E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi-Ruçi, 20 minuta kokë më Kokë në zyrën e grupit të PS-së

Negociatat Vendosen piketat për takimin zyrtar mes mazhorancës dhe opozitës, që nis sot në 11:00

Nisin praktikisht negociatat mes mazhorancës dhe opozitës, duke shënuar rënien e dy barrierave të rëndësishme që kanë qenë deri tani. Kështu, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, dhe homologu i tij demokrat, Astrit Patozi, janë takuar dje për herë të parë pa prezencën e një pale të tretë, duke rrëzuar barrierën e parë, ndërsa pengesa e dytë është se shefi i deputetëve të selisë blu ka takuar homologun e tij pikërisht në zyrën e kryetarit të grupit parlamentar socialist. Patozi dhe Ruçi kanë rënë dakord të rinisin negociatat për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Takimi, i cili do mbahet sot në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit, mes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozit dhe homologut të tij socialist, Gramoz Ruçit, u parapri nga një takim 20-minutësh i zhvilluar dje po në Kuvend. Kështu, rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, kreu i grupit demokrat vizitoi zyrën e kreut të grupit socialist, Ruçi, ku pas një bisede të shkurtër, mësohet se u ra dakord paraprakisht për takimin e sotëm. Nga ana tjetër, zyrtarizmi i nisjes së negociatave nga ana e PS-së, duke mandatuar Ruçin, u krye në mbledhjen e mesditës së grupit socialist. Patozi dhe Ruçi do të vendosin të vetëm, ballë përballë sot, për të rinisur negociatat e treta përgjatë një viti debatesh mbi hapjen ose jo të kutive të votimit për zgjedhjet e mbajtura në qershorin e vitit 2009. Ai që dihet me siguri pas negociatave të sotme është prononcimi publik që krerët e grupeve parlamentare do të japin pas takimit në Kryesinë e Kuvendit. Ndërsa e paqartë paraqitet mundësia e gjetjes së një kompromisi mes palëve për çështjen e kutive të votimit, një “ngërç” i cili nuk është kaluar nga palët as nga negociatat me Presidentin Topi dhe as nga përfshirja në këto negociata e krerëve më të lartë të Këshillit të Europës, Parlamentit dhe Këshillit Europian. Ndonëse palët bien parimisht dakord për pjesëmarrjen në një komision hetimor, për këqyrjen e kutive të materialeve dhe për një sërë çështjesh të tjera, ato ndahen në një pikë të rëndësishme që lidhet me të drejtën ose jo të komisionit për të hapur kutitë e votimit dhe numërimin e tyre brenda komisionit. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë, Berisha, tri ditë më parë e tha qartë e në mënyrë të prerë, se PD nuk do të pranonte të bënte rinumërim të votave pa pasur më parë një vendim gjykate në lidhje me këtë çështje. Sipas Berishës, hapja e kutive bëhet nëse këtë e vendos Gjykata Kushtetuese, ose Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por socialistët nga ana e tyre nuk kanë hequr dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit në komision, që sipas tyre është një e drejtë që e parashikon edhe rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Nisur nga këto të dhëna, situata për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën duket pesimiste, ndonëse nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshjeje politike, e cila do t’i japë fund bllokimit dhe mosmarrëveshjeve 1-vjeçare. Zgjidhja e kësaj krize nuk i nevojitet vetëm klimës së brendshme politike në Shqipëri, por ajo vendoset si kusht nga ndërkombëtarët për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ky qëndrim u theksua edhe nga ana e ambasadorit të Belgjikës në Tiranë, Mark Mishelsen, përfaqësues i vendit që tashmë ka marrë presidencën e radhës së Këshillit të BE-së. Sipas tij, nëntori është koha kur Komisioni Europian do të formulojë një qëndrim në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Por Mishelsen deklaroi në mënyrë të qartë se mosgjetja e një zgjidhjeje për krizën deri në këtë moment, mund të penalizonte Shqipërinë për marrjen e këtij statusi me rëndësi të veçantë. Ambasadori belg theksoi gjithashtu se kjo krizë politike mes palëve nuk mund të ndikonte në procesin që pritet t’u sigurojë shqiptarëve lëvizje të lirë në Europë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›