E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikohen Man Utd e Barça

Manchester United dhe Barcelona janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi nga kjo garë eliminuan Chelsean dhe Shakhtar Donetskun. Djajtë e Kuq i mposhtën londinezët edhe në përballjen e dytë të tyre me rezultat 2:1, sikurse gjiganti katalan që e mposhti skuadrën ukrainase me rezultat 0:1. Nga Express më 12 prill 2011 në ora 23:06

Manchester United dhe Barcelona janë dy skuadrat e para të cilat janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi nga kjo garë të martën mbrëma eliminuan Chelsean, përkatësisht Shakhtar Donetskun.

Djajtë e Kuq e shfrytëzuan mirë përkrahjen e publikut, duke e mposhtur në Old Trafford Chelsean me rezultat 2:1, në ndeshjen e dytë çerekfinale.

Manchester United ka kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 43-të me golin që e ka shënuar Hernandez, i cili mori një top nga Giggs. Me këtë rezultat edhe ka përfunduar pjesa e parë, kurse në periudhën e dytë të ndeshjes u shënuan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht Chelsea ia doli ta barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 77-të, me golin që e realizoi Drogba, tek i cili asistoi Essien. Por, shumë shpejt u kundërpërgjigjën Djajtë e Kuq, të cilët menjëherë e rikthyen avantazhin në 2:1, me golin që e ka shënuar J. S. Park. Edhe në këtë gol asistoi Giggs.

Por, duhet theksuar se që nga minuta e 70 londinezët kanë luajtur me një lojtarë më pak, sepse Ramires u përjashtua nga loja pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Manchester United e pati mposhtur edhe si mysafir ekipin londinez në përballjen e parë me rezultat 0:1.

Në këtë mënyrë, edhe sivjet Chelsea dështoi për të mbërri në finale të kësaj lige, derisa më herët është eliminuar edhe nga League Cup, është përshëndetur edhe nga FA Cup, ndërsa edhe pse ka një ndeshje më pak të zhvilluar, është tetë pikë prapa liderit të Premierligës, Manchester United, me gjashtë ndeshje para fundit.

Kurse, Barcelona është skuadra tjetër që u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Spanjollët eliminuan Shakhtar Donetskun, të cilin e mposhtën edhe si mysafirë me rezultat minimal, 0:1. Fitoren Barcelonës ia siguroi ylli i saj, Lionel Messi, i cili e shënoi golin e vetëm në minutën e 43-të. Gjigantit katalan kishte hyrë i relaksuar në këtë takim, pasi thuajse kualifikimin e kishte siguruar qysh në ndeshjen e parë, kur e pati mposhtur Shakhtar Donetskun me rezultat bindës, 5:1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›