Vrasja e nënës së Lul Cakës, gati akuza për Mile Çamin
FIER – Pas arrestimit të shtetasit Fatmir Emini, i njohur ndryshe edhe si Mile Çami, në seancën e parë gjyqësore i është komunikuar edhe akuza tjetër për vrasjen e nënës së Lul Cakës. Kjo është vepra e dytë penale për të cilën akuzohet Emini, pasi ai është dënuar me 22 vjet burg edhe për një krim tjetër. Ditën e shtunë trupi gjyqësor i komunikoi Mile Çamit akuzën për rrëmbim, përdhunim dhe më pas vrasjen me paramendim të nënës së Lul Cakës, ngjarje kjo e ndodhur 9 vjet më parë. Procesi është zhvilluar nën masa të rrepta policie. Bashkë me Eminin për këtë krim akuzohen edhe vëllezërit Artan dhe Bledar Yzeiri. Dyshohet se ata kanë rrëmbyer 52 vjeçaren, Xhevaire Caka te porta e pasme e godinës së drejtorisë së Policisë së Fierit, teksa ajo priste të takonte djalin e saj, Lul Caka. Më pas e kanë çuar në pyllin pranë lumit Seman, ku i priste Fatmir Emini. Aty 52-vjeçarja është torturuar, përdhunuar e më pas qëlluar me armë zjarri. Fatmir Emini i njohur ndryshe si Mile Çami vuan aktualisht dënimin prej 22 vitesh burg në Rrogozhinë për një tjetër vrasje.
9 Qershor 2008