nga produktet tona të cilët duhet të jenë po qytetarë shqiptar por jo vetëm shqipfolës.
Miqtë e mi ka ardhur koha të shkrepni shkëndijën e një ringjallje kombëtare dhe jeni në kohë. Jeni bërë shterpë duke u rrotulluar e paralelizuar veten në emisione kopje të medias italiane, amerikane, angleze apo franceze. Jeni bërë më keq se kolonat muzikore të vjedhura nga “këngëtarët” tanë nëpër Rumani, Turqi, Bullgari apo Serbi.
Gjithsesi këta jeni e këta jemi dhe ne kujdestarët e përpunimit të informacionit fort mirë e dimë se “është brenda tek i gjalli si Engjëlli edhe Djalli” (Prof. H. Beqja). Jemi të gjithë djaj e engjëj në këtë rrugën e stërzgjatur nga Big-Bangu i Bllokut Lindor të 90-s e deri më tash. Problemi shtrohet ku do të shkojmë? Ku do shkojmë e çdo bëhet me ne pjesëtarë të një tregu emergjent ku në vende të tjera po si ne;
Ai të cilit babai shiti lopën e vetme për ta edukuar është prodhuesi i një marke makinash të mirënjohur sot në botë.
Ai të cilit babai i bleu një PC duke sakrifikuar rrogën e 2 vjetëve është një ndër njerëzit më influencial e vizionar në industrinë hiperkompetitive të Informatikës sot në botë.
Po ju? Po ne?
Unë mendoj se e kanë fajin kuajt.
Po paguajmë makutllëkun dhe mungesën e vizionit të asaj që në krye na u vunë kuaj informalë të cilët janë produktiv, të nevojshëm e të paevitueshëm deri në një farë stadi të caktuar të lojës por më pas .... më pas duhemi ne ... GOMERËT.

Kush janë kuajt?

Janë klasa politike e cila në përqindjen dërrmuese ka informalitetin ekonomik më të madh të të gjitha shtresave të shoqërisë të marra së bashku. Kemi në krye kuaj te cilët me mungesë vizioni total nuk janë në gjendje të japin llogari për shpenzime monetare tashmë bazik si edukimin e fëmijëve të tyre, banesat, makinat apo edhe udhëtimet e pushimet jashtë shtetit. Por edhe ata që s’i kanë këto ‘të zeza’ janë të lodhur e të vetmuar e janë specie në zhdukje. Janë “manjatët” e mediave, produkt i evazionit e i kontrabandës, i privatizimeve qesharake, i monoploizimit të pay TV, i tenderave shtetërorë dhe i qarqeve antishqiptare rajonale.
Me këtë mishele të ujosur së tepërmi motori i promovimit, ecjes përpara në një treg i cili sapo vjen e po bëhet më global e kompetitiv nuk ka jo vetëm rendimentin e duhur por është e trishtueshme të themi se ... NUK PUNON.
Po si ka mundësi ju të punësuarit e këtyre “të paarritshme” të bëni “kryengritjen e të varurve’’. Ju që u bëtë “yje” po nga këta dhe në disa raste “aksionerë” në minorancë, të paguar me “stock option”. Kaq “trima” e “bukëshkalë” jeni ju? Mos po bëhem qesharak duke u propozuar “vetëvarjen”?
Përgjigjja është e thjeshtë po nëpërmjet një pyetje.

KU PO VEMI ?

