Kubë, largohet grupi i parë i disidentëve
Qeveria e Kubës ka qenë nën presionin e ndërkombëtarëve për të liruar disidentët që mban prej disa vjetësh. Grupi i parë i të burgosurve politikë që u liruan nga autoritetet në Kubë u nis menjëherë për në Spanjë. Shtatë nga disidentët u dërguan në aeroportin e Havanës për t'u ribashkuar me anëtarët e familjarët e tyre që u larguan nga Kuba bashkë me ta. Ata janë në mesin e 52 të burgosurve politikë, lirimi i të cilëve u negociua nga Spanja dhe Kisha Romano-Katolike. Kuba u vu nën presion ndërkombëtar për lirimin e tyre, pasi një prej disidentëve të burgosur vdiq nga uria për të tërhequr vëmendjen lidhur me gjendjen e tyre. Personat e burgosur u arrestuan gjatë një operacioni të një shkalle të gjerë ndaj aktivistëve të opozitës më 2003-shin. Kuba gjithnjë e ka kundërshtuar faktin se mban të burgosur politikë, duke i quajtur 'mercenarë të paguar të Amerikës', që duan të minojnë qeverinë kubane. Ish të burgosurit u ribashkuan me gratë e tyre dhe fëmijët në aeroportin ndërkombëtar të Havanës. Zyrtarët e konsullatës spanjolle i intervistuan ata, pastaj u dhanë vizat për të qëndruar në Spanjë. Ky grup, bashkë me rreth 30 anëtarë të familjeve, u nisën për në Spanjë me një avion pasagjerësh. Në bordin e avionit ishte edhe gazetari Ricardo Gonzalez dhe gruaja e tij, Alida. Gonzalez u dënua me 20 vjet burgim më 2003-shin. Ndërkaq, pas katër vjetësh pa dhënë asnjë intervistë Fidel Kastro u shfaq në televizionin kuban, ku mes të tjerave ka mbrojtur Korenë e Veriut dhe Iranin, duke nënvizuar se në Lindjen e Mesme një “luftë bërthamore është shumë afër”. I veshur me një xhuboks të zi, ish-presidenti i Kubës dukej në formë të mirë shëndetësore. Mes shumë çështjeve delikate, Fideli 84-vjeçar foli edhe për rrezikun e një lufte të afërt në Lindjen e Mesme, duke mos hequr dorë nga bindjet e tij të vjetra. Në intervistën e tij ai akuzoi hapur Uashingtonin se provokoi qershorin e kaluar, mbytjen e anijes koreanejugore, ku humbën jetën 47 marinarë për të nxitur një konflikt mes dy Koreve. Objektivi i Uashingtonit, shtoi ai, është të “heqë qafe Korenë e Veriut që shqetëson Amerikën, pasi ka në kontroll armë bërthamore”. Ish-presidenti mbrojti me forcë edhe veprimet e Ahmadinexhadit në Iran për sa i përket programit të tij bërthamor. “Ai nuk është një njeri i improvizuar. Nëse Amerika vendos të nisë një konflikt në këtë zonë, do e ketë keq punën. Irani nuk është Iraku, ai i ka marrë masat prej 30 vjetësh për të përballuar një konflikt të tillë. SHBA-ja po bën hapa para në atë që në të ardhmen do të quhet luftë bërthamore me Korenë e Veriut dhe Iranin”. Kjo është hera e dytë që brenda pak ditëve Fideli shfaqet para publikut, duke i befasuar të gjithë: të mërkurën e kaluar u fotografua gjatë një vizite në një qendër studimesh në Havanë. Ajo ishte hera e parë pas një mungese prej katër vjetësh. Ishin të shumtë ata që mendonin se Kastro edhe mund të kishte vdekur në kohën kur ia kaloi pushtetin vëllait të tij, Raul.
#