E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria harron grevistët të Gërdecit dhe të strehuarit e Konvaleshencës



TIRANË – Shteti harron të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit. Asnjë nga zyrtarët e lartë të shtetit nuk ka vizituar edhe gjatë ditës së shtunë 7 ish-punonjësit e Fabrikës së demontimit, të cilët që prej dy ditësh kanë hyrë në një grevë urie pa afat. Ndërkohë që 20 banorët e fshatit Gërdec që janë strehuar në mjediset e Konvaleshencës në Durrës, ende nuk kanë marrë shumën prej 25 mijë lekësh të reja që do ta përdorin për qiranë e banesave. Tashmë ka mbaruar afati i qëndrimit në ndërtesën qeveritare, dhe ata duhet të zhvendosen në mjedise të tjera, ku është premtuar që shpenzimet do të paguhen nga shteti.
Asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore, qeveritar apo vendore, nuk ka vizituar 7 ish-punëtorët e fabrikës së demontimit “AlbaDemil” në Gërdec, të cilët që prej ditës së premte kanë hyrë në grevë urie në një godinë në Vorë. Grevistët kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestën e tyre derisa qeveria të zgjidhë kërkesat që kanë bërë. Ish-punëtorët e fabrikës së demontimit pohojnë se gjatë ditës së djeshme nuk ka mbërritur askush në mjediset e ndërtesës ku po bëjnë grevën, për tu takuar me ta. Më 29 maj, ata i kishin dërguar një letër kryeministrit Berisha për të cilën ende nuk kanë marrë një përgjigje. Ky ka qenë dhe shkaku që ish punëtorët janë futur në grevë urie. Kërkesat e punëtorëve drejtuar qeverisë janë; 400 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për një vit; një vit rrogë me 500 mijë lekë në muaj; më pas shteti të sigurojë asistencën për këta punëtorë; pension për familjarët e viktimave; dëmshpërblim për mjetet motorike si dhe t’u njihen sigurimet shoqërore nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi shpërthimi, 15 mars 2008. Që pas tragjedisë së Gërdecit, më 15 mars të këtij viti ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosen rreth 300 të tjerë, edhe punonjës së kompanisë “Albdemil”, mbeten pa rrogë.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›