A e keni pyetur veten se pse 50 për qind e shqiptarëve nuk votojnë? Pse brezi “pa identitet” i 1990-2000 mbush forumet e “Peshku pa ujë”, “Fajtori” etj? I keni lexuar ato?
Pse ne punëmarrësit nuk marrim në punë kandidatë bazuar nga diplomat, pasi një përqindje në rritje e diplomave i mbajnë njerëz të cilët s’kanë mbaruar shkollën e mesme?
KU DO VEMI?
Tranzicioni ishte “western happy end movie” përball faktit se rezervat e djersës së prindërve tanë po mbarojnë e më poshtë pyetjet Kush? Kur? Me Se? Kërkojnë përgjigje.
Digat janë për rikonstruksion.
Bonifikimet e hidrovoret janë amortizuar tashmë.
Pyjet janë shkretuar e erozioni është në nivel në “katror”. Mineralet që nxirrnin të burgosurit nuk ka kush t’i nxjerre, edhe ata fatzinj që duan ti nxjerrin po vdesin çdo ditë.
Naftë vendi s’ka sepse e shfrytëzojnë kompani të huaja me kapital themeltar vetëm 100 mijë USD?!!
Problemet e mjedisit janë të nivelit në ’kub’.
Cilësia e jetës urbane është Mumbaijane, në Tiranë shumë shpejt do filloj të merren jetë njerëzish për një parking.
Mbi një miliardë USD nuk u inventarizuan dhe përveç disa milionave dollarëve në Qipro, edhe këto të depozituara në llogari personale shqipfolësish, nuk u miradministruan të gjeneronin të ardhura për buxhetin.
Privatizimet strategjike përveç dinozaurit KESH mbaruan.
Turizmi është një farsë pasi kemi ndërtuar “gropa septike fekalesh” të stërmëdha ku mushkonja pickon edhe derrin.
Brezi i mirë edukuar para 90-s po kap over 45 vjeç tashmë. Brezi që vjen ka një polarizim të tmerrshëm në piramidën e edukimit, kështu edhe atë pak produkt cilësor të trurit na e thithin tregjet e tjera të cilat tashmë s’janë më larg.
Piramida e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore ka kapur shkallën progresive gjeometrike të pikut. Dr. Gjinushi e zgjidhi përkohësisht me rritjen e moshës në 70 vjeç por 90 vjeç nuk behet dot. Kjo situatë ka ardhur “rastësisht” edhe me ndihmën e “vëllezërve” grekë pasi po “rastësisht” ministria e linjës flet greqisht prej kohësh.
Ish emigrantët nuk janë më emigrant por qytetar të EU të cilët jetojnë e po investojnë atje. S’kemi asnjë politikë expatriots për ta..
Ne e nisëm 90-tën me export mishi & pluhuri të bardhë por edhe ky ka një fund. Ne nuk ishim të aftë të gjeneronim export tjetër.
Dhe lista vazhdon....
Përball këtyre problemeve a nuk janë farsë e një gënjeshtër e tërë ato pak ‘privilegje’ e ‘kënaqësi’ që ju gëzoni duke qenë ‘ndryshe’ nga masa?
A e dini se polarizimi i skajshëm i kapitaleve do sjellë shumë shpejt Depresionin e Madh Shqiptar. T’ua sqaroj pak. Kemi individë të dhjamur të cilët asetet u kushtojnë më shumë të vdekura (dhjamura) se të gjalla. Këta sipërmarrës janë gati të mos LEVIZIN pa pasur margine mbi 200 për qind dhe lënia në duart e tyre të fateve të makroekonomisë sonë do sjellë ose transfertë kapitalesh jashtë Shqipërisë ose Depresion që do të thotë se duhet një strategji që ky dhjam të digjet e të çlirojë LEVIZJE.
A e keni ngritur ju këte problem?
E gjithsesi Ju “te nxirët” e rreshtave të mi të mësipërm dialektikisht jeni edhe të BARDHËT e rreshtave të mëposhtëm. Ju mund të bëni shumë për arsyen e vetme sepse jeni një enë e madhe komunikuese e cila quhet “profesionistë”: edhe kështu si jeni po të jeni bashkë bëni shumë sepse keni ku të shkoni sa pa u lobuar (ndërzyer) kuajt ndër vedi.
Bashkë jeni tashmë një armatë që duhet marrë parasysh. Paralel me këtë po ju tregoj se sot ligjvënës janë CEO-t dhe Bordet Drejtues të gjigantëve disa miliardësh në botë. P.sh familjet e Hewlett dhe Pacard kundërshtuan marge e HP-së me Compaq po Bordert Drejtues dhe stackholderat e tjerë nuk i morën parasysh pronarët, marge u bë dhe sot është vërtetuar se 1+1>2. HP ishte kompania e parë e IT që gjeneroi mbi njëqind miliardë USD apo 15 Shqipëri së bashku, në 2007-ën.

Kolegë ‘Gomerë’ mos e harroni kurrë këtë: 1+1>2.

Miqtë e mi duhet filluar nga diku dhe gomerë më të mirë se ju nuk ka. Po pse dhe si?
Sepse ka palë të interesuara. Ka me mijëra e mijëra njerëz te cilët jetojnë me djersën e ballit dhe janë veçse të kërcënuar e të rrezikuar edhe për atë që kanë arritur. Ka sipërmarrës të suksesshëm që duan dhe mund të zhvillohen vetëm në një treg formal dhe me kuaj të tjerë.
Ka me qindra “gomerë” të cilët duan të bëhen kuaj.
Si?
Jepuani këtë mundësi gomerëve të flasin dhe mos i mbyllni emisionet tuaja shterpë në luftë gjelash të cilët pas emisionit presin lëvdatat e dashnoreve(ëve) (jo rrallë edhe biseksual) se sa “smart” u debatuan “kacafytën” dhe sa “smart business casual” ishin veshur. Jeni mbyllur në një dyzine të tele(ndisur)përdorur “multiexpertësh”, ku jo rralle shikojmë të njëjtën fytyrë në televizione të ndryshme në të njëjtën kohë duke u kacafytyr “live”?!
Si ka mundësi që njerëzit të cilët gjenerojnë GDP-në (të bardhë, të zezë, të gri) të këtij vendi nuk flasin. Emisionet që ju kopjoni nuk janë të mbushura vetëm me ‘analistë të pavarur’ por me CEO-të e kompanive gjithashtu.
Ftoni ‘gomerë’ të cilët janë me shumicë gjithandej dhe hulmutoni e marketoni se kush mund të bëhet kalë race nga ata.
Ngriheni zërin për ndërrim të kuajve sa nuk është vonë.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›