Kuba dakordohet për lirimin e 52 të burgosurve politikë
Kuba ka pranuar të lirojë 52 të burgosur politikë duke shënuar kështu një nga vendimet me numrin me të madh të të liruarve nga autoritetet komuniste , prej dekadash. Një inisiative e tillë pason bisedimet në Havana të presidentit kubanez Raul Kastro me zyrtarë të lartë nga Spanja dhe përfaqësues nga kisha katolike romane. Në takim mori pjesë kryepeshkopi i Havanës, kardinali Jaime Ortega si dhe ministri i jashtëm spanjoll Migel Angel Moratinos. Pesë prej tyre, pritet të lirohen shumë shpejt nga burgu, ndërsa të tjerë do të lirohen gjatë muajve të ardhshëm. Lajmin e miratuar nga qeveria kubaneze, e bëri të ditur kisha katolike e vendit. Në njoftim bëhet me dije gjithashtu se të burgosurit e liruar mund të largohen nga Kuba. Të burgosurit i përkasin një grupi prej 75 kundërshtarësh të qeverisë, të cilët ishin dënuar në mars të vitit 2003. Aktivistët kubanezë për të drejtat e njeriut u shprehën pozitivisht për këtë lajm të papritur. Lirimi i disidentëve në këtë numër kaq të lartë nuk pritej prej tyre. Ndërsa ministri i Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, tha në Havana, se kjo lëvizje po nis një epokë të re në Kubë. Qeveria kubaneze ka qenë nën presion për të liruar disidentët që kur i burgosuri i cili kishte hyrë në grevë urie, Orlando Zapata Tamayo, vdiq në muajin shkurt.